Portret Ditëlindja/ Fan
Noli, bariu i popullit

Portret Ditëlindja/ Fan<br />Noli, bariu i popullit
E mërtisun por jo e harrueme, fëtyra e Fan Nolit po merr në kohën tonë, mbas sa vjet heshtje' së pameritueme, shkëlqimin e saj të denjë. Ngjet me tê, afërsisht, si me ndonji shtatore, kryevepër arti të lashtë, qi mbet e ndryeme më nji skaj t'errët për vjet a shekuj, e mshehun, gati e panjohun nën pluhnin e kohnavet qi grumbullohet mbi trajtat e saja, tue ja veshë, tue ja mashtrue.

Por arti i madh asht i pavdekshëm. E vjen nji ditë qi nji dorë e dashun dlirë shtatoren nga pluhni e dheu; e nga errsina ku kish humbun e qet në dritë të diellit. Ç'pamje e mallëngjyeshme atëherë! Shkëlqen mermeri ma i bukur, ma krenar. Koha nuk e ka prishë: përkundrazi, e ka hijeshue ma tepër, i ka shtue fisnikí e hír. Pse vetëm gjanat qi i qindrojnë kohës janë fisnike, të denja për adhurim. E lavdija ma e sigurtë asht ajo ma e vonshmja.

Si të gjithë të mëdhejt tanë, edhe Noli i kalon caqet e letrarit të thjeshtë, tue u-shtrí në nji personalitet politik-fetar ma të gjanë. Asht nji përfaqsues i kombit, në kuptimin e plotë të fjalës. Vehtje të tilla nuk mund të çmohen pra  vetëm për artin e tyne. Me  e ndá jetën prej artit të tyne asht nji punë e padrejtë: rrezikohet kështu me u-falsue gjithë personaliteti i tyne.

Letërsija e jonë e Rilindjes i gjason nji trolli t'ashpër, të punuem ngutshëm me shumë mundime, e të mbjellun jo me lule por me pemë. Në se edhe lule kanë dalë, këto janë zakonisht lulet e vetë pemvet, përpara se me lidhë kokrrat. Ndër vende me traditë arti, asht e drejtë qi lulja të çmohet vetëm si bukurí, si aromë: arti asht shprehje e aq. Por ndër né, duhet të çmohet edhe toka ku ajo lule ka rrâjën, bashkë me lulen gjithë trupi i saj deri ndër rrâjë. Dhe këto rrâjë, kur i ndjekim, na  çojnë gjithherë në nji elementaritet primitiv të dheshëm e të nëndheshëm qi na quejmë, me nji fjalë, atdhé: rrâjë qi te disa janë politike e fetare (Naimi, Noli, Fishta) e te disa tjerë vetëm politike (Konica, Gurakuqi).

 Jeta e Nolit na intereson pra po aq sa arti i tij. Noli, ma shum ndoshta se çdo shkrimtar tjetër i yni, e bani letërsín me qellime praktike: për me edukue popullin, tue ndezë ndjenjën kombtare, tue afrue zemrat me fjalën e butë të fés, tue zgjue dashunín humanitare. "Arti për art" mund t'ishte "credo-ja" e nji Konice. Formula e Nolit qe gjithmonë: "Arti për edukatë".

 I sjellun kështu prej natyre kah ana praktike e jetës, aj u-hodh në lamshin e përpjekjevet me guximin e pionerit e të luftarit. Poezija e tij kaloi ndonjiherë më nji plan të dytë, para interesavet politike ma të ngutëshme. Dijmë se ajo nuk heshti kurr. "Rubaitë", veprën e tij artistike ma të përsosun, aj e mbaroi kur ishte kryeministër! Por këtu, ndërkaq, asht e nevojshme me thanë disa fjalë mbi shtresën psikologjike të njeriut: me njoftë tokën e ambientin ku u-zhvillue jeta e tij, me njoftë jetën e tij ku lulzoi poezija, për me kuptue ma mirë kët poezí.

Për me mujtë me folë mbi njeriun,duhet me dijtë historinë e jetës së tij. Na ktê nuk e dijmë mirë. Njofim shkrimet e tija - jo të gjitha - dhe ndër kto shkrime, veprat ma fort letrare. Do t'ishte shum e randsishme në kët rasë njoftja e asaj vepre dokumentare, "Jeta ime në Shqipëri", që Noli - si na thonë1- paska botue në Boston më 1931.
    

Me gjithkëtê, mund të përvijoset nji përshkrim i Nolit, tue u-bazue mbi ligjëratat e tija. Nji libër i rí i dalun ndër kto ditë,2 ku janë përmbledhë disa nga ligjëratat e tija ma shprehimtare, na e jep kët mundësi. Kto ligjërata, qi ndiqen në nji varg të gjatë motesh (1907-1924), janë  dishmina të randsishme të jetës së Nolit. Nji ligjëratë ka nji vlerë dokumentare psikologjike të madhe pse asht shprehja besnike e nji ndjenje a nji mendimi në nji kohë të caktueme.

Vlera e saj në kët pikpamje bahet thuejse absolute kur ligjërata nuk asht e përgatitun qysh ma parë, por e burueme aty për aty nën frymëzimin e çastit. Të këtilla janë të shumtat e ligjëratavet të Nolit. Sigurisht, jo të gjitha shprehjet e nji ligjërate do të merren dishmina të padyshueshme: dihet se në ligjëratë elementi retorik ka randsí kryesore.

Historiani i aftë do të çmojë pra veçanrisht pjesën emotive, dhe do të mundohet të kapi ato fije themelore mbi të cilat endet mandej petku i ligjëratës; do të çmojë mirë kontigjencat dhe nuk do të ngutet me përgjithsue i bazuem mbi nji shprehje të veçantë. Ligjërata e mbrame e librit asht ajo e mbajtun në Lidhjen e Kombevet në 1924, plot njizet vjet ma parë; dhe mbi jetën e ktyne  njizet vjetvet të mërgimit të Nolit na dijmë tepër pak. Asht edhe kjo nji mungesë për t'u-shënue. Por kjo copë jete e Nolit asht relativisht ma e qetë e ma e njitrajtëshme; dhe gjykimi mund t'epet gjithnji, kur mendohet se më 1924 Noli ishte dyzetekatër vjeç, pra në nji moshë në të cilën personaliteti i njeriut asht i trajtuem.

 Në prodhimin letrar të shumanshëm të Nolit ligjëratat e tija përbajnë nji kapitull në vehte. Mjeshtrija e rrallë foltare e Nolit asht botnisht e njoftun, dhe jo vetëm prej nesh Shqiptarëvet. E shumta e ktyne fjalimeve i drejtohen popullit drejt për së drejti, nga froni i kishës ose nga balkoni i nji ndërtese; disa tjera fliten para përfaqsuesavet të popullit në Parlament; ndonji edhe para përfaqsuesavet të gjithë popujvet, si ajo në Lidhjen e Kombevet. Edhe atëherë kur flet në nji mënyrë të studjueme, ma  erudite e ma të stolisun, Noli ka parasyshë gjithherë të mirën e popullit. Tribun i popullit gjithmonë. Tribun në kuptimin latin të fjalës, trashigimtar i idealit të Grakvet. Por edhe prift, trashigimtar i idealit të bijvet të Levit: barí i popullit.

 Karakteristikë e të gjitha këtyne fjalimevet asht aj ideal kombtar e humanitar i Nolit, dyfish apostull. Apostullati i tij zhvillohet rreth ktyne idealeve: atdhé e njerëzim. Ma parë atdheu: "Shqipërija kërkon luftarë, le të rendim te thirrja e saj: Le të sulemi nënë flamurin e kuq në flagë të luftës që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i Lirisë dhe le të vdesim dyke thirrur: Rroftë Shqipëria!".1 Kështu foli aj më 1911, kur nuk kishte endè Shqipní por kishte shqiptarë. Ma vonë, si u-bâ Shqipnija, në Lidhjen e Kombevet ku aj mori pjesë si përfaqsues i shtetit, foli përsërí. Dhe kët herë fjala e tij qe ajo e humanitarit qi shef lumnín njerzore te paqa ku lulzon arti e përhapet kultura, në nji rend shoqnuer ma të drejtë ku çdo komb ka garancín e vet. "Po paqia nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a von në shportë.

Paqia do të vijë nga shkollat. Duhet t'u mësojmë fëmijve që vrasja toptan është po ashtu një gjë kriminele sa edhe vrasja e veçantë. Duhet t'u mësojmë se perënditë tona të bajrakeve janë burimi i gjithë të këqijavet, të cilat, shekuj me radhë, po e mundojnë njerëzinë. Duhet t'u mësojmë se s'ka veç një Perëndi të vërtetë, që duhet t'i sherbejmë: Perëndia e njerëzisë, Perëndia e të gjitha tribuve." Ndër kohnat e turbullta qi jetojmë, kur bota po mësohet me ngranë bukën e përditshme të ngjyeme me gjak, a të zanun në fyt me fantazmën e tij, fjala e këtij Bariu, tingllon sot mbas aq kohe këshill i urtë, qortim krenar; e na ep zemër me besue ndër idealet edukative-morale drejt të cilavet kan synue gjithmonë gjatë ngritjes njerzore ma të mirët e ma të ndritunit.

 Njeriu njifet prej idevet e prej ndjenjavet të tija, dhe këto nuk mungojnë ndër ligjëratat e Nolit, të shprehuna rreth disa problemevet njerzore ma të randsishme, si feja, kombi, qeverimi politik, njerëzimi.

 Mbi fén, në një ligjëratë të 1911-ës, Noli shprehet me intuitë të rrallë psikologu turmash. Feja për Shqiptarët ("katër fé të ndryshme që s'kanë zënë rrënjë në zëmrën e një populli pagan") ka qënë gjithmonë shkak përçamjeje: propaganda e huej antikombtare këtu ka gjetë fushën e vet të përshtatshme. Atëherë me e zhdukë, vendosën disa prej idealistavet Shqiptarë të Rilindjes! Me zhdukë fetë e ndryshme tue i zevendsue me nji të vetme: shqiptarizmën. Mos me u-betue ma për Krisht e Muhamet por për Shqipní! Por ky Zot i rí, Shqipnija, ishte i panjohun prej popullit të padijtun: si mund t'i besonte populli nji Perendije të panjohun, ashtu përnjiherë, tue rrëzue Perëndín e zakonshëm qi kish zanë rrâjë në shpirtin e tij prej shekujsh? Kjo përpjekje shkaktoi, në vend të shërimit, nji plagë të ré: emni "shqiptar" u bâ synonim i njeriut pa fé, qi ka vrá Zotin. As orvatjet e disa tjervet - mendje ma filozofike qi kuptojshin se populli duhet të ketë medoemos nji  fé - për me përhapë trajta fésh ma tolerante në gjinin e vetë fés, nuk dhanë përfundim ma të mirë. Populli nuk kuptonte pse njeriu duhej të bante kaq ndryshime për me qenë "shqiptar".

Populli nuk duron qi t'i preken format e besimevet, cilatdo qofshin. Aj asht konservator prej natyre, dyshon mbi çdo gjâ të ré qi orvatet të ndryshojë sadopak traditën. Vetëm koha, n'evolucjonin e saj të natyrshëm, ndryshon mendësín e njerzve: koha, jo revolucjoni, mësimi i durueshëm e i butë, jo violenca. I urtë e i dijtun, Noli i ka kuptue kto gjana. Dhe ka kuptue edhe se feja e kombësija nuk janë dy idé qi përjashtojnë njena tjetrën: mjaft qi e para t'i përshtatet së dytës. Feja përfshihet kshtu te Kombi, si nji rreth ma i vogël në nji ma të madh. Tri fé ka Shqipnija: tre rrathë të dalluem, seicili i kufizuem në cirkonferencën e vet. Por që të tre këta rrathë gjinden në nji rreth ma të madh: n'atdheun shqiptar qi i përmbledh, dhe jo ma si rrathë të dalluem, por si tri unaza të lidhuna bashkë me nji nye trefish, të pakëputshëm, në mes.

"U muar vesh më së fundi se mjerimi ynë s'ish aqe ne ndryshimin fetar, sa nër krerët fetarë të huaj dhe nër meshëtarët Shqipëtar që vepëronin si vegëla të tyre të verbëra". Fjalë të qarta qi nuk kanë nevojë për koment. Bashkimi do të vijë vetvetiu kur Shqiptarët, krishtenë e muhamedanë, mbas mësimit të krenëvet fetarë të ndershëm e t'urtë, do t'a ndijnë vehten vëllezën. Për hír të fés nuk ndrrohet kombësija: "... njeriu mund të ketë cilëndo fé që e ka gjetur prej stërgjyshëve dhe i pëlqen, po s'munt të zgjedhë një tjatër kombësí dhe t'a luftojë të tinë, pa vënë ndër ballë një vulë të madhe prej "tradhëtari".”

Nga fjalët e sipërme (ku feja e kombi duken në nji mardhanje thuejse të ngjashme me atë mes formës e landës), kuptohet se feja për Nolin ishte funksjon i kombësís. Sqarohet tash vetvetiu shërbimi fetar i tij. Noli u-bâ prift pse ashtu e donte dobija e atdheut. E rrëfen aj vetë ndër disa radhë ma poshtë, kur thotë se mori përsipër nji barrë aq të randë, me qëllim qi të "ndriçonte" nji milion e mâ orthodoksë. Dobín e atdheut aj e shifte te drita e kulturës. Humanist i vërtetë. Historija njef shum shembuj njerzish qi u-banë barij e doktora teologjije nën frymzimin e verbit hyjnuer, të përvluem nga dashunija mystike. Por njef pak njerëz qi veshën petkun e klerit për me i shërbye shdrejtazi edhe idealevet t'artit e të shkencës. Aj qi e njofti ma mirë se kushdo, Faik Konica, dha mbi tê gjykimin ma të prehtë kur e krahazoi me prelatët e Rilindjes italjane.

Pat thanë nji herë tue folë mbi anarkín patriotike, kur bante diagnozën e lëngatës së vazhdueshme të këtij vendi të vuejtun: "Këtu brënda në një ditë si me magji tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar". Asht e qartë se rrotullime të këtilla ngjasin vetëm ndër vendet qi nuk janë endè të ndritun si duhet. Kur lshon, më 1911, shqiptarvet t'Amerikës kushtrimin për luftë, për me i ndihmue atdhetarëvet qi kishin marrë pushkën për lirí kundra pushtuesit turk - nji nga ligjëratat e tija ma të bukura, plot sulm e flakë baroti, jehonë filippike - aj nuk len pa përmendë plagën e plagëvet, amën e gjithë të tjeravet: ignorancën, mungesën e kulturës, mungesën e "fundit moral", si e quen aj në kët rasë: "Cili është morali i një kombi? Cila është ajo gjë e cila e bën një komb të rrojë? Ideja e madhështisë së tij, ideja e superioritetit të tij përmbi kombet e tjerë". Por na - vijon Noli - nuk njofim historín, traditat tona, për me pasë nji ndjenjë të fortë kombësije. Nuk kemi lirí mësimi, nuk kemi shkolla. Nuk dijmë mirë gjuhën. Deri vetë emni i Skanderbeut ishte i panjoftun për nè, para disa kohe. Amerikanët kremtojnë fitoren e Ëashington-it e të Bunker Hill-it. Por fitoret e Isa Boletinit e të Mirash Lucës nuk janë ma pak të vogla. Veç nuk njifen. Nuk njifen pse nuk ka pasë historian qi t'i shpallte, poet qi t'i këndonte: shqiptarë qi t'i lexojshin.

Kjo mendësí e tij ndriçuese, tipikisht humaniste, çfaqet kudo. Në Korçë, në 1923, i flet popullit drejt për së drejti mbi mënyrën e qeverimit. Fjalët e tija janë tash të paqta, pa motive retorike, fjalë të nji bisede miqsore, të matuna e t'arsyeshme: "Kam ardhun për herën e dytë në qytetin t'uaj të bukur me gëzim të math që të këmbejmë mendimet mi çështjen e Kuvendit Themeltar. Kam ardhur të shoh miqt e vjetër e të përpiqem të fitonj miq të rinj, po këtë herë jo me bekime në të cilat populli përgjigjet "amen", po me proponime dhe mendime të cilat do t'ju ftonj t'i peshoni, t'i pëlqeni e t'i vazhdoni". Fjalë njeriu të ndershëm qi nuk don të përfitojë nga petku i tij për me tërhjekë turmat: flet politikani, heshtë kishtari - feja qi bahet vegël e politikës humbë dinjitetin e vet. Nji shtet, thotë në mes tjerash Noli, nuk ka vetëm anmiq të jashtëm por ka dhe anmiq të mbrendshëm qi janë po aq të rrezikshëm sa të parët. Lirija e fitueme me gjak nga pushtusat mund të trathtohet nga nji sistem qeverimi: nuk ka lirí ku nuk ka të drejtë fjale. "Lirija mprohet nga shkelësit e huaj me trimërín e pushkës, nga shkelësit e brëndshëm me trimërín e shpirtit: me kurajën civile e cila është më e lartër se e para". Shprehje lapidare, sa e thellë aq e bukur. Noli asht në politikë sikurse në  fé, kundër fanatizmit, kundër demagogjís, liberal e tolerant: "Tërë mjeshtëria e politikës është të digjosh mejtimet e të  gjithë palëve me durim e gjakftohtësí, të perqasësh e t'i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes". Politikë humanisti ajmè! tepër morale për me pasë sukses në kët farë bote! Politika ka qenë e do të jetë gjithmonë makiaveliste. I drejti nuk ka qenë kurr politikan i mirë. Ndoshta Fan Noli merrte vehten si shembull për së tepërmi kur flitte ato fjalë?

[gallery]20460[/gallery]
Mbas humanistit humanitari.
Kush foli se idealet vdesin bashkë me njerëz?
    
"I mundur? Bah! I vdekur? Kush e tha! Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zëmra njerëzore në botë. Ah, prehu o shpirt i martirizuar. Lufta jote s'ka qënë e kotë. Se atje ku ka vare si yti, atje ka jetë dhe ngjallje".

Kështu foli mirnjohja e Shqiptarit, nepër gojë të Nolit, me rasën e vdekjes së Ëilsonit, burrit t'Amerikës qi ndaloi coptimin e mapërtejshëm të Shqipnis në konferencën e paqës në Versailles. "Madhështia e tij morale duhet pikërisht në mprojtjen e të drejtave të kombësive të vogla". "Regere parvos". Fjalë ma të mdhaja e, njiherit, ma të mallëngjyeshme se këto, rrallë herë janë shqiptue mbi vorrin e nji idealisti. "Qysh t'a qajmë e t'a vajtojmë këtë kalorës pa frikë e pa njollë, "chevalier sans peur ni reproche"!

U eklipsua Dielli i të vegjëlve dhe i të mjerëve. U rrëzua përdhe dushku i math mbi degët e të cilit kishin ndërtuar foletë e tyre ëndërronjësit idealistë, dhe nga ky rrëzim oshëtin me rënkim pylli i errët i dheut, dhe u shduk vizioni i një bote më të mirë dhe më njerzore. Po zëmrat përpjetë! "Sursum corda"! Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Ëilson-in ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë mi squtin e tyre kryefjalën e Virgjilit: "Regere parvos, debellare superbos", kalorës të cilët të mprojnë të vegjëlit dhe të përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit e mirëdashjes nërkombëtare".

 Por idealistat nuk kanë fat në jetë. Në finalen e ligjëratës qi tingllon si hymn për Lidhjen e Kombevet, kthen hovi i dëshirës humanitare të  Nolit, këthen fëtyra e Ëilson-it, ati i saj shpirtnuer. Por Amerika nuk e ndoqi Ëilson-in. Dhe e dimë se ç'fat pati ajo krijesë e pacifizmit tepër optimist qi qe Lidhja e Kombevet. E dinte dhe aj vetë qi e pat quejtun andërr, utopi.  Jo. "... Paqia nuk do të vijë prej traktateve, këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë..."Tepër ka vuejtë aj e ka pá tjerët tue vuejtë për me besue se e keqja mund të shërohet me shkrime mbi letra. E me gjithktê ndigjoni: "Edhe sikur Shoqëria e Kombeve të jetë një ëndër, një utopi që i bën skeptikët të buzëqeshin dhe të shtrëmbërojnë buzët, kjo duhet të qindrojë atje si një ideal që interpreton dëshirat më fisnike të njerëzisë, kjo duhet të qëndrojë atje si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Kjo duhet të qëndrojë atje si një vërtetim solemn i dëshirës së përbotshme për paqe; kjo duhet të qëndrojë atje gjer sa bukurija e saj, fisnikërija e saj, shpirita njerëzore e saj, nevoja e domosdoshme e qënies së saj të kuptohen nga gjithë bota". Këtu Noli flet me frymëzim poezije - të gjithë idealistët janë në nji farë mënyre poetë. E aj ishte poet, pamvarësisht nga idealizmi i vet praktik.

Asht vështirë me ndeshë nji njeri qi të jetë kaq i plotë e harmonik sa Noli. Kuptime zakonisht kundërshtare, libra e apostullat, shkencë e fé, poezí e politikë, me nji fjalë dy polet e jetës, teorikë e praktikë, gjinden te aj të rendueme në nji mënyrë të admirueshme. Realist idealist. A por ndoshta ma drejtë: idealist realist.

Pse edhe aj, si gjithë idealistët, nuk ka pasë fat në jetë veç për nji kohë të shkurtë, sa me shkaktue vuejtjen e gjithë jetës së mavonshme. Kshtu qenka jeta: nji grimë lumní krijon shumë idhnime, për pak dashuní ma shumë urrejtje. Kjo i ndodhi Nolit. Mbas ngritjes  triumfale, rrëzimi i përnjihershëm, mbas mirnjohjes e nderimeve, shpifjet e shamjet, mbas lavdís, mërgimi, me të gjitha idhnimet e tija, tue mos përjashtue edhe vështirsitë ekonomike.

Sot aj jeton n'Amerikë, plak e i vorfën, i shtruem fatit të vet. Nuk asht ankue kurr gjatë jetës së vet plot brenga. Puna i ka dhanë ngushllim e paqë. Nji tjetër në vend të tij do t'ishte dishprue, do t'ishte zhdukë ka herë nga faqja e historís. Por aj asht prej fisit t'atyne të rrallëvet qi sa ma shum vuejnë aq ma tepër gjallojnë: vdesin në kambë. Na thonë se atje në mërgim ka shkrue libra të reja, shqipnime kryeveprash botnore, të caktueme për me ndritë mendjen e këtij populli qi aq keq e ka shpërblye. Ashtu si kishte shkrue kur ishte i rí. Ndrrojnë kohnat, nuk ndrron Noli.

Dikur punoi në mes të nxitjevet e të simpatis së përgjithshme, sot punon në heshtje. Kalojnë fama e harresa, brohoritjet e vetmija, kalojnë të gjitha: vepra, ajo mbetë. Mendjen a vullnetin,  kulturën a karakterin, guximin a shpirtin e flîjes, durimin stoik a buzqeshjen kajamiane, nuk  dijmë çka t'admirojmë ma parë te ky njerí. Tash së voni, fenomen proteik, na del edhe muzikant. E nderon bota e huej kur na e kemi harrue. Amerika i jep diploma për meritë në letërsí angleze dhe në historí europiane.

Konservatorium-i i Bostonit e ban "bachelor of Music"1. Lohet n'orkestër "Simfonija Bizantine" e tij dhe me kët rasë Konica shkruen:"... është më tepër se për t'uruar: është për t'u habitur guximi i njeriut dhe zotësia e artistit kur merret në sy koha e vonuar që hyri në këtë jetë mendore të ré".2

 Me dy fjalë Konica e ka përcaktue shum bukur Nolin, kur e ka quejtë "fëtyrë historike". Dhe ma gjatë: "Lesh-zí, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe t'a kthejë me uzurë, mëndje-hapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, At Noli, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishëtarët e Përlindjes  italiane". Asnji nuk mund t'a njifte e t'a çmonte ma mirë se Faiku. Sikurse asnji nuk mund t'a njifte e t'a çmonte Faikun ma mirë se Noli. Në nji "mprojtje" qi i ban në Parlament shokut të vjetër, Noli kështu flet mbi tê: "Korrim drithën qi ka mbjellë Faiku." "Faiku është kryelëronjësi i gjuhës s'onë, është zbulonjësi i flamurit t'onë të harruar - i atij flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë - është kryekalorësi i lirisë dhe i independencës kombtare, dhe ne të gjithë s'jemi veç dishepujt e tij".


 Në 1924  Fan Noli u-bâ kryeministër. Konica, ndërsa gjykonte kabinetin e tij si "më të mirin që munt të bëhej", çfaqte qysh atëherë dyshimet e veta mbi suksesin e tij. Faiku e njifte mirë ambientin e ndryshkun të politikanvet t'atëhershëm. Njifte edhe Nolin, mendësín e tij të çelun, zemrën e tij të bardhë. Parashikimet e tija u-vërtetuen. Mbas gjasht muej qeverimi Noli ikte nga Shqipnija, dhe shkonte prap në mërgim. N'Amerikë u-takue me Faikun, por miqsija e tyne nuk qe e gjatë. Drejtimet e tyne politike u-ndanë definitivisht kur Faiku pranoi të mbështesi Monarkín. Noli, përkundrazi, mbeti aj qi ishte: antar i demokratís, kundërshtar i Zogut. Dhe kështu, dy shokët e vjetër, përfaqsuesat ma të naltë të Shqiptarvet, u-banë kundërshtarë. Por të mëdhejt, janë lealë edhe kur janë kundërshtarë. Dhe ktu asht vendi me shënue ato qi shkroi Faiku, shumë vjetë ma vonë mbi shokun e tij: "Fan Noli, thom, s'ka ndruar shumë. Heronjt e Homerit çkëmbejin fjalë t'ashpëra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s'jemi si ata heronj, m'u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam lëftuar aqë shumë kohë si shok, edhe pakë kohë si kundërshtar".1 Fjalë fisnike që nderojnë atê të cilit i drejtohen jo ma pak se atê qi i thotë. Kta dy njerëz, në duert e të cilëve ka qenë fati i Shqipnís për sa kohë, i japin dorën njeni tjetrit, kundërshtarë, po, në politikë, por shokë prap si gjithmonë n'atê qi ka jetë shum ma të gjatë e ma të lavdishme se politika, n'art. "Me Fan Nolin - vazhdon Konica - merem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë: kuptohemi kur thomi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovanni-t bëri një punë më të madhe se njeriu që çpiku telefonin, ose kur thomi se Parthenon-i edhe Tarxh Mahal-i janë monumente më të lartër se kulla e Eiffel-it e cila është njëmijë këmbë e lartë. Fan Noli është edhe i ri: prova m'e mirë është se është i zoti të qeshë".2 Ashtu si asht i zoti të qeshë edhe Konica. Nji ças njimend homerik asht ky kur ndeshen dy burrat tue mshehun rreptësín e luftës së tyne në buzqeshjen e humorit të bamë art.

Vetëm kush asht i zoti të qeshi mund të krenohet se nuk asht ma skllav i landës e se ka triumfue mbi instiktet shtazore. Buzqeshja asht shêj i kthielltësís së shpirtit dhe kthielltësija asht pajë e hyjnorvet dhe e të dashunvet të tyne, t'urtëvet. Dhe nji prej ktyne t'urtëve, realist i fortë, ka pasë thanë nji herë se  lumnija ma e epër njerzore nuk asht në jetën politike por në jetën e mendimit: n'art, në shkencë, në filosofí. Nuk dijmë në se Fan Noli asht ndjekës i Aristotelit - ndoshta ma tepër i pëlqen Kajami. Nuk dijmë në se asht filosof, megjithëse asht mendja shqiptare ma e armatosuna me kulturë filosofike, dhe e shprehë kët kulturë tue e formulue shpesh ndër sentenca qi  përmbyllin kuptime të gjana. Ma parë se dijetar, lavrues i gjuhëvet dhe i historís, ma shum se filozof, aj asht artist.

Dhe asht artist, poet a kompozitor, ma parë se njerí veprimi, politikan, a edhe kishtar. Aj qi shqipnoi Kajamin në valën e përpjekjevet politike ma të vështira, asht ma parë se gjithçka poet. Politika zen nji vend të madh, sigurisht, në jetën e tij; nji vend edhe ma të madh zen feja. Por arti zen krej jetën e tij. Njeriu qi shkroi "Israelitët e Filistinët" qysh njizetedy vjeç, asht po aj qi shkruen "Hymnoren" në 1936. E nisun me poezí, jeta e tij mbaron me muzikë. Mbaron? Po çka themi! "Fan Noli asht edhe i ri" ka thanë Faiku para do vjetësh. Deri sa jeta e Nolit do të vazhdojë - e asht nji fibër çeliku ajo e tija - do të vazhdojë edhe arti i tij.

Disa herë historija zhvillohet me nji logjikë aq të saktë sa na vjen të bahemi hegelianë. Na duket se në disa rasa ajo asht shum e verbët, shum e egër: e ndoshta atëherë ma tepër se kurr ajo ka veprue me nji ekonomí të përsosun. Nuk ngutemi me i thanë këto për rasën e Nolit - i dështuem në jetën politike dhe i shpërblyem n'art me lavdí ma të qindrueshme. Tepër e afërme asht ngjarja e jetës së tij dhe endè e pambarueme: nuk mund t'a gjykojmë me objektivitetin qi historianit i falë kalimi i kohnavet.

Bota nuk asht edukue endè aq sa t'a kuptojë politikën si nji funksjon t'etikës. Dhe deri sa makiavelizmi i pabesë do të vijojë me drejtue jetën e shtetevet asht e kotë, asht e dhimbëshme, qi njerzit e pastër të përzihen në politikë. Hipokrizija politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të naltat njerzore. Ata qi ma tepër e kanë dashtë njerëzín, ata janë kryqzue prej saj. Humanitari t'u rrijë  lark intrigavet të sundimit, të vazhdojë apostullatin e tij në heshtje e durim. Filozofija të qindrojë aty ku e këshilloi ati i saj i madh, në fushën e pastër të mendimit e prej andej të lëshojë dritë - O kohna të republikës së Platonit ku filozofi drejton shtetin! Ju jeni gjithnji larg! E poezija! Ah! ajo sidomos, qi asht aq e hajthët, aq ajrore, as të mos i afrohet valës së betejavet politike: mund t'i digjen krahët e atëherë do të bahet krymb i mjerë qi çdo kambë mund t'a shklasë.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore