TIRANË - Gjithë njerëzit u habitën këto ditë me kontrollet e policisë në rrugë me rastin e festave, sidomos ndaj të dehurve në timon. Dhe pati 25 patenta të hequra pikërisht për këtë arsye vetëm dje. 1200 policë të shpërndarë vetëm në Tiranë për sigurimin e qetësisë publike.

Por ndërkohë dhe Policia e Shtetit ka dalë sot pasdite me një deklaratë, ku thekson se ishin pikërisht këto masa, që u bë e mundur që nata e ndërrimit të viteve të kalonte e qetë dhe në siguri të plotë në të gjithë territorin e vendit, duke mos u shënuar asnjë incident i rëndë sa i përket rendit e sigurisë dhe jetës së qytetarëve.

“Gjatë gjithë natës së ndërrimit të viteve shërbimet e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në kuadër të masave të posaçme të planifikuara për festat e fundvitit, për të garantuar rend e siguri maksimale për qytetarët në të gjithë territorin e vendit, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve festive, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë”, u theksua në deklaratë.

Policia e Shtetit deklaron se edhe gjatë ditëve në vijim do të vazhdojë me zbatimin e masave të posaçme, në shërbim të përforcuar, me synim garantimin e rendit publik, sigurisë rrugore, si dhe menaxhim profesional dhe të shpejtë të fluksit të lëvizjes në të gjithë pikat e kalimit kufitar, duke ofruar një shërbim policor me standarde të larta.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)