Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tërhoqi vëmendjen të martën jo vetëm për qëndrimet e tij ndaj nismës së Donald Trump për të rritur tarifat doganore ndaj vendeve që kundërshtojnë ambiciet e tij për Groenlandën, por edhe për një detaj të pazakontë: syzet e diellit model “Aviator” të cilat i kanë dhënë pamjen e një djaloshi modern e të vendosur por moskokëçarës në të njëjtën kohë. 

Gjatë një takimi me sipërmarrës francezë në Davos, Macron iu referua këngës së famshme ‘Eye of the Tiger’ kolona zanore e filmit Rocky III, duke iu thënë pjesëmarrësve: Ja ku e keni syrin e tigrit!  

Por prapa vendimit për të mbajtur këto syze ikonike qëndron një problem shëndetësor. Sipas burimeve mjekësore, bëhet fjalë për një hemorragji të syrit që ndodh kur çahet një enë gjaku, një problem që atij ju shfaq mbi një javë më parë. 

Javën e kaluar, Macron u shfaq në një aktivitet ushtarak në jug të Francës me një sy të skuqur, duke mbajtur syze të ngjashme.

Duke iu drejtuar trupave, ai kërkoi ndjesë për pamjen dhe me humor, Macron e përshkroi pamjen e tij duke iu referuar  këngës së famshme Eye of the Tiger.  “Për ata që e kuptojnë referencën, është një shenjë vendosmërie”, tha ai.

Mjeku dhe komentatori mediatik Jimmy Mohamed tha për televizionin francez RTL se zgjedhja e syzeve ishte më tepër estetike sesa mjekësore.

“Ai është figurë publike dhe nuk dëshiron të fotografohet në atë gjendje. Syzet mbrojnë imazhin e tij, jo syrin”, u shpreh ai.

Vendimi i Macron për të mbajtur syze ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa e kanë quajtur “kéké”, një term zhargon për dikë që kërkon vëmendje, ndërsa të tjerë kanë bërë shaka duke e krahasuar me një “cyborg” ose me aktorin Tom Cruise në filmin Top Gun.

Në të njëjtin fjalim, Macron paralajmëroi për rrezikun e një bote që rrëshqet drejt autokracisë, “pa rregulla dhe me shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, duke theksuar se përdorimi i tarifave si mjet presioni ndaj sovranitetit territorial përbën një kërcënim serioz.

Ai u ndal edhe te kërcënimet e Trump për tarifa 200% ndaj verës dhe shampanjës franceze, pas refuzimit të Francës për t’iu bashkuar nismës amerikane të Bordit të Paqes për Gazën.