Shtatë persona kanë rënë në pranga të policisë në Laç të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike si dhe në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Këta persona dyshohet se shpërndanin kanabis në zona të ndryshme të qytetit të Laçit si dhe në afërsi të ambienteve të shkollave. Sakaq, gjatë operacionit u zbulua një lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin.
Personat e arrestuar janë: Kol Stojani, Fatjon Piscaku, Elson Piscaku, Bruno Dungaj, Xhulio Marku, Fatjon Fufi, Ermir Stojani.
“Lezhë / Finalizohet operacioni i koduar “Perimetri 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Arrestohen 7 shtetas. Sekuestrohen lëndë narkotike Cannabis Sativa, 6 automjete, celularë dhe 7 pajisje të ndryshme elektronike për lojëra fati.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike shpërndahej në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Perimetri 2”.
Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në qytetin e Laçit.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.
Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









