Një 21-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi u kap me një armë zjarri pistoletë dhe municion, ndërsa lëvizte si pasagjer në një motomjet në rrugën “Fitnete Rexha”. Në pranga ka rënë edhe drejtuesi i motomjetit, 31 vjeç, i akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sipas Policisë, operacioni i koduar “Road” u finalizua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4. Gjatë kontrollit ndaj 21-vjeçarit Erjon Hoxha, në çantën që mbante në sup u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë me municion, që dyshohet se mbahej pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, E. H. u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa E. N., 31 vjeç, drejtuesi i motomjetit, për “Moskallëzimin e krimit”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Road”. Qarkullonte i armatosur me pistoletë, si pasagjer në një motomjet, në rrugën “Fitnete Rexha”, vihet në pranga 21-vjeçari.
Në pranga edhe drejtuesi i motomjetit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë, finalizuan operacionin policor të koduar “Road”.
Gjatë operacionit, në rrugën “Fitnete Rexha”, u ndalua për kontroll një motomjet me të cilin lëviznin shtetasit E. N., 31 vjeç, drejtues dhe
E. H., 21 vjeç, pasagjer. Nga kontrolli i ushtruar ndaj shtetasit E. H., në çantën që mbante në sup, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë sëbashku me municion, të cilën dyshohet se e mbante pa leje.Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 21 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, si dhe i shtetasit E. N., 31 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"
Komente









