Mëngjesin e së shtunës, që prej orës 07:00 të mëngjesit, policia u shfaq në mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës.

Policia kërkoi mos futjen e gazetarëve në godinë dhe zbrazjen e saj.

Në këtë godinë aktualisht ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, ndërsa ende nuk ka një shpjegim zyrtar nga autoritetet se cili është qëllimi.

Vetë grupi mediatik e quan një sulm që ndodh ndaj fjalës së lirë, ndërsa thonë se kërkesa e autoriteteve është se godina duhet t’i kalojë kompanisë shtetërore “KAYO”.

Prej orës 07:36, sinjali i News24 u ndërpre dhe televizioni nuk është në transmetim.

Prej momentit të parë të njoftimit të aksionit të policisë, politika dhe drejtues të opozitës kanë reaguar ashpër dhe e quajnë një sulm ndaj medias dhe fjalës së lirë. Sulm të paprecedentë e quajnë edhe organizatat dhe shoqatat e medias.

Rrjeti ‘SafeJournalists Shqipëri’ shkruan se “ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksitë e tyre dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar. Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias”.

Më herët mes grupit mediatik dhe autoriteteve ka pasur një përplasje gjyqësore për mjediset me qira ku zhvillohet aktiviteti i këtyre mediave.

Lidhur me këtë ngjarje, ditën e sotme reagoi edhe Avokatura e Shtetit, duke sqaruar se televizionit i ka përfunduar kontrata për qiranë e kësaj godine prej 3 vitesh, më 22 maj 2022, dhe se në datë 25 korrik 2022 u njoftua të lironte ambientet, por kjo nuk ndodhi për shkak se kompania inicioi procese të tjera gjyqësore.

Ndërkohë që, përfundimisht me vendim të Apelit të Administratives që mban datën 14 korrik 2025, është konfirmuar detyrimi për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cënohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:25
MEKI: Vendimi i Apelit i kalon KAYO-s vetëm një godinë, tashmë pa kontrata qiraje! Burimet: Studiot e News24 nuk janë prekur

1754728218_policiateknews24.jpg

Ministria e Ekomonisë, Kulturës dhe Inovacionit deklaroi sot se kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 nga kompania “Fokus Media News”, i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a.

Pra janë dy kontrata të ndryshme, ku në të parën tashmë ka vendim të formës së prerë dhe nuk ka kontratë të firmosur, kurse për të dytën ka një kontratë deri më 2033, por që është një territor tjetër.

MEKI konfirmoi sot me një reagim zyrtar se ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

“Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke pasur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media News”, shprehet ministria ndër të tjera, duke ofruar transparencë për këdo dhe apeluar për publikim sa më të saktë të informacionit.

Bëhet me dije se edhe pasuria e dytë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë.

Për këtë pronë ekziston një tjetër kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha., me kohëzgjatje deri në 2033. Dhe nuk është kjo pasuri që po kalon në shoqërinë KAYO, por tjetra për të cilën ka vendim gjykate të formës së prerë.

Burimet sqarojnë se kjo godinë, për të cilën është lidhur kontrata e vitit 2013, është ajo ku ushtron aktivitetin kryesor News 24, ku ndodhen studiot, regjia dhe mjediset e gazetarëve. Pra sipas burimeve, aktiviteti televiziv mbetet i pacënuar nga vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Apelit, i cili lidhet veten me godinën e bllokuar sot dhe ku zhvillohet kryesisht aktiviteti administrativ i shoqërisë.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit:

"Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në vijim të interesit të lartë publik dhe për sqarimin e opinionit mbi pretendimet e paraqitura nga Shoqëria “Fokus Media News” lidhur me të ashtuquajturën vazhdimësi të kontratës së qirasë deri në vitin 2033, bën me dije sa vijon:

Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pronë ekziston një tjetër kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha. me kohëzgjatje deri në 2033.

Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke pasur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media News”.

Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

Çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta ose të lidhura, përfshirë referencat ndaj kontratave të tjera të qirasë, përveçse e pabazë është edhe një dizinformim nga ana e një media-je që duhet të tregojë të vërtetën. Asnjë interes material i pronarëve nuk e justifikon keqinformimin!

Pra janë dy gjëra e dy kontrata krejt të ndryshme dhe kjo e dyta nuk ka asnjë ndikim mbi vlefshmërinë, legjitimitetin apo ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë që detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pasurisë së kaluar nga Këshilli i Ministrave shoqërisë “KAYO” sh.a., për realizimin e objektit të saj të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rikonfirmon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, si dhe se pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme.

MEKI mbetet e hapur për çdo sqarim e informacion në interes të informimit korrekt të opinionit publik dhe të gjithë të interesuarve".

Ora 11:48
Rrethimi i News24, Avokatura e Shtetit: Televizionit i ka përfunduar kontrata e qirasë për godinën prej 3 vitesh! Apeli i Administratives ka dhënë vendim përfundimtar

Avokatura e Shtetit ka reaguar në lidhje me rrethimin e televizionit News24 me forca policore ditën e sotme, për të liruar ambientet e godinës ku qëndron ish-Uzinën e Autotraktorëve, në Shkozë të Tiranës.

Në reagimin publik, Avokatura e Shtetit bën me dije se televizionit i ka përfunduar kontrata për qiranë e kësaj godine prej 3 vitesh, më 22 maj 2022, dhe se në datë 25 korrik 2022 u njoftua të lironte ambientet, por kjo nuk ndodhi për shkak se kompania inicioi procese të tjera gjyqësore.

Ndërkohë që, përfundimisht me vendim të Apelit të Administratives që mban datën 14 korrik 2025, është konfirmuar detyrimi për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cënohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Deklarata e plotë e Avokaturës së Shtetit:

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media Neës”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.

Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cënohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike. Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike. Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive. Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës të cilat janë në zhvillim e sipër, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar në vendimet gjyqësore dhe lirimin e ambienteve të mbajtura pas përfundimit të kontratës.

Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.