TIRANË, 17 Nëntor/ATSH- I. Vata/-Policia e Shtetit në një deklaratë për mediat të hënën në orët e mbrëmjes, ka deklaruar se në bashkëpunim me OSHEE, kanë vijuar kontrollet e përbashkëta në të gjithë vendin për të identifikuar dhe vënë para drejtësisë autorët e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe vjedhjes së energjisë elektrike.
Nga ky operacion, bën me dije Policia e Shtetit, gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin kanë vepruar 196 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE dhe si rezultat i kontrolleve të kryera në terren, në abonentët biznese dhe familjarë, janë arrestuar 16 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe janë shpallur në kërkim 15 persona.
Po ashtu, janë kryer kontrolle të përbashkëta me OSHEE në 2.950 raste, si dhe janë ndërprerë 1.443 lidhje të paligjshme të energjisë abonenteve debitorë, si dhe është ushtruar kontroll edhe në zonat e kontrolluara më parë, ku janë konstatuar raste të riligjdhjes së paligjshme të energjisë elektike.
Statistika e Policisë së Shtetit tregojnë se "gjatë javës se fundit në të gjithë vendin janë arrestuar 108 persona dhe janë shpallur në kërkim 38 persona. Nga analiza e statistikave të procedimeve penale konstatohet se nga të arrestuarit në të gjithë vendin, vetëm ndaj 41 prej tyre është marrë masa e sigurisë "Arrest në burg", për 7 të tjerë është marrë masa e sigurise "Arrest shtëpie" dhe për 38 të tjerë është marrë masa e sigurisë "Detyrim paraqitje". Ndërsa për 22 të arrestuar nuk është marrë ende masa e sigurisë nga Gjykatat. /a.ke/









