Policia e Kosovës po heton pretendimet për kërcënime ndaj Albin Kurtit

Policia e Kosovës po heton pretendimet për kërcënime ndaj Albin Kurtit

Policia e Kosovës ka thënë sot se është duke trajtuar pretendimet për kërcënime ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në këtë institucion ka thënë se është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve dhe se të gjitha veprimet janë duke marrë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se kabineti i kryeministrit në detyrë Kurti, ka dërguar rastin e, siç thuhet, kërcënimit në Policinë e Kosovës.

Kurti ka pretenduar të martën se është kërcënuar nga, siç është shprehur ai, e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Në shkresën e kësaj Garde, të publikuar nga Kurti, Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet organizatë kriminale, derisa thuhet se pas informatave për organizim të protestave në Prishtinë më 29 maj, njësitet e Gardës në fjalë “do të jenë gjithandej dhe ku do të paraqitet nevojë do t’i dalim në mbrojtje vendit”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se kërcënimet nuk i janë drejtuar atij.

“Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, ka deklaruar ai, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Kurti me këtë rast i është referuar rastit të dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë gjykatë, për të interpretuar kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretim të Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Thaçit deri më 29 maj derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

Vendimi i Thaçit ka ardhur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë të udhëhequr nga Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja