Grupi Parlamentar PPE dorëzoi një amendament për rezolutën mbi Ballkanin Perëndimor, e cila miratohet këtë javë në Parlamentin Europian. 

Rezoluta e hartuar nga eurodeputeti socialist kroat Tonino Picula është cilësuar e përgjithshme nga Grupi i Partive Popullore Europiane dhe nuk përmend 15 kushtet e vendosura nga Këshilli i BE-së për Shqipërinë.

Kjo nxiti eurodeputeten Kinga Gàl të paraqesë një amendament të posaçëm për Shqipërinë. Amendamenti kërkon që rezoluta të përmendë faktin që konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së të mblidhet vetëm pas plotësimit të 15 kushteve.

"Nënvizohen 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare."

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ministri në detyrë Gent Cakaj tha se nga 15 kushtet, duhen plotësuar vetëm 7 për mbledhjen e Konferencës Ndërqeveritare. 

Shkresa e Grupit PPE:

[ Dua t'ju informoj se znj. Kinga Gál si raportere hije e PPE  e raportit "Rekomandime për Ballkanin Perëndimor"  do të dorëzojë amendamentin si më poshtë: ]

"thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare"

[ Amendamenti u kërkua nga z. David Lega, raporter i përhershëm për Shqipërinë dhe ka pëlqimin e z. Gahler, koordinator i PPE në Komisionin e Jashtëm (AFET) ]