TIRANE, 12 nentor/ATSH/. - Kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me OSHEE në të gjithë vendin për indentifikimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe vjedhjes së energjisë elektrike.
Gjatë ditës së sotme kanë vepruar në terren 134 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE, në zbatim të një plani më të detajuar duke kryer kontrolle në zonë tek të gjithë abonentët biznes dhe familjarë.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 20 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike dhe shpërdorim detyre, si dhe janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë. Janë ndaluar 2 punonjës të OSHEE, me detyrë faturist, 1 faturiste në Elbasan dhe 1 faturist ne Mirditë. Janë kryer kontrolle të përbashkëta me OSHEE në 1.967 raste, nerkohe qe jane ndërprerë 930 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonenteve debitorë. Nga të arrestuarit, 14 prej tyre janë pronarë biznesesh. /a.ke/








