Administratorja e një lokali në Shëngjin është gjobitur me 200 mijë lekë të rinj, pasi Policia konstatoi se në subjektin që ajo administronte muzika ishte mbi nivelin e lejuar.
Kontrollet u kryen nga shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja”, pas ankesave të qytetarëve dhe në kuadër të monitorimit të ndotjes akustike në zonat turistike.
Sipas Policisë, gjatë verifikimeve me matës të zhurmës në disa ambiente të hapura dhe të mbyllura, u konstatua se një lokal në Shëngjin kishte tejkaluar kufirin e lejuar të zhurmës. Për këtë shkelje, administratorja e lokalit, me inicialet E. P., 37 vjeçe, u ndëshkua me masë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj.
Gjatë kontrolleve është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikën në ambientet e hapura, i cili sipas ligjit është nga ora 11:00 deri në 24:00.
Policia e Lezhës bën të ditur se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik për garantimin e qetësisë dhe rendit publik.









Komente
Komento