"Policia, KLD e Administrativja"
Presidenti 'rrëzon' sërish qeverinë

Presidenti 'rrëzon' sërish qeverinë">
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, 3 ligje të rëndësishme të miratuar seancën e fundit parlamentare, mes të cilëve, ligjin për policinë e shtetit, ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe ligjin për funksionimin e Gjykatës Administrative. 

Sipas Presidentit këto ligje kanë disa shkelje të Kushtetutës, dhe për rrjedhojë është vendosur kthimi i këtyre ligjeve në Kuvend.
 
Presidenti i Republikës, nuk është shprehur akoma për ndarjen e re territoriale, ndërsa pak ditë më parë, burime për A1 Report, bënë të ditur se pritej kthimi për shqyrtim në Kuvend nga Presidenti i disa ligjeve të rëndësishme të miratuara në seancën e fundit.

Vetëm javën e kaluar Presidenti Nishani ktheu për rishqyrtim ligjin për Shkollën e Magjistraturës, me pretendimin se i shkelen kompetencat KLD, çka solli edhe reagime të shumta të mazhorancës dhe më konkretisht të kreut të saj, Edi Rama

Policia e Shtetit, Nishani: Ligji ndesh me parimin e paanësisë politike
Sa i përket Policisë së Shtetit Nishani ka argumentuar edhe arsyet e vendimit të tij. Sipas Presidentit në ligj parashikohet ruajtja e personaliteteve, të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë, çka është e pakuptimtë sipas tij pasi kjo është në  përgjegjësinë  e Gardës së Republikës.
 
Po ashtu Presidenti argumenton se në nenin 4 “Statusi i Policisë së Shtetit” është parashikuar vartësia e Policisë nga Ministri për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, në ndryshim nga ligji në fuqi, i cili parashikon Policinë si pjesë të strukturës së Ministrisë së Brendshme. Ky ndryshim sipas tij bie ndesh me parimin e paanësisë politike në të cilën bazohet e gjithë veprimtaria e Policisë së Shtetit.

Një tjetër pikë që sipas Presidentit shkel Kushtetutën është krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila paraqitet në ligj si strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit, dhe që do të kryejë veprimtari gjurmuese dhe hetimore dhe se organizimi e funksionimi i saj do të bëhet me urdhër të Ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

Sipas Presidentit kjo strukturë krijon një paralelizëm në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore. Ai nënvizon se pa zgjidhur statusin juridik të strukturave të ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji me cilësinë e subjektit procedural penal, nuk mund të krijohen struktura të tjera me të njëjtin objekt veprimtarie.

Po ashtu në deklaratën e Presidencës theksohet se “ka mospërputhje midis ligjeve brenda të njëjtit sistemi ligjor që bëjnë të padiskutueshëm nevojën e rishqyrtimin të këtij ligji”

Reforma në drejtësi, Nishani: Ligji i KLD-së cënon kopetencat e Presidentit, rrezikohet pavarësia e gjyqësorit.
Sa i përket ligjit të KLD-së, kreu i shtetit thotë së kufizon kompetencat e tij në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar zëvendëskryetarin si dhe heq të drejtën që i ka dhënë Kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e  Zëvendëskryetarit të KLD-së. Nishani thotë se me ligjin e ri kjo kopetencë i kalon Kuvendit i cili me tre emërimet e tij në KLD cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Presidenti thotë se rrezikohet pavarësia e gjyqësorit e cila është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. 

“Anëtarët e Këshillit të Lartë të drejtësisë zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare për shkak të cilësisë së tyre si gjyqtarë, duke përfaqësuar të gjithë trupën e gjyqtarëve që i ka zgjedhur.  Edhe në rast se njëri nga gjyqtarët zgjidhet nga KLD si Zëvendëskryetar, ai vazhdon të jetë përfaqësues i pushtetit gjyqësor me ndryshimin e vetëm se ai nuk mund të ushtrojë funksionin e gjyqtarit për kohëzgjatjen e mandatit. Ai e rifillon ushtrimin e dhënies së drejtësisë në gjykatë pasi ka dhënë dorëheqjen ose ka përfunduar mandatin si zëvendëskryetar. Gjyqtari i zgjedhur si Zëvendëskryetar përveç se e ruan këtë cilësi gjatë gjithë mandatit, është një garanci më shumë për pavarësinë e sistemit gjyqësor si dhe për balancën ndërmjet  pushteteve. Përderisa, gjyqtari nuk e humbet këtë  cilësi përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta, atëherë nuk mund të pretendohet se me zgjedhjen e tij si Zëvendëskryetar nuk përfaqëson trupën gjyqësore nga e cila është zgjedhur”, thekson në arsyetimin e tij kreu i shtetit.

Gjykata Administrative, Nishani: Në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve
Ndërkohë sa i përket ligjit për Gjykatën Administrative, ai shpreh nevojën e një ligji të tillë për të siguruar mbarëvajtjen dhe efikasitetin në punën e gjyqtarëve pranë gjykatave administrative të Shkallës së parë dhe Gjykatës së Apelit Administrativ duke marrë në konsideratë mbingarkesën që kanë këto gjykata. Megjithatë ai thekson se ky ligj i miratuar nga Kuvendi është antikushtetues, pasi sipas tij është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe më konkretisht të pavarësisë së gjyqësorit.

Një tjetër pikë që Presidenti kundërshton është ajo e  kancelarit të gjykatës për të propozuar emërimin, lirimin apo shkarkimin e ndihmësve ligjor, çka sipas Nishanit i vendos këta të fundit  nën varësinë e tij. Presidenti shprehet se me këtë ndryshim kryetari i gjykatës, i cili emëron, liron apo shkarkon ndihmësit ligjorë nuk bën gjë tjetër veçse formalizon një vendim të marrë nga kancelari i gjykatës, dhe nuk ka diskrecion për mospranimin e kandidaturës apo refuzimin e shkarkimit ashtu siç nuk ka diskrecion apo të drejtë përzgjedhjeje as vetë gjyqtari pranë të cilit do të punojë ndihmësi.

Ndër të tjera në deklaratë thuhet se bazuar në ndryshimet ligjore, lidhur me emërimin e ndihmësve, kancelari i gjykatës do të përzgjedhë dhe propozojë për emërim ndihmësin ligjor nga lista e kandidatëve fitues të shpallur pas testimit nga një komision  i cili do të organizohet dhe funksionojë bazuar në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë.

Nishani nënvizon se me këtë ndryshim, kryetari i gjykatës duhet të emërojë si ndihmës ligjorë patjetër njërën nga kandidaturat e propozuara nga kancelari i gjykatës dhe ku parashikohet se emërimi dhe shkarkimi i tij bëhen nga Ministri i Drejtësisë, ndërsa shton se kjo është dukshëm në raport të drejtpërdrejtë varësie dhe kontrolli nga Ministri i Drejtësisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Indeksimi i pensioneve, të moshuarit për Report TV: Nuk është mjaftueshëm, s’na lehtëson! Ekspertja: Të ishte bërë që në pranverë

Indeksimi i pensioneve, të moshuarit për Report TV: Nuk është mjaftueshëm, s’na lehtëson! Ekspertja: Të ishte bërë që në pranverë