TIRANE- Deputeti Sokol Olldashi, në momentin e aksidentin ka qënë duke drejtuar mjetin tip “Benz” me një dorë dhe pa rrip sigurimi. Me dorën tjetër mbante aparatin celular, me të cilin ishte duke komunikuar me shoferin e tij personal, të quajtur Blendi. Pikërisht në këtë moment, automjeti i Olldashit ka hyrë në kthesën e fortë dhe si pasojë deputeti i Partisë Demokratike nuk ka mundur të kontrollojë shpejtësinë e automjetit, i cili ka vijuar lëvizjen drejt, duke dalë nga korsia e rrugës dhe rënë 14 metra poshtë.Britmat e Olldashit janë dëgjuar nga shefi i tij, Blendi, i cili më pas ka njoftuar deputetin Igli Cara dhe sallën operative të policisë.

Sipas specialistëve të aksidenteve rrugore të cilët janë ngarkuar nga policia dhe prokuroria për përpilimin e aktit të ekspertimit të këtij rasti, mjeti ka bërë vetëm dy rrutullime dhe se ka pësuar dëmtime në pjesën e tavanit të kabinës dhe në pjesën anësore. I vetmi xham që është thyer ka qënë pjesa që siç njihet ndryshe “Baxha” e sipërme që ndodhet në tavanin e makinës. Pikërisht kjo pjesë ka qënë dhe shkaku që ka sjellë vdekjen në vend të të ndjerit Sokol Olldashi, pasi një pjesë e xhamit të baxhës, i ka hyrë në kokë dhe në pjesën e qafës. Ndërkohë gjatë ekspertizës së aksidentit është vërejtur se në segmentin rrugor mungonte sinjalistika rrugore.

Kontuzioni i trurit
Megjithëse përgjigjia përfundimtare e shkruar në letër nga specialistët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore ende nuk është administruar në dosjen e prokurorisë, hetuesit e çështjes kanë marrë përgjigjen jo me shkrim, se vdekja e Sokol Olldashit ka ardhur si pasojë e kontuzionit të trurit. Ekspertët kanë shpjeguar se goditja e fortë në xham dhe preja e damarëve të qafë, i ka hapur rrugën kontuzionit të trurit në terren të shokut të rëndë traumatic- hemoragjik. Kjo për pasojë ka sjellë dhe vdekjen e menjëhershme të deputetit të Partisë Demokratike. Ndërkohë që për sa i përket plagëve të tjera në trup, burime pranë prokurorisë së Tiranës thanë se nga ekzaminimi që tre ekspertët kanë kryer në prani edhe të prokurorit të çështjes, është konstatuar se nuk ka pasur asnjë shenjë plage, në trupin e të ndjerit Olldashi.

Makina pa difekt
Për të hedhur më tepër dritë rreth aksidentit të deputetit Olldashi, gjatë ditës së djeshme është kryer dhe ekspertiza auto-teknike e makinës tip Benz me targa AA 003 HN. Nga provat e kryera me këtë automjet ka rezultuar se sistemi i frenimit ka qënë i rregullt dhe se ska pasur asnjë difekt në sistemin e drejtimit të gomave të para. Ndërkohë që mjeti nuk ka pasur asnjë goditje nga para dhe nga prapa, duke hedhur poshtë dyshimet se mund të ishte nxjerë nga rruga nga ndonjë mjet tjetër.

Ngatëresa me 2 kufoma në morg
Një ngatëresë ka ndodhur në morgun e Tiranës, pas mbëritjes së trupit të pajetë të Sokol Olldashit.Shumë vetë, përfshirë këtu dhe prokurorin Blerim Tominaj kanë menduar se bëhej fjalë për dy të vdekur, pasi në morg kanë qënë dy kufoma. Por pas kësaj, drejtuesit e morgut kanë sqaruar se njëra kufomë kishte 3 ditë që qëndronte aty, pasi ishte e paidentifikuar dhe nuk ishte tërhequr nga të afërmit.

Postimi në “Facebook”
“Pashë pak lajmet. Makina përplas dy fëmijë në Tiranë, Makina del nga rruga në Shkodër, etj.etj. Personalisht nuk jam i prirur të fajësoj qeverinë për çdo aksident, por duke u rikthyer vetëm pak jave prapa në kujtesë, mendoj se qeveria e sotme na detyrohet një ndjesë. Nuk kishte ditë të mos dilte Saimir Tahiri të fajësonte qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme për çdo aksident që ndodhte. Ku është tani?! A e mendon njësoj se fajtorë për çdo aksident është qeveria??!!!”.

Rruga “Sokol Olldashi”
Autostrada Tiranë-Elbasan të marë emrin “Sokol Olldashi”. Ky ka qënë peticioni i shpërndara në të gjitha forumet online dhe rrjetet sociale. Një peticion elektronik është shpërndarë në internet, ku kërkohet sensibilizimi i njerëzve për ti kërkuar qeverisë që autostrada Tiranë-Elbasan të quhet “Sokol Olldashi”.
 
 
Prokuroria e Tiranës, nis hetimet për shkakun e aksidentin, që i mori jetën deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi. Sipas të dhënave paraprake, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe provave të siguruara nga policia, në momentin e përplasjes deputeti Olldashi ka qenë duke biseduar në telefon me shoferin e tij. Sipas prokurorisë, deputeti nuk ka arritur të kontrolloj timonin me një dorë, në momentin që I është afruar kthesës pranë zonës së “Lapidarit” në rrugën Elbasan-Tiranë. Moskontrolli I timonit, terreni I rrëshqitshëm dhe tejkalimi I shpejtësisë së lejuar, ka bërë që makina të dal nga rruga dhe të rrotullohet duke përfunduar rreth 15 metër në greminë. Sipas prokurorisë, I njderi Olldashi nuk kishte vënë rripin e sigurimit dhe air-bagët e makinës para nuk janë hapur.

Mësohet se shoferi i tij, ka dëgjuar të gjithë zhurmën e përplasjes së makinës dhe të bërtiturat e deputetit Olldashi pak sekonda para se të ndërroj jetë. Sipas mjekëve, nga përplasja e fortë dhe rrotullimi i makinës, deputeti Olldashi ka pësuar dëmtime të mëdha në kokë, çka I kanë sjell vdekjën e menjëhershme. Ka qenë shoferi I deputetit, ai që ka njoftuar sallën operative për aksidentin dhe është nisur drejt vendit të ngjarjes. Sipas prokurorisë, në vendngjarje pak minuta pas aksidentit ka shkuar edhe prokurori Blerim Tominaj, i cili me ndihmën e oficerëve të policisë ka kryer veprimet e para hetimore. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, prokurori Tominaj ka asistuar edhe pranë ekspertëve të Mjekësisë Ligjore në morgun e SPitalit për kryerjen e autopsisë së trupit të deputetit që pritet të publikohet në ditët në vazhdim. Ndërkohë, policia rrugore pritet të zbardh raportin akt-ekspertimit auto-teknik të makinës së deputetit. 
 
Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)