Populli i dy marsit dhe votuesit e 25 prillit

Populli i dy marsit dhe votuesit e 25 prillit

Konflikti artificial që presidenti i republikës po ushqen përditë ndaj qeverisë dhe kryeministrit, ka kohë që ka nisur të tingëllojë i stisur, i sforcuar dhe i thatë në përmbajtjen e tij. Sa më shumë shtohen epitetet e sharjet ndaj Edi Ramës, në mesazhet publike të Ilir Metës, aq më tepër e gjitha kjo stuhi në gotë të ujit, ka formën e një lëvizjeje të qartë taktike nga ana e kreut të shtetit. Asgjë më tepër se kaq.

E thënë ndryshe, Ilir Meta ndjen se zgjedhjet e prillit të ardhshëm do të jenë atipike për partinë e tij. Ndjen se LSI mund të pësojë një rënie therëse në numra dhe përfaqësim. Do të ndodhë me gjasë kështu, sepse ndër të tjera reforma e sapovotuar elektorale i shkartisi me themel letrat në tryezë dhe ata që instinktivisht ndjehen më të rrezikuar janë LSI-stët. Por edhe për disa shkaqe të tjera jo më pak të rëndësishme.

Nga njëra anë paranojën e presidentit e ngacmojnë sondazhet, të cilat thonë që të gjitha së bashku një të vërtetë të hidhur për Metën: LSI nuk do t’i afrohet askund numrit të mandateve parlamentare që gëzonte pas zgjedhjeve të vitit 2017. Pritshmëritë janë që ky numër të pjesëtohet, e kjo e zbret partinë e presidentit në kuota aspak komode.

E lidhur me këtë faktor numerik (në fakt shkak themelor i tij), është trysnia në rritje që PS e PD do të ushtrojnë mbi thesin e madh të votave të 25 prillit, për të marrë maksimumin prej tij. Lufta milimetrike mes të dyjave presupozon përplasje për çdo votë të mundshme. Në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitet 2013 dhe 2017, LSI e shfrytëzoi me dinakëri depresionin e thellë të përfaqësimit ku zbriti partia e Lulzim Bashës. Me përkatësisht 170 mijë dhe 225 mijë vota në këto dy zgjedhje, LSI hyri thellë në terrenin e votave të PD, duke e kafshuar rëndë përfaqësimin parlamentar të demokratëve.

Kjo është një rrethanë të cilën Basha dhe të tijët do të përpiqen ta përmbysin me të gjitha  mënyrat në 25 prill. Meta dhe Kryemadhi e dinë se PD do të tentojë ta ndërtojë më së shumti ringritjen e saj numerike në Kuvend, duke rimarrë mbrapsht votuesit që e çuan përkohësisht LSI në kufijtë e mbi 220 mijë votave. E që janë vota kryesisht të rrjedhura nga thesi i PD, nëse marrim të mirëqenë faktin se mes PS e PD, për arsye ideologjike e historike, nuk ka shkëmbim të madh të ndërsjellë votash.

Duke ngritur zërin e duke marrë de facto stafetën e kreut të opozitës shqiptare, Ilir Meta po bën një operacion para-elektoral imazhi. Po tërheq vëmendjen e zgjedhësve me anë të akuzave, fjalorit sharës dhe gjuhës së ashpër ndaj qeverisë tetëvjeçare socialiste, pikërisht me shpresën se kjo egërsi e tij, do të tingëllojë mikluese për votuesin e mërzitur opozitar, përballë butësisë dhe stilit më të moderuar që Lulzim Basha përdor në daljet e tij të fundit publike.

Meta ka hyrë në mënyrë të vrazhdët në fushatën elektorale, megjithëse ajo ende s’ka nisur mirë. Shpërfillës total ndaj formatit të tij si President dhe kërcënues i hapur ndaj rregullave, protokollit dhe vetë sistemit, ai shfaqet herë me pisqollën e Avni Rustemit, e herë me bombat e dorës së Vojo Kushit, duke kërkuar të avancojë një fabul që as ai vetë nuk e di ku e çon. Dekoron masivisht persona, fise e mbiemra që shpreson t’i japin nesër votën në zgjedhje, qoftë edhe pjesërisht, shan, fyen e etiketon këdo që i del para, shfaqet kudo rrjetet sociale, vakitë, darkat apo ditëlindjet e kujt i del para, me idenë fikse të liderit që e mbush sheshin me një fishkëllimë. I ka mbetur në mendje dy marsi, kur ra në gjunjë para mijëra vetave që po bëheshin gati të mbylleshin në shtëpi nga pandemia.

Ka vetëm një problem të vogël në këtë paradigmë prej heroi vetmitar të Ilir Metës: ai populli i dy marsit ishte i marrë borxh nga një palë që vështirë se t’i jep më ndjekësit e saj, për të luajtur luftash me kryeministrin. Aq më pak t’i jep në 25 prill 2021, kur thuajse të gjithë ata që ngrinin dy gishtat lart në 2 mars te dera e Presidencës, kanë një tjetër projekt nga ai i Presidentit të Republikës. Aq më tepër kur janë hapur shumë edhe fjalët për një qeveri PD-PS pas asaj date…

 

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 10/10/2020 21:10

    Meta me 21 prill mer ate te Noc RROKUT

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 10/10/2020 12:41

    Megjith respektin per ty z.Skender,dua te ndajme sebashku nje sediment qe tashme dallohet qarte edhe nga mendja,syri dhe intelekti jo vetem i popullit por edhe i shume e shume militanteve te partive pozite-opozite se shou presidencial apo "nderhyrja e vrazhde e metes" sic thua tekstualisht,nuk eshte gje tjeter vetem marrveshje rama-meta per hallin e madh qe i ka zene:Si te shpetojne veten dhe pasurine e grabitur me dhune, vrasje,mashtrime gjate ketyre 30 vjetesh. Eshte arsyeja e vetme qe do ti mbaje te perbashkuar sot e mote,duke qene kryeminister e president apo te veshur me kostumin portokalli ne Reç. Eshte hall aq i madh ai qe i bashkon sa edhe pasardhesit e tyre do tju vije rende ti ngrene syte nga toka.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu