Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko mbërriti sot në Mariupol, ku rebelët po tentojnë që prej disa ditësh të pushtojnë këtë port strategjik në lindje të Ukrainës pavarësisht armëpushimit, theksoi një gazetar.

Presidenti, Petro Poroshenko njoftoi gjatë vizitës në Mariupol, ku rebelët prorusë po përballen me ushtrinë që prej disa ditësh pavarësisht armëpushimit, lirimin e 1 200 personave të kapur nga rebelët.

"Që prej fillimit të armëpushimit me rebelët të premten në mbrëmje, ne kemi arritur të lirojmë 1 200 nga të burgosurit tanë", deklaroi presidenti ukrainas, cituar nga agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine, pa dhënë detaje nëse bëhej fjalë për një shkëmbim të të burgosurve me rebelët parashikuar në marrëveshjen e arritur në Minsk.

Presidenti ka shkruar në rrjetin social Twitter, pas mbërritjes së tij, se rebelët prorusë kishin filluar të qëllonin kundër pikave të kontrollit në periferi të Mariupolit. "Ata menduan se do të më trembnin. Por askush nuk ka frikë nga ata", shkruan ai.

"Këtu është toka jonë ukrainase, ne nuk do t'ia japim askujt", shkruan ai në rrjetin social Twitter. I veshur me uniformë ushtarake, Poroshenko këndoi himnin kombëtar ukrainas pas mbërritjes në Mariupol, qytet në lindje të vendit dhe nën kontrollin ukrainas./ATSH/