TIRANE-Edhe sot, në ditën e dytë që Shqipëria rihapi kufijtë tokësore, asnjë qytetar shqiptar nuk mund të futet në Kosovë nëse nuk ka bërë tamponin, jo më vonë se 4 ditët e fundit. E ndërsa në palën shqiptare kalohet normalisht, pasi kërkohet vetëm matja e temperaturës, shqiptarët nuk kalojnë dot në Kosovë pa tamponin duke shkaktuar indinjatë.

Situata është tensionuar në doganën e Morinit dhe dy qytetarë shqiptarë janë shoqëruar nga policia kufitare e Prizrenit në paraburgim, ku do të qëndrojnë për 48 orë deri kur të dalin para gjykatës. Shqiptarët janë shoqëruar, pasi kundërshtuan me forcë policinë duke debatuar lidhur me masat në kufi për ndalimin e kalimit. Përballë kësaj situate, policia e Kosovës i ka shoqëruar.
1591100544_kukes.jpg

Shoqërimi i dy shqiptarëve në paraburgim

Në prononcimet e tyre për Report Tv, qytetarët janë shprehur se nuk po lejohen që të kalojë as për raste vdekje. "Më ka kthyer dy herë, kërkojnë tampon, më thotë bën 30 euro, por nuk ka ku e merr shteti, por unë vij nga Tirana, meqënë ma kishte bërë shteti. Unë nuk kam asnjë problem, për një raport mjekësor po shkoj ta marr, por jo tamponi. Çfarë lidhje ka tamponi, po ai që vjen nga Kosova se nuk e bën? Nëse është e mundur, pse nuk e le këtu dhe ta bëjmë këtu për daljen dhe për hyrjen" tha një qytetar.

Një tjetër theksoi se "Na kërkojnë test COVID-i. Do të kthehemi, te greku na lejojnë këtu jo, llogarite tani, doganat tona, çfarë bëhet kështu??!!!!".

"Ne punojmë në Kosovë në Prishtinë, jemi bllokuar tani. Tani e morëm vesh se duhet testi, nuk dinim gjë. Sot na thanë lejohet, por doli e kundërta" tha një tjetër.

Edhe për raste vdekje kufiri është bllokuar pa plotësuar kushtin e tamponit. "Nuk po na lejojnë, kemi dy raste vdekje, djali dhe vajza e dajës, erdhëm nga Tirana 3 makina, por nuk na lejojnë kërkojnë tamponin. Na thanë po presim urdhër tjetër.

Ndërkohë që ne shqiptarët në kohën e luftës së Kosovës, i gjithë Kukësi u ngrit në këmbë erdhi në Morinë me pritur vëllezërit kosovarë, ne na ndalojnë. Kjo nuk duhet të ishte bërë nga Kosova, duhet të na lejonin sidomos për rast vdekje. Kufoma besoj se do të lejohet që  të kalojë nga këtu, pasi ka ardhur nga Franca" tha një qytetare.

"Nuk e di, populli nuk di gjë, nuk e di se cfarë bëjnë qeveritarët. Kosovarët hyjnë dhe dalin, ne jo, cfarë bëhet kështu. Shteti duhet të marrë masa. Kufoma vjen nga Franca do të kalojë nga këtu, po na lanë. Jemi në doganë prej orës 02:00 të natës".

Dje pas reagimeve të shumta u hoq taksa e dezinfektimit 22 euro për kamionët, por për qytetarët vijon që të jetë në fuqi tamponi, teksa kryeministri në detyrë Albin Kurti tha mbrëmë në Report Tv se karantina është hequr, por tamponi jo. Pra kusht për të kaluar në Kosovë është tamponi. 

"Ne e kemi mbyllur karantinimin në fundjavën që lamë pas. Ajo çfarë bëjmë ne është që qytetarët që vijnë në Kosovë i kërkojmë që të tregojnë lejë qëndrimi, i matim temperaturën  e tyre, marrim të dhënat dhe nëse kanë bërë testin 4 ditët e fundit kalojnë pa asnjë problem.

Po mundohemi të bëjmë edhe zbutje shtesë. Por nuk mund të sillemi në një situatë normale. Nuk duhet të lejojmë rikthimin e pandemisë", u shpreh Albin Kurti.