Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë po zhvillon një aksion në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndonëse nuk ka njoftim zyrtar se përse zhvillohet aksioni dhe nëse ka të arrestuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadria, konfirmon për KosovaPress, vetëm aksionin që po zhvillohet me urdhër të prokurorisë, por nuk ka dhënë informata shtesë.

Informata nuk ka dhënë madje as zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, i cili tha për KosovaPress, se "QKUK do të dalë me një deklaratë në momentin që do të kenë diçka zyrtare".

Lajmi.net, raporton se njësiti për Krime Ekonomike ka kryer një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë për persona që dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

"Ata dyshohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, që ka të bëjë me pajisjet shëndetësore, sidomos me stendat që përdoren tek pacientët e sëmurë nga zemra", ka thënë për lajmi.net, ky burim me kusht anonimiteti.

Sipas këtij burimi, Prokuroria ka vërejtur se përdorimi i stendave të dyshimta, të skaduara afati, si dhe vendosja e tyre nga doktorë jokompetentë, mund të ketë çuar në vdekjen e pacientëve, që deri tani e ka çuar numrin e tyre mbi 100.

ATSH