TIRANË - Ndërmjet Qendrës së Formimit Policor në Policinë e Shtetit dhe CEPOL, Kolegjit të Policive Europiane, sot u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi. Gjatë ceremonisë së rastit, të zhvilluar në ambientet e Qendrës së Formimit Policor të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, drejtori i Qendrës së Formimit Policor, Mërgim Hoxha, drejtori i Kolegjit Policor Europian, Ferenc Banfi, drejtori i Bordit të Kolegjit Policor Europian, Fitan Fanning, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, instruktorë të Qendrës së Formimit Policor etj.

BURGAJ: TË UNIFIKOHEMI PËR TË LUFTUAR KRIMIN


“Nënshkrimi i marrëveshjes do t’i japë mundësi Policisë së Shtetit për të përafruar shkollimin dhe trajnimin policor me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfituar nga pjesëmarrja në aktivitetet e shumëllojshme trajnuese të CEPOL”, tha në takim drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Ai ka bërë të ditur se CEPOL nuk është i panjohur në Shqipëri, pasi vitet e fundit, disa përfaqësues të organizatës policore të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në aktivitete të organizuara dhe të financuara nga CEPOL. Ai më tej evidentoi domosdoshmërinë e unifikimit të veprimtarisë policore, rajonale dhe më gjerë, për të luftuar krimin.

“Çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, është kuptuar tashmë, që është domosdoshmëri, që brenda policive kombëtare, rajonale dhe më gjerë, të ketë një unifikim të veprimtarisë policore me qëllimin e përbashkët të luftës kundër krimit, krimit të organizuar, trafiqeve dhe shërbimi më i mirë që bëhet në funksion të kësaj, detyra kryesore e policisë, është pikërisht shkollimi, trajnimi, dhe vetëm nga kjo presim produktet për të arritur suksesin e kërkuar”- tha Burgaj.

BANFI: NE ME SHQIPTARËT, JO THJESHT MËSUES-NXËNËS

Ndërkohë drejtori i Kolegjit Policor Europian, Banfi, gjatë fjalës së tij, duke iu referuar nënshkrimit të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, e cila i jep një dimension tjetër bashkëpunimit midis CEPOL dhe Qendrës së Formimit Policor, theksoi:

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje i hap derën jo vetëm bashkëpunimit Shqipëri-CEPOL, por për më tepër bashkëpunimit me 30 institucione kombëtare të arsimimit policor në të gjithë Europën. Ne e ndajmë partneritetin tonë bazuar në cilësi. Partnerët tanë do të bashkëpunojnë me ju, jo vetëm si mësues-nxënës, por gjithashtu do të mësojnë nga eksperienca juaj”.

Banfi, në mbyllje të fjalës së tij, duke folur për bashkëpunimin rajonal u shpreh: “Së fundi do doja të flisja për aspektin rajonal të bashkëpunimit tonë, në të cilin Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm, duke përmendur Konventën e Bashkëpunimit Policor, gjithashtu projektin SELEC”.

Redaksia Online
(ma.shqiptarja.com)