Policia e Shtetit publikon bilancin: Në Nëntor janë zhvilluar 100 operacione dhe janë arrestuar 700 persona për vepra penale

Policia e Shtetit publikon bilancin: Në Nëntor janë zhvilluar 100 operacione dhe janë arrestuar 700 persona për vepra penale

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit ka bërë publike të gjitha operacionet, arrestimet, sekuestrimet  dhe masat e ndryshme ndëshkimore që ka ndërmarrë gjatë muajit nëntor të vitit 2023, në të gjithë vendin.

Në raportin e publikuar nga blutë, pasqyrohen 104 megaoperacione dhe operacione të finalizuara, arrestimi i 700 personave për vepra të ndryshme penale, si dhe shumë zhvillime të tjera, në kuadër të goditjes së veprimatrisë së kundraligjshme.

Raporti i Policisë së Shtetit:

Gjatë muajit Nëntor të vitit 2023:

104 megaoperacione dhe operacione të finalizuara;

700 shtetas të vënë në pranga, për vepra të ndryshme penale;

124 kilogramë cannabis, mijëra doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, droga bonsai dhe amfetaminë, fidanë cannabisi, 24 armë, 15 mjete prerëse, mallra të kontrabanduara me vlerë rreth 52 000 euro, si dhe pasuri me vlerë 1.2 milionë euro dhe rreth 142 000 euro, të përfituara nga vjedhjet dhe nga veprimtaritë e tjera kriminale, të sekuestruara.

Megaoperacionet dinamike “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit” vunë në pranga shpërndarës droge, shtetas të shpallur në kërkim, posedues armësh për qëllime kriminale dhe autorë krimesh të tjera.

•Megaoperacioni “TEMPULLI” prangosi gjatë nëntorit, 47 prodhues/shpërndarës të lëndëve narkotike, duke e çuar numrin e të arrestuarve në kuadër të tij, 473. Megaoperacioni vijon me intensitet në të 12 qarqet e vendit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të cilat dëmtojnë kryesisht të rinjtë.

•Megaoperacioni “SUNDIMI I LIGJIT” goditi në flagrancë 26 raste të armëmbajtjes pa leje, të krimeve në fushën ekonomike dhe në atë të narkotikëve, ndaloi 5 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për vepra penale kundër personit, si dhe ndaloi 38 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Aksionet e befasishme, dhe bashkëpunimi me qytetarët vijojnë për ta çuar më tej këtë megaoperacion.

Plani operacional “Filizat” angazhoi në 12 qarqet e vendit, dhjetëra grupe efektivësh që kryen kontrolle në 300 çerdhe dhe kopshte, për të verifikuar zbatimin e ligjit. Për administratorët dhe shtetasit e tjerë që kishin cenuar ligjin në 147 prej këtyre institucioneve, nisën procedimet penale.

Bashkëpunimi, profesionalizmi dhe besimi i shkëmbyer me partnerët italianë, bënë të mundur arrestimin në Shqipëri, të 3 shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “PUZZLE 2020”.

Policia e Durrësit, e mbështetur nga inteligjenca policore, ndërhyri në kohë për lirimin e një 30-vjeçari të marrë peng nga një trafikant droge dhe dy shokë të tij.  Pengmarrja u krye për shkak të një borxhi mbi veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në Britani të Madhe.

32 vjedhje (disa prej tyre me armë, me dhunë ose me thyerje) janë zbardhur nga strukturat e Policisë në qarqe. Autorët e tyre janë identifikuar dhe vënë në pranga, si dhe janë sekuestruar sende të vjedhura.

Në të njëjtën fushë, operacioni “Polinomi” prangosi në Vaun e Dejës, 4 shtetas të organizuar si grup kriminal, të cilët gjatë vitit të fundit dogjën 4 automjete dhe vodhën në 6 banesa.

7 raste të kontrabandimit të produkteve ushqimore, veshjeve, aksesorëve ose celularëve, me qëllim tregtimin me pakicë, janë goditur këtë muaj.

3 call center u zbuluan në kryeqytet, ku mashtroheshin shtetas të huaj, për të investuar në tregje fiktive. 13 shtetas u arrestuan/proceduan penalisht për këto raste, si dhe u sekuestruan 108 njësi kompjuterike sepse i shërbenin mashtrimit në këto subjekte.

Operacionet “Replay 2” dhe “Repeat” prangosën 3 shtetas në kryeqytet, të cilët kishin mashtruar biznesmenë, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.

Gjithashtu, nga kontrollet e shërbimeve u konstatuan dhe u goditën 111 raste të krimeve kundër mjedisit (ndërtime të paligjshme, prerje të pyjeve, gërryerje të shtretërve të lumenjve, zjarrvënie dhe ndotje të ajrit, të ujërave ose të tokës).

Gatishmëri dhe shërbim i përforcuar i shërbimeve të Policisë, në të gjithë vendin, pothuajse gjatë gjithë muajit nëntor:

-për t’iu shkuar në ndihmë qindra qytetarëve, kryesisht në Përmet dhe në Qafë Murrizë, të cilët mbeten të bllokuar në automjete, për shkak të kushteve të vështira të motit me reshje shiu dhe dëbore, ose sepse mbetën të bllokuar në një qendër për të moshuarit në Fier, pasi aty ra zjarr;

-për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Ishujt Faroe;

-për të siguruar festime pa incidente dhe pa cenim të normave ligjore në fuqi, në rrugë, sheshe dhe në ambiente të tjera, me rastin e 28 dhe 29 nëntorit.

Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me logjistikë bashkëkohore, kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimin e vetëm: parandalimin e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

Janë vënë në pranga 185 drejtues mjetesh, nga të cilët 126 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 59 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 454 leje drejtimi, nga të cilat 314 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 63 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 77 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të e vendit. Kontrollet e bazuara në analizat e riskut, kanë garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve.

Këto shërbime kanë konstatuar dhe goditur: 42 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 13 raste të përdorimit të dokumenteve false, 5 raste të mosdeklarimit të të hollave, 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 3 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar për të parandaluar ngjarjet kriminale, për të zbardhur ato që janë kryer më parë, për të vijuar me intensitet megaoperacionet “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, si dhe nëpërmjet punës së përditshme, për të kontribuar për rritjen e imazhit të vendit.

Ftojmë qytetarët që të kallëzojnë çdo lloj paligjshmërie që ata ndeshin dhe iu garantojmë anonimat, reagim të menjëhershëm dhe profesional.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë