TIRANË- Deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të opozitës prezantuan pasditen e sotme një paketë me 31 amendamente, që synojnë përmirësimin e pr/buxhetit të shtetit 2015 dhe ligjeve të paketës fiskale që e shoqërojnë atë.
Një ditë para miratimit në parlament të ligjit më të rëndësishëm financiar të vendit, grupi i deputetëve demokratë, i mbledhur në selinë e PD-së, i kërkon mazhorancës që të marrë parasysh propozimet e tyre, që synojnë reduktimin e shpenzimeve dhe uljen e taksave për qytetarët shqiptarë.
Amendamenti i propozuar nga deputetja Jorida Tabaku synon heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike, e cila sipas saj, do t'i vinte në ndihmë të varfërve. Një tjetër amendament i propozuar nga deputeti Edmond Spaho parashikon mosrritjen e çmimit të naftës, ndërsa ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, solli propozimet për uljen e tatimit mbi pagat, si dhe uljen e borxhit publik.
Në këtë takim e mori fjalën dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se këto amendamente të deputetëve të opozitës mbeten thjesht në kuadër të propozimeve, pasi ato nuk do të merren parasysh nga mazhoranca. /ATSH/