Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen, ka shprehur shqetësimin e tij për dhunën në protestat në Shqipëri.

Ai u kërkon palëve vetëpërmbajtje, të respektojnë parimet demokratike dhe të angazhohen në dialog. Haagen thekson rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së medias dhe garantimit që gazetarët të mund të raportojnë për ngjarjet publike pa u frikësuar apo penguar.

“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit lidhur me protestat në Shqipëri”, deklaroi Haagen. “E drejta për tubim paqësor dhe liria e qytetarëve për të shprehur pikëpamjet e tyre janë shtylla themelore të shoqërive demokratike. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e jetës njerëzore dhe garantimi i sigurisë së pronës publike dhe private janë përgjegjësi thelbësore të autoriteteve ligjzbatuese.”

Përfaqësuesi i Posaçëm shtoi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe nuk mund ta zëvendësojë dialogun.

“Çdo akt dhune i kryer nga individë që marrin pjesë në protesta, si dhe çdo përdorim i tepruar i forcës nga autoritetet ligjzbatuese, duhet të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u shpreh Haagen.

Ai theksoi gjithashtu se liria e medias duhet të respektohet dhe të mbrohet.

“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt për protestat dhe ngjarjet e tjera publike, pa frikësim, ngacmim apo ndërhyrje të pajustifikuara”, deklaroi Haagen. “Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për transparencën, llogaridhënien dhe debatin e informuar publik, veçanërisht gjatë periudhave të tensioneve politike.”

Duke u bërë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe aktorëve të tjerë që të veprojnë me përgjegjësi, të refuzojnë pa mëdyshje dhunën dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet, Përfaqësuesi i Posaçëm nënvizoi se autoritetet duhet të garantojnë respektimin e shtetit të së drejtës, të mbrojnë të drejtën për tubim paqësor dhe të sigurojnë që gazetarët të mund ta kryejnë punën e tyre lirisht dhe në mënyrë të sigurt.

“U bëj thirrje qeverisë, opozitës, organizatave të shoqërisë civile, studentëve dhe qytetarëve që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë për zgjidhje që u shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Parimet demokratike, respektimi i lirive themelore dhe dialogu duhet të mbizotërojnë mbi përplasjet”, përfundoi Haagen.

Reagimi i Haagen vjen një ditë pas atij të ODIHR, ku u theksua mesazhi për qetësi dhe hetim për përdorimin jo proporcional të forcës.