Pollo: Po zhduken CV nga websitet
qeveritare, po fshihen shkeljet

Pollo: Po zhduken CV nga websitet<br />qeveritare, po fshihen shkeljet
TIRANE- Deputeti i PD Genc Pollo duke i’u referuar çështjes së vërtetësisë të doktoraturës së Kryeinspektores Ejona Isufaj, ka hedhur akuza të forta mbi Kryeministrin Rama duke e konsideruar si personin që ju bë “mburojë falsifikatores donatore” . Gjithashtu deputeti Pollo ka folur për një virus se zhdukjes së CV-ve nga websitet qeveritare.
 
Në deklaratën e tij për mediat deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo ka aluduar se “mburoja” që i bën, sipas tij, Kryeministri Rama Kryeinspektores Isufaj nuk është për ndonjë detyrim personal ndaj saj por për të vendosur “digën e mbrojtjes edhe për anëtarë të qeverisë që mund të dalin me diploma fallco e probleme të ngjashme”. Gjithashtu në lidhje me këtë aspekt, deputeti Pollo ironizoi dhe mbi debatin e tij mediatik me zv. Ministrin e Arsimit Arbjan Mazniku, ku e akuzon këtë të fundit për fshehjen e CV-së nga websiti i Ministrisë duke e lidhur dhe me atë që quan si “virusi i zhdukjes se CV-ve”.
 
Në përfundim të deklaratës së tij Pollo, në cilësinë e ish Ministrit të Arsimit, mbi çështjen e mbylljes së universiteteve private, ka akuzuar Kryeministrin Rama për favoritizma dhe dopio standarde në trajtimin publik të çështjes.
 
Më poshtë deklarata e plotë për mediat e deputetit të Partisë Demokratike Genc Pollo.
 
“Ndërkohë që shpresonjësit e rralluar të Neorilindjes së xhenetit do të kishin dashur që një kryeinspektore, e cila çan përpara me diplomë fallco në dorë, të ishte shkarkuar nga qeveria që e emëroi aty, ndodhi ajo që tifozët nuk e dëshironin e kundërshtarët nuk e prisnin. Jo Ministria e Arsimit por vetë kryeministri, z.Rama i doli në krah. Nuk besoj se i ka detyrime personale asaj. Më shumë prirem të mendoj se zoti Rama me këtë gjest vendosi digën e mbrojtjes edhe për anëtarë të qeverisë që mund të dalin me diploma fallco e probleme të ngjashme. Pasi në Evropën ku duam të integrohemi, siç thotë shpesh z.Rama qeveritarët japin dorëheqje edhe për shkak të plagjiaturës në punimet e tyre.
 
Sa për zëvendësministrin pa CV, ju kujtohet apo jo që sapo plasi skandali i kryeinspektores donatore e falsifikatore, e hoqi me nxitim CV e tij nga websiti i ministrisë, do të thoja që virusi i zhdukjes se CV-ve po prek edhe website qeveritare të tjera.
 
Sa për reformat në arsim e akuzat ndaj meje qeveria e sotme do të dilte e nderuar po të bënte edhe 10% të ndryshimeve pozitive të asaj kohe, do të dilte e nderuar edhe vetëm po të konsolidonte atë që u arrit.
 
Sa për universitetet private le ti kthehemi shifrave të qeverisë:
 
Janë mbyllur nga qeveria 39% e universiteteve private, janë lejuar të vazhdojnë punën 61% syresh.
 
Në universitetet private të mbyllura ishin 40% e studentëve; në ato që vazhdojnë janë 60% e studentëve.
 
Ta zëmë për një çast se në rastet e universiteteve që u mbyllën nuk kishte probleme me kryeinspektoren, me inkompetencën, me partishmërinë, me favoritizmin, me ryshfetin e xhenetin. Megjithëse ministria ende mban të fshehur raportin me gjetjet e shkeljet individuale për çdo universitet.
 
Si e shpjegon qeveria e xhenem/xhenetit që shumicën e universiteteve private edhe i gjeti vetë në rregull edhe vazhdon ti quajë piramida?
 
Si e shpjegon qeveria e xhenem/xhenetit që shumicës së studentëve në universitetet private edhe u dha viston ligjore për të vazhduar normalisht edhe ua quan shkollën e diplomën piramidale?”, tha në fjalën e tij të plotë deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-Ministri i Arsimit Genc Pollo.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Indeksimi i pensioneve, të moshuarit për Report TV: Nuk është mjaftueshëm, s’na lehtëson! Ekspertja: Të ishte bërë që në pranverë

Indeksimi i pensioneve, të moshuarit për Report TV: Nuk është mjaftueshëm, s’na lehtëson! Ekspertja: Të ishte bërë që në pranverë