Posta Shqiptare, analizë për treguesit e 2013-s dhe 6-mujorit të parë të 2014

Ardit Çela: 6 mujori i 2014-s, treguesit financiare shumë pozitive
TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Ardit Çela, ka zhvilluar një konferencë për shtyp ku ka bërë transparente analizën e treguesve ekonomiko- financiare për vitin 2013 dhe 6-mujorin e parë të viti 2014.
Gjatë fjalës së tij Çela u shpreh se Posta Shqiptare, gjatë vitit 2013 ka bërë përpjekje për realizimin e të gjitha objektivave për të përmbushur misionin e saj kryesor në shërbim të klientëve të saj, me synim realizimin e treguesve kryesor ekonomiko financiar. Pavarësisht rezultatit shumë pozitiv të 3 mujorit të katërt, nuk u arrit të shmangej humbja e akumuluar gjatë 2013-ës.
Duke iu referuar shifrave, Çela sqaroi se të ardhurat rezultojnë me mosrealizim me vlerë prej 336 milion lekë ose rreth 16 % më pak se programi vjetor 2013. Për sa i përket shpenzimeve, rezultojnë me një ulje në vlerën prej 113 mln lekë, ose 6% më pak se programi vjetor, ndërsa fitimi nga 200 milion lekë të programuara, rezulton me humbje 23 milion lekë. Nëse di t'i shtohet edhe rezultati ekonomik i Interpost sh.p.k, e cila është bijë e kompanisë Posta Shqiptare, e cila rezulton me një humbje prej 166.1 milion lekë, humbja e kompanisë është 189.1mln lekë ose 1.89 mln dollarë.
Ndërkaq, Çela bëri prezentë edhe treguesit e 6 mujorit të parë të vitit 2014, prej nga ku Posta Shqiptare rezulton me performancë financiare pozitive, me fitim 144.7% ose 9 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, nga 13.4 mln në 6 mujorin 2013 në 127.5 mln lekë në 6 mujorin e vitit 2014-s.
Duke iu referuar të dhënave, të ardhurat realizohen në masën 88 mln lekë ose 2.3% më shumë, ndërsa shpenzimet ulen në masën 4.6%, ose 26 mln me pak, në krahasim me 6- mujorin e vitit 2013.
Ndër të tjera Çela tha se këto rezultate janë rrjedhoje e rritjes së përgjegjësisë në realizimin e aktivitetit të shoqërisë në të gjithë aktivitetin e kompanisë, por veçanërisht në dy shërbimet bazë, siç janë shërbimi postar, i cili ka patur një rritje të dukshme të volumit të shërbimeve ekspres 30.5% ose 16 mln lekë më shumë se 6 mujori 2013, treg në të cilin Posta Shqiptare përballet me konkurrencën e fortë të operatorëve privat.
Gjithashtu vlen për t'u përmendur fakti se gjatë kësaj periudhe kohore, është rritur edhe numri i klientëve kontraktuale që bashkëpunojnë e besojnë tek Posta Shqiptare në 8% më shumë se viti 2013.Për sa i përket shërbimit financiar bankar, edhe ky shërbim bazë i Postës Shqiptare, ka rezultuar se rritja e të ardhurave ka qenë në masën 107.2 %, ose 31 mln më shumë se 6 mujori 2013. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e implementimit të portalit on-line të shërbimit të pageses së pensioneve në 130 zyra postare në qytete, nga 57 zyra në vitin 2013, të implementimit të ndërfaqes elektronike për pagesën online të gjobave të policisë, e cila ka rritur të ardhurat 3 herë më shumë se viti 2013.
Një tjetër impakt pozitiv në të ardhurat e shërbimit financiar bankar, ka qenë edhe vënia në funksionim e ndërfaqes elektronike midis sistemit të Postes dhe sistemit të OSHEE, e cila ka krijuar rritjen e të ardhurave, në 11% ose 11 mln lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një rëndësi të veçantë Çela i kushtoi objektivave që ka Posta Shqiptare, si kompani lider në tregun e shërbimeve. Këto objektiva konsistojnë në zgjerimin e mëtejshëm të produkteve postare,financiare bankare dhe ato të biznesit. Një tjetër objektiv është edhe rritja e cilësisë dhe besueshmërisë në ofrimin e shërbimeve në sportelet e Postës Shqiptare.
Për një mbarëvajtje sa më të mirë të punës, objektivi i Postës Shqiptare mbetet ristrukturimi i Qendrës së Shpërndarjes në Tiranë dhe krijimi i 6 qendrave të shpërndarjes,për më tepër efikasitet dhe shërbime sa më pranë klientit. Një ndër prioritet e Postës shqiptare është edhe realizimi i projektit Post Bank që do jetë dhe një nga projektet ambicioze për këtë kompani. /ATSH/
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Dy të rinjtë u larguan nga Komisariati më 31 dhjetor, AMP pezullon nga puna 3 efektivët! Nuk parandaluan arratisjen e tyre