Gjirokastër- Policia e Shtetit së bashku me prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Gjirokastër, kanë nisur hetimet pikërisht në vendin ku forcat Speciale RENEA kanë ekzekutuar ekstremistin grek, Konstantinos Kaçifa.
Siç shihet edhe në fotot e siguruara nga Shqiptarja.com makina policie ndodhen në Bularat, ku po këqyret vendi i ngjarjes.

Hetuesit në vendin ku RENEA vrau ekstremistin grek
Ditën e sotme ishte planifikuar një ceremoni mortore për 35-vjeçarin Kaçifa, por që do të shtyhet pasi familjarët e tij kanë refuzuar të tërheqin trupin nga morgu. Ata kërkojnë që trupit t’i bëhet një ekspertizë e pavarur dhe pjesë e hetimeve të jetë edhe pala greke.
Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, dy ditë më parë, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protestë ditën e ngjarjes. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare. Por Report Tv, publikoi dje një video ekskluzive të momentit kur ushtari ekstremist qëlloi me breshëri mbi policinë shqiptare.
/b.ha./Shqiptarja.comKomente

