Policia e Tiranës, ndryshe nga dy protestat e fundit të Sali Berishës, ka marrë përsipër garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së paralajmëruar nga PD në 12 mars para Parlamentit.
Kjo iu bë e ditur edhe Partisë Demokratike, në kthimin e përgjigjes nga ana e Policisë së Shtetit, përmes një letre, të cilën e mori në dorëzim Klevis Balliu.
PD ka njoftuar se do të protestojë nesër jashtë Parlamentit, por edhe brenda tij përmes deputetëve, në mënyrë që të ushtrojnë presion ndaj mazhorancës për të pranuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, i cili do të votohet nesër në Kuvend dhe për t'i hapur rrugë kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Ndërkohë përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës, duke shtuar se nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”. Po ashtu sipas Policisë, në varësi të zhvillimit të tubimit, edhe rrugë të tjera mund të bllokohen. Por Policia thekson se qytetarët dhe mjetet mund të qarkullojnë në rrugë alternative.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Lajmi kryesor:
Nesër ‘vuloset’ fati i Ballukut! PS: Jo arrestimit, ‘pro’ hetimit! PD protestë brenda e jashtë Kuvendit










