TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh dhe kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha pritet të zhvillojë një takim me ambasadorët e vendeve të BE në Shqipëri. Arësyeja e këtij takimi të ngutshëm të liderit të opozitës së djathtë me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE në Shqipëri mendohet se është situata në Policinë e Shtetit që sipas opozitës po degradon me largimin e tërë kupolës drejtuese nga detyra.

Pra e thënë në shkurt, takimi i Bashës me ambasadorët e vendeve të BE ditën e sotme do të ketë si axhendë kryesore ankesën për shkarkimet më të fundit që janë bërë tek drejtuesit e Policisë së Shtetit, ku sipas PD është shkelur ligji për gradat, dhe për këtë madje përmes ish-zv.ministrit të Brendshëm, deputetit Ristani ka kërcënuar se do bëjë ankimim në gjykatë. Kështu pritet që të ankohet për largimin nga detyra të zv.drejtorëve nëpër qarqe, që është suprimuar vendi i punës sipas ligjit, por do hedhë akuza se janë ulur në grada efektivë të lartë të policisë së shtetit.

Njëherësh mësohet se do të ketë ankesë dhe për reformën në Gardën e Republikës, të cilën pritet ta paraqesë si një hakmarrje të së majtës ndaj Gardës për shkak se ajo më 21 janar të 2011 mbrojti institucionet. Njëherësh nuk do jenë jashtë axhendës së ankimimeve dhe elementë të tjerë, që sipas PD janë shumë të rrezikshëm, si përdorimi i policisë për shembjen e ndërtimeve me ose pa leje dhe shkrirjen e disa strukturave të kësaj policie nëpër qarqe. Nga ana tjetër mësohet se në këtë takim kreu i opozitës Lulzim Basha do të prezantojë para ambasadorëve të BE shqetësimin e tij në lidhje me miratimin e aktit normativ për ligjin “Për Nëpunësin Civil” deri të enjten.

Mësohet se nuk përjashtohet mundësia që kreu i PD ta cilësojë këtë si një ultimatum të liderit të mazhorancës dhe kryeministër i vendit Rama ndaj opozitës duke shkelmuar konsensusin. Ndërkohë që jo në pak raste si ndërkombëtarët ashtu dhe përfaqësuesit e partnerëve tanë këtu e kanë cilësuar si të nevojshme nxjerrjen e akteve nënligjore në mënyrë që ligji “Për Nëpunësin Civil” të jetë funksional dhe të përzgjedhë njerëz në bazë të meritës në administratën publike.

Ajo që bie në sy në këtë takim me ambasadorët e vendeve të BE të kërkuar me urgjencë nga ana e kreut të PD Lulzim Basha, është fakti se ai kërkohet pikërisht në ditën kur në Bruksel komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle mban progres Raportin për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Dhe ku është e sigurtë që do të marrë miratimin në të gjitha hallkat e Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës dhe në dhjetor të Këshillit të Ministrave të vendeve të BE për dhënien e statusit të vendit kandidat, status që vjen pas 3 dështimeve radhazi nga ana e Shqipërisë e politikës shqiptare.

Pikërisht në këtë moment, në këtë ditë mësohet se Basha do ankohet tek ambasadorët e BE se qeveria e re po shkarkon dhe largon funksionarë të lartë të policisë nga puna, pa marrë parasysh gradat që kanë. Po në këtë ditë Basha do tentojë të injektojë te ambasadorët dhe akuzën se kryeministri Rama po shkelmon konsensusin me opozitën për “Nëpunësin”. Iroik është fakti, por takimi zhvillohet në 105 vjetorin e lindjes së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.

(Ne foto: Basha gjatë një takimi me ambasadorët)
Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)