Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të fotove dhe videos të Parisë Demokratike ku shikoheshin parcela të mbjella me kanabis në fshatin Gusmar të Tepelenës. Ajo e fton Partinë Demokratike të denoncojë rastet konkrete dhe jo të bëjë politikë. 

Policia e Shtetit në hyrje të deklaratës falenderon PD-në për jehohën që po i bën punës së saj dhe thekson se nuk janë të rralla rastet kur PD ka bërë politikë me punën e policisë.

‘’Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është një luftë e përditshme. Këtë e dëshmojnë rezultatet e arritura, të cilat nuk kanë asnjë referencë krahasimi me kohën e qeverisjes së PD’’, ka shkruar në deklaratën e saj Policia e Shtetit.

Policia është shprehur se lufta kundër kultivimit të kanabis nuk është e nuk mund të jetë provë e pretendimeve të PD, por vetëm provë e luftës që bën Policia e Shtetit ditë për ditë. 

Në fund të deklaratës së saj Policia e Shtetit ka ftuar Partinë Demokratike të denoncojë raste konkrete pranë autoriteteve të ligjit, e jo të bëjë politikë, aq më pak me vetë punën dhe rezultatet e policisë së shtetit në luftën kundër drogës.

Redaksia Online 
XH.K/shqiptarja.com