E di gjithë lagja, fshati apo dhe qyteti, se kush mban armë, se kush ka rekorde kriminale, se kush zihet me dyqanxhiun, me gjitonin, apo me atë që i bllokon parkimin pa dashje dhe e kërcënon me jetë, dhe nuk e di policia ? E di gjithë dynjaja, kush shet hashash në lagje, në rrugicat e qytetit, në shkolla dhe lolale, dhe nuk e di policia ?
Të gjithë e dinë, kush ka grupazh dhe bën vjedhje apo grabitje, dhe nuk e di policia ? Sepse kështu mund të mendosh, kur ndodh një vrasje (ë cila po ndodh shpesh kohët e fundit), dhe policia shkon në vendin e ngjarjes, dhe mbledh më tepër gëzhojat se provat. Kjo besohet kur policia e merr vesh e fundit se “viktima apo autori vrasjes, paskësh mbajtur armë me vehte apo në makinë”. Këto manovra dhe profka, bëheshin dikur, në kohën e Sali Berishës, nga një polici, e cila ishte kokë e këmbë e lidhur me grupimet kriminale. Por nuk mund ta pranoj për policinë e sotme, kur kanë efektivë të shkolluar, të sprovuar, të pergatitur, me pajisje dhe logjistikën e duhur për të parandaluar çdo lloj krimi.
Çfarë e pengon të bëjnë detyrën? Kjo gjë ha debat, dhe kërkon diskutime të gjata. Eshtë e vërtetë që, vitet dhe muajt e fundit, janë evidentuar, hetuar, arrestuar dhe dënuar dhjetra efektivë nga Policia e Shtetit, si të lidhur ngushtë me krimin dhe afera të pista. Sot kemi policë, shefa policie dhe drejtues policie, të cilët kanë rezultuar të lidhur me rrjetin e krimit të organizuar, duke vënë pasuri të madhe duke shfrytëzuar uniformën, postin dhe vendin e punës.
Fenomeni i molepsjes së uniformave blu me krimin, mbetet i përhapur sot në Policinë e Shtetit, pasi kanë rezultuar drejtues të lartë, si të lidhur prej vitesh me eksponentë të krimit të organizuar dhe jo vetëm. Vetëm 1 në 10 vrasje, rezulton se është parandaluar nga Policia e Shtetit.
Unoformat blu, gjenden në vendin e krimit gjithmonë kur “dasma ka mbaruar”, kur viktima është shtrirë në tokë, dhe autori ka ikur “në drejtimin e paditur”. Nuk e di, si dhe pse vitet e fundit, ka hyrë në fjalorin e Policisë Shtetit togfjalëshi “autori iku në drejtimin e paditur”. Si ka mundësi të shprehet policia kështu për kriminelin, kur ajo ndërkohë ka patur gjithë kohën e mjaftueshme të parandalojë aktin kriminal?
E thashë edhe pak më lart. Kur e di gjithë qyteti, apo dhe fshati, se kush mban armë, si nuk e ditka policia ? Ka ardhur koha të shkundet “9 ballë”, gjithë struktura policore. Ka ardhur koha të flaken dhe penalizohen të gjithë ata police dhe drejtues policie, që ditën mbajnë veshur uniformën, dhe natën darkojnë me kriminelët, të cilët u japin rroga të majme atyre për të mos i prekur.
Pothuajse çdo ditë ka ngjarje kriminale, ka aksidente, ka vrasje dhe plagosje. Diku 1, diku 2 të vrarë, diku plagosje, diku grabitje, diku dhunë dhe diku presione ndaj qytetarit, zyrtarit, gazetarit, fshatarit. Ku po vemi? Ata që sapo mbarojnë Shkollën e Policisë, dalin me formim të mire nga auditoret, dhe ‘”infektohen” sapo zbresin në terren, sapo emërohen në detyra dhe komisariate policie.
Kjo pasi, janë “lubitë e vjetër”, ata që u thonë “mos u ngatërro me X, mos u ngatërro me Y, sepse të zë belaja”. Ndaj dhe çalon puna në terren e uniformave blu, ndaj dhe qytetarët me të drejtë shprehen se “policia vjen gjithmonë pasi është bërë krimi, dhe ka ikur në drejtimin e paditur autori krimit”. Deri kur kështu, zullumi po trashet./Javanews
Komente







ke police qe hane fara kungulli ne makine dhe as pyesin se behen shkelje ne rruge dhe rrucica ke police qe jane lidhur me krimin, qe jane lidhur me lokalet e basteve e cfare policie don ti tur ajazi ?
Përgjigju