Portret/ Korça e traditave çfarë
 ndryshon dhe çfarë mbetet

Portret/ Korça e traditave çfarë<br /> ndryshon dhe çfarë mbetet
TIRANË - Në Korçë, si rrallëkund në Shqipëri, aroma e qytetarisë ndihet ende aq e fortë, sa nuk të lejon të mos e vësh re. Matanë dritareve me perde të punuara me grep, me soba të hershme gize, zonjat korçare gatuajnë gjellët e tyre të famshme, bëjnë punët dhe, nëse nuk kanë fëmijë për t’u kujdesur, lexojnë libra dhe shohin televizor. Shumë prej tyre dikur dilnin në rrugicat me kalldrëm dhe kryenin ritualin e pastrimit. Shkëmbenin ndonjë bisedë të shkurtër dhe pastaj riktheheshin në ambjentet e brendshme të shtëpisë.

Vetëm të shtunave rituali i pastrimit u hante më shumë kohë, sepse ato pastronin së bashku gjithë rrugicën. Sot pak prej tyre e ruajnë traditën, si një zakon që u vjen për së largu dhe do të shuhet bashkë me to. Korça është e pastër dhe në rrugica kurrë nuk sheh mbeturina, letra të hedhura përtokë apo ndonjë biletë të grisur teatri.
 
Nikoleta
Nikoleta Strati, një zonjë elegante dhe me vështrim të kaltër si qielli, rrëfen Korçën sipas syve të saj. Nikoleta ka lindur në vitet pas çlirimit. Ajo jetoi dhe punoi brenda një familjeje origjinale qytetare korçare. Nikoleta thotë se ishte një nxënëse me rezultate shumë të mira, por ajo e refuzoi shkollën e lartë në degën e inxhinierisë gjeologjike për dy vjet. Vitin e tretë i doli bursa për mësuese historie. Ishte shumë e lumtur. “Ëndrra ime ishte që të bëhesha mësuese, profesion që e dashurova, atëherë dhe deri në fund. Për 25 vjet e dashurova si profesion.

Në ato kohë, nga vitet 63-64, ishte e vështirë ende që femra të shkonte me studime në Tiranë, por unë e luftova këtë zakon”. Kur u kthye, punoi për një vit si mësuese në Bilisht dhe pastaj u rikthye në Korçë, ku punoi për pesë vite në shkollën e mbrëmjes dhe më vonë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”. Edhe pse mbaroi për histori-gjeografi, ishte e dhënë më shumë për histori, degë të cilës ju përkushtua.

Përsa u përket traditave, shprehet ajo, ato ruheshin me shumë kujdes në shtëpinë e tyre. Mamaja e Nikoletës ishte një grua e shkolluar, por shtëpiake. Ajo kishte një talent të veçantë si piktore, nxënëse e familjes së famshme korçare Zengo. Fryma e saj si “gjysmë artiste” - kështu e quan Nikoleta - ishte e pranishme në familje, gjë që e përcolli edhe tek vajzat e reja.

“Nga mamaja dhe vjehrra ime mësova shumë. Ndërsa zakonet e tjera i pëlqeja, pastrimi i oborrit më është dukur i vjetëruar dhe, përsa kohë që mundesha, çohesha shumë herët dhe pastroja pa më parë njeri. Edhe kur u martova, këtë punë e bënte vjehrra ime, e cila më thoshte shpesh se një ditë nuk do të mundej më. I premtoja që në atë moment që kjo do të ndodhte, nuk do ta lija pa e bërë si punë, shprehet Nikoleta.

Nikoleta u martua me Gaqo Stratin kur ishte 20 vjeç. Kur ajo kishte qënë nxënëse, në moshën 14-vjeçare, ai kishte qënë profesori i saj. Ndërkohë që rrëfen, hedh sytë nga i shoqi, që e dëgjon qetësisht rrëfimin e saj. Ata të dy u martuan me mblesëri, por kjo nuk i pengoi për ta njohur dhe dashur njëri-tjetrin edhe tani, pas 45 vitesh së bashku.

Të besuarit në Zot dhe të shkuarit në kishë, ky është një rit tjetër, që ajo e ka pjesë të jetës së saj që fëmijë, kur të shkuarin në kishë e bënte së bashku me gjyshen e saj. Pyetjes se çfarë është të jesh një besimtar, ajo i përgjigjet: “Për këtë mund të them se ka vlerë edukimi, ne u edukuam me fenë ortodokse. Kjo është njëra anë. I respektoj padyshim edhe fetë e tjera, madje, po të më pyesësh, do të them: Duhet patjetër një armë shpirtërore që ta ketë njeriu, se e zbut. Unë kam jetuar disa vjet në Greqi dhe, kur flisja me grekët, u thosha: ‘Nuk keni ndonjë dallim ju, grekët, nga ne, shqiptarët, por ne për 50 vite na u hoq feja, kjo armë shpirtërore, ndaj ju dukemi pak si të egër, pak si të çorientuar”.

“Feja të bën të jesh më normal, me besim dhe frikë. Të duash, kjo është në bazë të një edukimi fetar. Unë nuk jam për ndonjë fe fanatike. Unë respektoj gjithë ceremonitë fetare dhe shpirtërore. Ja, gjithë kjo që po ndodh me ISIS-in, nuk ka të bëjë me fenë, se nuk është ajo feja islamike e vërtetë, por atyre ju duhet ta përdorin fenë si një armë të tyren”, shprehet ajo.

nikoleta strati
Nikoleta Strati 
 
Traditat
“Unë i takoj një brezi, që për 50 vjet ngrinte flamurin e ruajtjes së traditave, por ato tradita, të cilat nuk preknin ideologjinë. Për këtë arsye, ai regjim hoqi fenë, se nuk i interesonte kjo armë shpirtërore. Ai prishi kishat, edhe më të vjetrat prej tyre. Por ne ruajtëm traditën e respektimit të më të mëdhenjve. Në atë kohë ishte traditë që në fillim duhet të martoheshin motrat, pastaj vëllai; këtë traditë ne e lamë pas. Profesioni i parë që femrat merrnin në Korçë ishte mësuesia. Ne këtë traditë e lamë pas, sepse secili mund të shkollohej në degën që i pëlqente”.

“Një nga traditat që trashëguam, gjithashtu, ishte pastërtia. Mamaja, që kur ishim të vogla, na vinte një shami në kokë dhe një përparëse dhe na mësonte që duhet të fshinim sokakun. Kjo traditë vinte se Korça ishte një qytet me rrugë me kalldrëm, me shtëpira dy katëshe dhe nuk kishte pastrues që të pastronin rrugët. Dhe gratë e kishin këtë punë edhe si një farë shfaqjeje të pastërtisë së tyre, që ne, ja e pastruam shtëpinë, rregulluam gjithçka brënda dhe tani po pastrojmë dhe sokakun. Kjo ishte njëra anë, ana tjetër ishte edhe një rrugëdalje, ku ato bisedonin me njëra-tjetrën. Kjo punë mund të zgjaste 15-20 minuta. Ndërsa pasditeve gratë dilnin në sokak, ku çdo portë kishte nga dy gurë anash dhe gratë uleshin pasditeve dhe bisedonin me njëra-tjetrën. Për darkën e kaluar ose për gjellën që do të gatuanin për drekë”.

Pyetjes nëse sot gratë vazhdojnë akoma të pastrojnë, ajo i përgjigjet pozitivisht dhe shton: “Në mëhallën time kemi një më të moshuar, teton Sanda. Për të thotë Gaqoja, im shoq, gjithmonë, mor po se është shi, se është borë, se është ftohtë, ajo do të dalë dhe do të fshijë, megjithëse është asfalt, ndërsa unë jo më. Ama jam kujdesur që të edukojmë gjithmonë edhe nipërit dhe mbesat, që diçka që kanë të mos e hedhin në rrugë. Më kujtohet, tani vonë, kemi dalë në Parkun e Rinisë që u rregullua dhe i thosha tim shoqi: Ku, mor Gaqo, t’i hedh këto mbeturina? Prandaj duhen vendosur dhe kutitë përkatëse.

Pyetjes “A ka ndryshuar Korça në gjithë këto vite?”, Nikoleta i përgjigjet: “Korça tani ka një farë ndarjeje, lagja 1,2 dhe 3 po mundohen të ruajnë traditën, kjo e imponuar edhe nga Bashkia, që të ruhen ndërtesat 2 deri në tri kate. Po kështu, të ruhen rrethimet me kangjella. Kjo gjë po ndodh edhe me bulevardin. Ndërsa rruga këtu pranë shtëpisë sonë është asfaltuar që në kohën kur ishte kampi i pionierëve. Arkitektët po mundohen të ruajnë traditën”, shprehet Nikoleta. Ajo thotë se i pëlqen që tradita të ruhet në lagjet e vjetra, ndërkohë preferon që lagjet e reja të ndërtohen sipas një arkitekture disa katëshe.
 
Pse humbi Korça e serenatave?
Nikoleta tregon se Korça e serenatave ka humbur shumë kohë më parë. “Atë traditë e kam jetuar shumë pak. Në atë kohë, në lagjen time ishin disa që këndonin, si Naskë Kondilli dhe Bicolli, të cilët shquheshin. Serenatat ishin si shfaqje e vajzave që rrinin në shtëpi dhe nuk dilnin jashtë. Djemtë ku kishin mundësi t’i shikonin? Ose në kishë, ose në një traditë të bukur që kishte Korça, që ishin shëtitjet e pasditeve ose të dielave. Madje Gaqo Strati, im shoq, është i atij brezi dhe më thoshte se mbaronim xhiron derisa të shikonim atë që donim të shikonim.

Kështu ishin dhe serenatat. Se ku tjetër do t’ia shfaqte djali vajzës dashurinë, në punë ajo nuk ishte, në rrugë po ishte e pamundur, ndaj vinte në dritare dhe i këndonte”, tregon ajo. Pyetjes se si reagonte familja e vajzës, Nikoleta i përgjigjet duke qeshur se ndonjëherë i hidhte edhe ndonjë kovë me ujë, ndonjëherë edhe mund ta tërhiqte vajzën brënda. Kjo varej nga personat që këndonin; nëse ata ishin tipa djemsh seriozë, e linin vajzën ta dëgjonte. Tradita humbi, sepse vajzat nuk janë më të mbyllura.

Në momentin që vajzat dolën në punë, djemtë kishin ku t’i shihnin dhe t’u shprehnin ndjenjat e tyre. Ja p.sh çfarë serenate do të më bënte Gaqoja mua, kur ne të dy njiheshim mirë? Këtë mendoj si arsye për humbjen e kësaj tradite, në atë kohë vajzat nuk dilnin vetëm. Ato ishin të shoqëruara me vëllezërit ose kushërinjtë. Të rinjtë mjaftoheshin duke u parë në rrugë ose në kinema, që ishte një traditë e bukur shumë, ndërkohë që sot kinemaja nuk frekuentohet”, rrëfen ajo.
 
Shtëpia
Shtëpia e Nikoleta Stratit është e ngrohtë. Me perde me dantellë dhe me një sobë të madhe prej gize, pronë e familjes që nga vitit 1942, kur atë dhe 15 të tilla i solli një kushëri nga Amerika. Soba u ka rezistuar viteve. I rezistoi madje edhe ndryshkjes në kohën që Nikoleta dhe i shoqi u zhvendosën për disa vite në Greqi. Kur u kthyen, e pastruan çdo pllakë të saj, e lyen me varakun e zi dhe i kthyen asaj magjinë e dikurshme.

Ajo tregon se i pëlqejnë perdet e saj me dantella, që i ka pronë të trashëguar nga vjehrra e saj dhe janë më shumë se 100-vjeçare. Ajo përdor qilima në shtëpi dhe thotë se, kur u kthye nga Greqia, kishte shoqe që i thoshin “Aman moj Nikoleta nuk hoqe dorë nga qilimat ti?”.  “Por mua më pëlqen shumë ta ruaj këtë zakon”, thotë ajo.
 
Ushqimi dhe dashuria
Ajo dhe i shoqi mendojnë se gatimi ka qënë një traditë e tyre. “Sa herë Gaqoja më jep urime për ndonjë gatim, unë i them se e kam bërë me dashuri”, thotë. Pastaj rrëfen se gatimi korçar nuk ka qënë kurrë i shpejtë sa për të kaluar një vakt. Gratë korçare kanë gatuar ngadalë, duke u dhënë kohë gjithë proceseve; ato kanë ruajtur gjithë jetën fazat e gatimit dhe, mbi të gjitha, dashurinë.

Pyetjes “Ju të dy keni jetuar së bashku për 45 vjet, si është të jetosh së bashku për kaq gjatë?” ajo i përgjigjet duke qeshur. “As unë vetë nuk e kuptoj këtë. Madje ka raste kur e pyes Gaqon, kaq shumë kemi jetuar ne së bashku dhe ne kemi dhe një diferencë moshe 10 vite. Ndoshta arsyeja e kësaj jete të lumtur ka qënë familja; ne vinim nga e njëjta shtresë, nga i njëjti besim fetar, nëse mund ta them këtë. Një arsye tjetër është mirëkuptimi. Kur njëri ngrihet, tjetri duhet të ulet. Dhe diçka tjetër.

Unë kam menduar që në çift ne duhet të plotësojmë njëri-tjetrin. Ja, kjo është harmonia. Ne, në familje, kemi jetuar shumë në vështirësi, sepse në një moment të jetës Gaqo u ngacmua politikisht dhe shumë njerëz më pyesnin mua si jeton ti me këtë burrë me këtë cen. Këtë pyetje ma bënë në organizatën e partisë, edhe pse unë vetë nuk isha e angazhuar politikisht. Ju përgjigja: Sikur ju të bënit çerekun e jetës që bëj unë me tim shoq, do të ishit të lumtur”, kujton zonja Strati.

Çifti banon në Korcë pa fëmijët e tyre, të cilët jetojnë në Athinë. Ata të dy ruajnë një trup elegat dhe të shëndetshëm. Nikoleta kujton se, kur shkoi në Athinë, ata që e shihnin për herë të parë mendonin “e shkreta, sa e paushqyer është”. Kur kaluan vite dhe panë që ajo ruante format e saj elegante, mësuan që çifti Strati nuk ishte i dhënë pas ushqimit të tepërt, por pas atij cilësor.
 
Receta e likerit
Prej dy vitesh, ajo ruan në bufe një liker, që e ka pregatitur vetë sipas një formule greke. Merr një shishe uzo 500 mililitër dhe e hedh në një enë qelqi me kapak hermetik. I shton brenda 15 fara karafili, një tufë nenexhik, një shkop kanelle dhe pak sheqer sipas dëshirës. I përzien së bashku dhe nuk harron ta përsërisë këtë veprim për 10 ditë, me qëllim që përbërësit të përzihen më mirë dhe të shkrijë sheqeri. Pas 10 ditësh, pija kullohet dhe hidhet në një shishe alkooli. Aroma dhe shija janë të pakrahasueshme.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Rutte përsërit mbështetjen e NATO-s për Ukrainën në luftën kundër Rusisë

Rutte përsërit mbështetjen e NATO-s për Ukrainën në luftën kundër Rusisë