Portofoli i qirasë financiare të sektorit bankar është rritur më tej gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e kontratave të qirasë financiare në fund të tremujorit të tretë 2025 arriti në 10.9 miliardë lekë, në rritje me 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat tregojnë se rritja e qirasë financiare është ngadalësuar krahasuar me ritmet e vitit 2024, por ngelet në nivele rritjeje dyshifrore, të ngjashme me rritjen e kredisë.

Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve. Megjithatë, financimi me qira financiare përdoret edhe në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve, si edhe në raste të rralla për financimin e pasurive të paluajtshme. 

Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë. Produkti parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit apo pajisjes së financuar, që në varësi të kushteve që ofron secili institucion financiar, por mund mund të fillojë nga 10%, deri në 30% të vlerës. Pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë.

Tregu i qirasë financiare, ashtu si ai i kredisë, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Një nga aktivitetet ku qiraja ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët.

Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të po shënojnë një rritje të shpejtë dhe kjo rritje po i jep efektet e veta anësore edhe në sektorët financiarë të lidhur me të. Turizmi gjithashtu ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike. Blerja e tyre përbën gjithashtu një segment të rëndësishëm të kërkesës për financime me qira financiare.

Efekti i tërthortë i turizmit shtrihet edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment tjetër në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore, ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përveç bankave tregtare, në tregun e qirasë financiare ushtrojnë aktivitet 10 institucione financiare jobanka të licencuara për këtë produkt. Deri në fund të vitit 2024, portofoli i qirasë financiare të dhënë nga institucionet financiare jobanka kishte vlerën e 12.5 miliardë lekëve. Së bashku me portofolin e bankave tregtare, i gjithë tregu i produktit në fund të 2024 llogaritej në afërsisht 22.5 miliardë lekë./Monitor