/ATSH-AFP/ - Ish-kryeministri socialist portugez, Jose Socrates, i akuzuar për korrupsion reagoi sot kundër vendimit për vendosjen e tij në paraburgim të përkohshëm, më 24 nëntor, pas refuzimit të një kërkese nga Gjykata e Lartë për lirimin e tij.

"Në paraburgim, tashmë nuk jemi vetëm një qytetar përballë institucioneve, por një i ndaluar përballë autoriteteve, fjala e të cilëve nuk ka të njëjtën vlerë me atë të të tjerëve", konfirmoi Socrates në një letër të publikuar nga e përditshmja portugeze "Diario de Noticias".

Ish-kryeministri dënoi gjithashtu shkeljen e sekretit të hetimit duke cituar frikën e politikanëve, përfshirjen e disa gazetarëve dhe cinizmin e profesorëve të ligjit.
Gjykata e Lartë hodhi dje poshtë një kërkesë për lirimin e ish-drejtuesit duke e gjykuar se vendosja e tij në paraburgim të përkohshëm nuk përbënte një ndërhyrje disproporcionale të lirisë së tij.

Një javë pas shpërthimit të një skandali për korrupsion në lidhje me dhënien e vizave "të arta" për të pasurit e huaj, Portugalia u godit nga një çështje tjetër politiko-financiare, me arrestimin e ish-kryeministrit socialist, Jose Socrates.

Arrestimi i ish-kryeministri ka shkaktuar një tronditje të madhe në botën politike, brishtësuar nga një sërë hetimesh gjyqësore që kanë prekur zyrtarët e lartë shtetërorë.
Jose Socrates, 57 vjeç, i cili drejtoi vendin nga viti 2005 deri në vitin 2011, u arrestua dje në mbrëmje pas mbërritjes në aeroportin e Lisbonës, pas rikthimit nga një vizitë në Paris, në kuadër të një hetimi për mashtrim fiskal, pastrim parash dhe korrupsion.