Një mega- operacion i policisë greke, me pjesëmarrjen e forcave antiterror, ka çuar në zbulimin dhe asgjësimin e një ferme gjigante kanabisi në zonën kodrinore të Kiatos, në veri të Peloponezit. Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve greke, rrjeti kriminal priste të fitonte rreth 3.3 milionë euro nga shitja e drogës.
Gjatë bastisjes së policisë, në pranga ra një 27-vjeçar i huaj, i cili u kap mat duke ujitur dhe pastruar bimët e marijuanës. Në zonën e pyllëzuar, policia zbuloi dhe shkuli 2,189 rrënjë kanabisi që arritnin një lartësi deri në 2.1 metra.
Ferma ishte e mirëorganizuar dhe e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për qëndrim afatgjatë dhe përpunim droge. Autoritetet gjetën laboratorë dhe pajisje për tharjen e kanabisit, çadra kampingu dhe një kuzhinë funksionale për rojet dhe punëtorët.. si dhe 13 kilogramë marijuanë të gatshme, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndaj 27-vjeçarit të arrestuar janë ngritur akuza për shkelje të ligjit për drogat dhe shkelje të ligjit të imigracionit. Ndërkohë, policia greke ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tjerë të këtij rrjeti të strukturuar kriminal.










Komente
Komento