/ATSH-Flora Nikolla /- Vedat Kokonës, mjeshtrit të përkthimit, romancierit, poetit dhe gjuhëtarit, vetëm një matematikan mund t'ia llogarisë faqet e tij të daktilografuara.
Kur ndërroi jetë ishte 85-vjeç për të mbetur gjithnjë një ndër figurat që i dha zë të fortë letërsisë frënge në vendin tonë. Profesori i penës së pathyer dhe i mendjes së mprehtë, të cilit Franca i dha titullin "Kalorës i urdhrit të artit dhe të letrave" në vitin '95 dhe titullin "Oficer i urdhrit të Palmave" në vitin '96, numëron 15 mijë vargje izometrike , izoritmike dhe izorimale dhe 100 vëllime në prozë. Ato janë jeta e tij e shkruar, në dukje  "e harruar", por e ngulitur thellë në mendjen e gjithkujt.
2000 vargje të rimuara sipas origjinalit nga frëngjishtja, 21 fabula të La Fontenit, vepra të shkrimtarit Viktor Hygo, komedi të përkthyera nga Shekspiri i madh , 20 soneta të Omer Khajanit dhe 21 rubajete të Longfellow-t , mijëra vargje të poetëve rusë janë vite dhe jetë pune të mjeshtrit të madh.
Kush nga shqiptarët nuk mund të ketë në bibliotekën e tij kryevepra të Balzakut, të Çarls Dikensit, të Xhon  Gollsuorthit, të Bernard Shout, të Dante Aligierit, të Pushkinit apo të Tolstoit, të Gorkit, të Heminguejit të  madh... Të gjitha janë dhuratë e njeriut të palodhur dhe enciklopedik, të cilin një firmë administratori në vitin 1948 e  pezulloi nga puna si të paaftë.
Të panumërta janë faqet e përkthyera të Vedat Kokonës nga shqipja në frëngjisht në revistën e "Les lettres albanaises" dhe me mijëra vargjet e poetëve  shqiptare të të të gjitha kohërave.
Dikur, kërkoi t'i jepnin një titull sadopak anemik në fushën e gjuhësisë, se deri në atë kohë i kishte dorëzuar lexuesve tre fjalorë Frëngjisht-Shqip dhe anasjelltas, të cilat gjithsej përbënin 85 mijë fjalë. Nuk ia dhanë, dhe i thanë  se "ishte romancier dhe poet". "Po fjalorët nuk vihen në peshë", ishte përgjigja e tij. I thanë se duhet t'i paraqiste me një  emër tjetër. Në pritje për të gjetur një emër tjetër ai nënshkroi këtë fletanketë me emrin që i kishte zgjedhur babai.
Shpirti i tij poetik dhe mjeshtëria e fjalës së përkthyer nuk mund të anashkalonte veprat e rilindasve tanë. Gavril  Dara i Riu, Naim Frashëri, Vaso Pasha, Çajupi, Fan Noli, Mjeda e Shiroka, Poeti i mjerimit, Migjeni dhe Lasgushi i  liqenit. Ato "do të mbërtheheshin" prej tij për të mbetur origjinalitet tek të huajt, vlerat e një kombi.
Vedat Kokona me moshë të thyer vazhdoi të punojë në orët e ditës dhe të natës në qoshen e tij modeste, në  shtëpi. Librat e tij janë bibliotekë, modestia, vepra e njeriut të madh, pena e tij, gur në kulturën e Shqipërisë.
Ndërsa titujt, burokracia më e madhe për të, kënaqësi vetëm për ata që firmosin të harruar.