Të gjithë personat, përfshi edhe ata shqiptarë që do të hyjnë në Kosovë do të vetëizolohen për 7 ditë nëse ata nuk kanë bërë tamponin në 4 ditët e fundit. Kjo është bërë e ditur nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit në Kosovë, por që bie në kundërshtim me deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili një ditë më parë tha në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" tha se karantinimi për 7 ditë nuk është vërtetë.

Sipas Qendrës së Menaxhimit Kufitar në Kosovë në rastin kur nuk kanë test, ata nënshkruajnë deklaratën për vet-izolim për 7 ditë dhe kur ekipi mjekësor vlerëson se ata kanë simptoma të COVID19, i japin udhëzimet e tyre se si të veprojnë.

"Për të hyrë në Kosovë, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID19 duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë. Kjo bëhet në mënyre që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetë izolimit. Ata persona që nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit ku do ta mbajnë vetë izolimin nuk lejohet të hyjnë në Kosovë", thuhet në njoftimin e Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë studentët të cilët vijnë në RKS për nënshtrim të provimeve, me kusht që të kthehen ne vendet e tyre të njëjtën ditë. Hyrja bëhet duke dëshmuar identitetin studentor me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Institucioni përkatës Arsimor në Kosovë. Nga ky rregull përjashtohen edhe të gjithë që kanë për qëllim kalimin transit në Republikën e Kosovës.

Ndërkohë sot në doganën e Morinit dy qytetarë shqiptarë janë shoqëruar nga policia kufitare e Prizrenit në paraburgim, ku do të qëndrojnë për 48 orë deri kur të dalin para gjykatës. Shqiptarët janë shoqëruar, pasi kundërshtuan me forcë policinë duke debatuar lidhur me masat në kufi për ndalimin e kalimit.