Një operacion për kapjen e një të shumëkërkuari në aksin Mamurras-Laç u shoqërua me të shtëna dhe plagosjen e një 23-vjeçari, pasi tentoi të përplaste me makinë efektivët e Operacionales, ndërsa personi që e shoqëronte iu drejtoi armën bluve.

I plagosur mbeti Leonard Dema, 23 vjeç, i lindur në Mamurras, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Sipas policisë, ndërhyrja u zhvillua pranë një karburanti, ku efektivët kishin lokalizuar të riun pas shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë. Në momentin e ndërhyrjes, 23-vjeçari Dema, që lëvizte me automjet me një 28-vjeçar, dyshohet se tentoi të çante kordonin policor duke rrezikuar jetën e efektivëve.

Policia thotë se 28-vjeçari që e shoqëronte, Amadeo Fufi, i biri i ish-deputetit demokrat Mhill Fufi, nxori armën dhe ua drejtoi efektivëve, çka detyroi shërbimet të reagonin në kushtet e vetëmbrojtjes për neutralizimin e tyre.

Gjatë operacionit u plagos në bark Leonard Dema, ndërsa djali i ish-deputetit arrestua në flagrancë. Gjatë kontrolleve, blutë sekuestruan edhe pistoletën që mbante i riu.

Hetimet për ngjarjen vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e prokurorisë.

Njoftimi:

Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.

Njëri prej tyre  ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.

Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.

Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.

Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.

Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.

Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.

Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë