TIRANE, 2 Shkurt /ATSH/- Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e evakuim-shpëtimit të banorëve në zonat e përmbytura nga dalja e lumenjve nga shtrati si pasojë e motit të keq.
Në një njoftim per shtyp, Policia e Shtetit ben të ditur se, prej ditës së djeshme dhe deri në këto momente Strukturat e Policisë së Shtetit , konkretisht Forcat e Lëvizshme Operacionale , Delta Forcë dhe efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Elbasan kanë evakuuar dhe shpëtuar 311 persona dhe konkretisht:
Në Qarkun Fier janë evakuuar dhe shpëtuar 112 persona, ku aktualisht vijon operacioni për evakuimin edhe të disa banorëve të tjerë. Gjatë paradites së sotme janë shpëtuar disa grupe barinjsh, dy të moshuar (çift) dhe dhjetra banorë të fshtrave Dazezë, Ferras, Hoxharë, Bishan, Rrefik, e Shtyllas, të cilët janë evakuuar me gomone nga FNSH e Delta Forcë.
Në Qarkun Vlorë janë evakuar dhe shpëtuar 98 persona, dhe vijon operacioni për të nxjerrë një bari i cili ka mbetur i bllokuar nga uji afër Bisht Malit.
Në qarkun Gjirokastër janë evakuar 7 persona . Aktualisht s'ka asnjë banorë të rrezikuar dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme .
Në qarkun Berat:
Janë evakuuar nga Policia 90 persona. Aktualisht nuk ka asnjë telefonatë nga asnjë banor që të kërkojnë ndihmë . Të gjitha rrugët nacionale tashmë janë të kalueshme pasi niveli i ujit ka rënë.
Në Qarkun Elbasan mbrëmjen e djeshme janë evakuuar 4 persona. Shtabi i emergjenës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit vijon të funksionojë dhe po rakordon veprimet me Shtabin e Emergjencave .
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e banorëve duke sinjalizuar në Sallat Operative nëpërmejt numrin pa pagesë 129 me qëllim që policia t'ju shkojë në kohë në ndihmë.Strukturat e Policisë do vijojnë të jenë në gadishmëri , deri në normalizimin e plotë të situatës. e,xh/ /a.g/