PPP-të në Shëndetësi, shqiptarët paguajnë miliona euro për shërbime të pakryera

PPP-të në Shëndetësi, shqiptarët paguajnë miliona euro për shërbime të pakryera

Foto ilustruese

Në javën e tretë të janarit, qeveria e qendrës së majtë të kryeministrit Edi Rama nisi zbatimin e nismës së Këshillimit Kombëtar, e cila synon të mbledhë opinionin e qytetarëve mbi politika të ndryshme publike.

Megjithatë, kjo nismë nuk do të përfshijë kontratat koncesionare dhe ato të Partneritetit Publik Privat, pasi sipas kryeministrit Rama, shqiptarët paguajnë vetëm për koncesionet e trashëguara nga qeveria paraardhëse dhe jo ato të firmosura nga lideri socialist.

“Ky është ndryshimi pse shqiptarët bëjnë ‘check-up’ pa paguar, i bëjnë analizat në një sistem modern laboratorësh falas, por i ka marrë përsipër shteti të paguajnë e partneriteti privat,” tha Rama gjatë konferencës për shtyp të fundvitit.

“Shqiptarët bëjnë dializë sot në kushte ultramoderne, ndërkohë që dje e bënin me lekë dhe me turne në ferrin e një klinike në Tiranë, që medemek ishte publike,” shtoi ai.

Katër kontratat koncesionare të dhëna nga qeveria aktuale në sektorin shëndetësor – kontrolli shëndetësor bazë, hemodializa, laboratorët dhe sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale, janë me mbështetje buxhetore, pavarësisht se kryeministri shpesh deklaron se ato janë ‘falas’ për taksapaguesit.

Pagesat që shkojnë nga buxhetit i shtetit drejt kompanive koncesionare në këtë sektor kapin dhjetëra milionë euro çdo vit dhe të dhënat e mbledhura nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit, tregojnë se ato kanë nuk kanë shënuar rrudhje të mëdha gjatë pandemisë së COVID-19.

Ndërsa këto pagesa kapin një përqindje të konsiderueshme të buxhetit për Shëndetësinë, auditet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulojnë se një pjesë e pagesave shkojnë për shërbime që pacientët shqiptarë nuk i marrin nga kompanitë koncesionare.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pagesat për shërbimet e pakryera – të cilat në vitet e fundit kapin vlera në miliona euro, kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2020, kur kurba e pandemisë së koronavirusit të ri arriti kulmin në Shqipëri.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, ia transferoi përgjegjësinë e pagesave për shërbimeve të pakryera, kontratave koncesionare.

“Pagesa për kompanitë koncesionare realizohet sipas përcaktimeve në kontratat koncesionare,” tha FSDKSH.

I pyetur nëse i kishte kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të kryente përmirësime në kontrata, Fondi u përgjigj se rekomandimet e auditimit ia kishte njoftuar ‘të gjitha strukturave përgjegjëse”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi pagesat e shërbimeve të pakryera deri në publikimin e këtij shkrimi.

Pagesa për shërbime të pakryera

Sipas raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e buxhetit, gjatë vitit 2020 qeveria shqiptare kishte aktive 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, ndaj të cilave janë bërë pagesa me vlerë 9.6 miliardë lekë, të barabarta me 2.26 % të totalit të të ardhurave faktike tatimore për vitin paraardhës.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, FSDKSH si dhe pagesat e Thesarit, tregojnë se gati 23% e pagesave për koncesionet kanë shkuar për tre PPP-të në sistemin shëndetësor, të cilat gjatë vitit 2020 kanë marrë 2.3 miliardë lekë.

Kjo shifër është e përafërt me fondin e emergjencës të miratuar nga qeveria shqiptare në mars 2020, në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave spitalore me vlerë 2.5 miliardë lekë, për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme, si dhe në mbështetje të stafeve mjekësore pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

Gjatë dy viteve të pandemisë 2020-2021, kontratat PPP në sistemin shëndetësor kanë marrë në total 4.8 miliardë lekë [rreth 40 milionë euro] sipas FDSKSH-së.

Pavarësisht emergjencës së shkaktuar nga pandemia, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kontratat koncesionare të sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë dhe hemodializës do të vijonin funksionimin normalisht, ndërkohë që koncesioni për kontrollin shëndetësor bazë, i njohur si check-up u pezullua përkohësisht, duke aktivizuar klauzolën kontraktuale të ‘forcës madhore’.

“Shërbimi do të rikthehet pas përfundimit të pandemisë,” deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në mars 2020.

Por pavarësisht pezullimit të kontratës për shkak të situatës pandemike, në 4-mujorin e parë të 2020-ës, kompanisë koncesionare të kontrollit shëndetësor bazë, ‘3P Life Logistic’, iu transferuan 352 milionë lekë nga buxheti i shtetit, një shumë që sipas autoriteteve likujdonte kontrollet e kryera në dy muajt e fundit të 2019-ës.

Ndonëse pandemia ishte larg mbylljes dhe rastet e diagnostikuara me COVID-19 ishin në rritje, në shtator 2020, Ministria e Shëndetësisë vendosi të riaktivizonte koncesionin e check-up.

Edhe pse shërbimi u ofrua për pak ditë, ai nxorri në pah sipas KLSH-së, problematikën e pagesës për shërbime të pakryera ndaj kompanisë koncesionare.

Sipas auditimit mbi zbatimin e buxhetit për shërbimin e ofruar në muajin shtator, koncesionarit i janë paguar 2.1 milionë lekë për rastet e kontrolleve të kryera, ndërkohë që gati dyfish më shumë janë paguar për shërbime të pakryera.

“Në total nga këto pagesa evidentohen 2127 raste në shumën 3.9 milionë lekë, të cilat janë paguar për shërbim të pakryer,” shkruhet në raportin e KLSH-së.

Pagesa për kontrollet e pakryera e evidentuar nga KLSH për periudhën shtator 2020 për koncesionion e ‘chech-up’-it është vetëm maja e ajsbergut. Sipas KLSH-së, pagesat e FSDKSH-së për punë të pakryer nga viti 2015 deri në vitin 2019 ndaj kompanisë ‘3P Life Logistic’ kapin vlerën 930 milionë lekë (7.6 milionë euro).

Ngjashëm me koncesionin e ‘check-up’, pagesa për shërbime të paofruara konstatohen edhe për koncesionin e hemodializës. Sipas KLSH-së, gjatë vitit 2020 numërohen 3654 seanca dialize të parealizuara, për të cilat kompania ‘DiaVita’ është paguar nga fondet publike.

“Për vitin 2020, konstatohet se është arritur dhe tejkaluar projeksioni në dy rajone dhe nuk është arritur projeksioni për rajonet Shkodër, Vlorë dhe Korçë, ku faturimi është kryer për vlerat e projektuara dhe jo për nivelin faktik të shërbimit nën projeksion,” shkruhet në raportin e KLSH-së.

“Në total, efekti i financimit të shërbimit të pakryer që në implementimin e kësaj kontratë koncesionare në vitin 2016 e deri në fund të vitit 2020 vlerësohet në shumën 352 milionë lekë,” shtohet më tej në dokument.

Një auditim i brendshëm i kryer nga vetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për periudhën Janar-Gusht 2020, ka arritur të njëjtin përfundim me KLSH-në, përsa i përket pagesave për punë të pakryera ndaj kompanisë Dia Vita.

“Mungesa e përmirësimit të kushteve të kontratës ka bërë që Fondi t’i paguajë koncesionarit DiaVita, vetëm për periudhën Janar-Gusht 2020, një vlerë prej 32,6 milionë lekë për seancat e parealizuara sipas projeksionit,” shkruhet në raportin e auditit të FSDKSH-së.

Kompanitë koncesionare “3P Life Logistic’ dhe DiaVita nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për pagesat e shërbimeve të pakryera deri në publikimin e këtij shkrimi.

Audititi i FSDKSH-së konstaton gjithashtu probleme edhe për kontratën koncesionare të sterilizimit të instrumeve kirurugjikale – pagesat ndaj të cilit bëhen mbi bazën e ndërhyrjeve dhe instrumenteve kirurgjikalë të përdorura, në të paktën tre spitale.

Ekspertët e financave publike theksojnë se mungesa e kontrollit të kontratave koncesionare nga autoritetet publike lë hapësirë për abuzime.

“Mungesa e kontrollit nga ana e spitaleve është lënë enkas për të krijuar hapësira abuzimi, sepse koncesionari ka gjithë hapësirën e nevojshme për të deformuar kërkesën për shërbimin që ai ofron në interesin e vet, duke rritur përfitimet e veta dhe kostot për shtetin,” tha ekonomisti Pano Soko.

Edhe implementimi i kontratës koncesionare për shërbimin laboratorik në një periudhë emergjence shëndetësore të krijuar nga COVID-19, ka sjellë kosto shtesë për taksapaguesit.

Sipas KLSH-së, gjatë transferimit të laboratorëve të QSUNT-së tek kompania koncesionare kanë mbetur miliona lekë materiale mjekësore të papërdorura në farmacinë qëndrore.

“Nga auditimi është konstatuar menaxhim jo efektiv i fondeve buxhetore në vlerën totale prej 23.2  milionë lekë, vlerë e stokut të materialeve laboratorike gjendje në Farmacinë Qendrore të QSUNT të  papërdorura dhe të pashpërndara, i krijuar si rrjedhojë e zbatimit të marrëveshjes koncesionare për shërbimin laboratorik në këtë institucion,” shkruhet në raportin e KLSH-së.

Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi shprehet i shqetësuar nga mosveprimi i institucioneve ndaj problematikave që ngrihen nga audituesit e KLSH-së, për sa i përket zbatimit të kontratave koncesionare.

“Heshtja e institucioneve qendrore, heshtja e Avokatit të Shtetit posaçërisht për rekomandimet e KLSH-së mbi cenimin e interesave publike, mbi përdorimin e fondeve publike, duke përfshirë edhe problemet serioze me menaxhimin e pajisjeve mjekësore që marrin përfitime kolosale nga buxheti është një tregues që interesat korruptive shkojnë më lart,” theksoi ai.

Forcë madhore gjatë pandemisë

Që nga regjistrimi i dy rasteve të para në mars 2020, në Shqipëri janë infektuar me COVID-19 më shumë se 244 mijë pacientë, nga të cilët 3992 kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes ose komplikacioneve shëndetësore të shkaktuara prej saj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo situatë e paprecedentë pandemike e shkaktuar nga koronavirusi i ri, është arsye e mjaftueshme për pezullimin e përkohshëm ose rinegocimin e zbatimit të kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë.

“Kuptohet që përgjithësisht kontratat kanë parashikime për Forcën Madhore, sikurse është edhe pandemia, që mundësojnë pezullimin e përkohshëm ose të përhershëm të pagesave për këto kontrata”, shpjegoi Zef Preçi.

“Kjo do të thotë se nëse do të kishte vullnet politik, qeveria ka pasur dhe ka të gjithë hapësirën e nevojshme për të mbrojtur interesin publik dhe për t’i dhënë palëve pozita të barabarta,” shtoi ai.

Në të njëjtën linjë është edhe eksperti i ekonomisë, Pano Soko, i cili thekson se autoriteteve i ka munguar vullneti politik për të ndërhyrë tek kompanitë koncesionare.

“Qeveria ka pasur në dorë aktivizimin e klauzolës së Forcës Madhore në fakt dhe pezullimin e pagesave, pasi situata e pandemisë deformoi aktivitetin ekonomik dhe social në mënyrë substanciale,” tha ai.

“Fakti që nuk e bëri, tregon që nuk ka pasur dëshirë për t’i pezulluar pagesat nga ana e vetë qeverisë,” shtoi Soko.

Sipas Zef Preçit, problemet e evidentuara nga audituesit për PPP-të në sistemin shëndetësor theksojnë nevojën që këto kontrata të rinegociohen.

“Këto kontrata kanë nevojë për rishikim, qoftë nga ana e respektimit të paritetit mes palëve, qoftë nga pikëpamja e pronësisë, qoftë nga pikëpamja e indikatorëve të performancës,” tha Preçi.

“Kjo epidemi e rrënimit të bilanceve publike, jo sot por edhe për 10 apo 15 vitet e ardhshme duhet të ndalojë,” përfundoi ai./Reporter.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xhixhi: 28/01/2022 22:35

    Mjeku nuk te jep asnje rekomandim per analize gjaku po nuk I dhe lek.

    Përgjigju
  • Beni: 28/01/2022 18:18

    Se kuptoj perse paguajme sigurime shoqerore e shendetsore?! Mire per pension gjasme pas 100 vjetesh Po sigurimet shendetsore, qe cdo gjilpere e vizite ne ambulance behet me lek dhe kudo ne spital eko e skaner e rezonance me lek! Mos te flasim per operacione se me leverdi ke me vdek.. Sesa gjithe jeten tu la borxhet e kredine. Plera jeni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë