Fakti që një llastik palestinez i Çim Pekës mund të shndërrohet në personazh mediatik, tregon më shumë për gjendjen e mjerueshme të medias në Shqipëri sesa për vetë personazhin. Kur zhurma, agresiviteti dhe padija promovohen si gazetari, atëherë nuk kemi më media, por një farsë publike që imiton gazetarinë.

Sot ndoqa konferencën për shtyp të kryeministrit Rama. Njëfarë Ambrozia Meta – më shumë një zhurmues sesa gazetare – u shfaq si ata interferuesit e dikurshëm në Antenën e Dajtit që pengonin valët e RAI-t të mbërrinin në Tiranë. Ose si palestinezët me llastiqe në Ramallah që qëllojnë në ajër për të bërë zhurmë. E instruktuar nga Çimi i Syrit të Zenit babit, ajo prish çdo konferencë shtypi me të njëjtën sjellje: pa etikë, pa kulturë, pa dije, si një tallagjere rrugësh që kërkon vëmendje me çdo kusht.

Konferencat për shtyp, në çdo vend të qytetëruar, kanë një normë elementare: pyetje dhe përgjigje. Gazetari pyet, politikani përgjigjet. Nuk janë arenë për debat personal, as për spektakël banal. Gazetari nuk është protagonist; protagoniste është pyetja dhe interesi publik që ajo përfaqëson.

Por kur gazetaria kthehet në instrument politik dhe mediatik, atëherë norma zhduket. Boza-Ambrozia është vetëm produkti i kësaj kulture. Është boza e Çimit të babit të Zenit – dhe në këtë pikë ajo nuk ka faj. Është thjesht një simptomë e një sistemi mediatik të kalbur.

Megjithatë, ajo që ishte vërtet e rëndë në konferencën e sotme nuk ishte sjellja e një pseudo-gazetareje. Ishte deklarata e kryeministrit të vendit se televizioni Syri.net i Çimit të Zenit babit ka një dosje në prokurori për pastrim parash.

Kjo deklaratë nuk mund të kalojë si një batutë politike. Nuk mund të humbasë në zhurmën e rrjeteve sociale apo në kakofoninë e debateve televizive.

Prokuroria – ose SPAK – duhet të flasë. Nesër.

Ose duhet të dalë publikisht dhe të përgënjeshtrojë kryeministrin, duke thënë qartë se një dosje e tillë nuk ekziston. Ose, nëse një dosje ekziston vërtet, atëherë Syri.net duhet të trajtohet si çdo subjekt tjetër nën hetim për pastrim parash. Në një shtet normal, një institucion i tillë do të rrethohej me shirit të verdhë si vend krimi.

Sepse problemi nuk është një televizion, një gazetar apo një konferencë shtypi.

Media në Shqipëri është shndërruar në një mekanizëm presioni dhe përfitimi: gjobëvënëse ndaj pushtetit kur kërkon favore, lavatriçe për pastrimin e parave të pista, dhe njëkohësisht instrument presioni për tendera, leje ndërtimi dhe privilegje ekonomike.

Në vend që të kontrollojë pushtetin, një pjesë e madhe e medias është bërë ortak me pushtetin.

Dhe kur kjo ndodh, fjala e lirë nuk është më e lirë.

Shpërndahet sipas interesave të klientëve politikë dhe ekonomikë.

Në këtë kontekst, reforma në drejtësi duket e ngordhur. Jo vetëm sepse drejtësia nuk arrin të prekë krimin e organizuar ekonomik që përzihet me median, por sepse askush nuk guxon të hapë realisht dosjen e financimit të mediave në Shqipëri.

Sepse po të hapej, shumë studio televizive do të rezultonin jo redaksi gazetarie, por zyra lobimi.

Nuk justifikohen dhjetëra televizione, portale dhe emisione me tregun e vogël shqiptar. Nuk justifikohet luksi i analistëve dhe moderatoreve, që shfaqen çdo natë si arbitra morali publik ndërkohë që paguhen me rroga marramendëse – mbi tavolinë dhe nën tavolinë – në emër të fjalës së lirë.

Në të vërtetë, në emër të fjalës së lirë po burgoset vetë fjala e lirë.

Sepse kur media ushqehet nga para të pista dhe interesa politike, gazetari nuk është më gazetar.

Ai është thjesht një zëdhënës i paguar.

Një llastik në shërbim të pushtetit ose të klientit të radhës.

Dhe në fund, të gjithë këta që shiten si gladiatorë të fjalës së lirë nuk janë gjë tjetër veçse skllevër të krimit.