TIRANË- Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskutoi sot projektbuxhetin e vitit 2015 për disa institucione të sistemit gjyqësor.
Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës dhe Zyra e Administrimit të Pushtetit Gjyqësor, kanë përfituar më shumë fonde buxhetore se një vit më parë. Por, krahas kësaj, në mbledhjen e sotme të komisionit janë marrë parasysh kërkesat e tyre për shtesa në buxhet.
Kështu, Gjykata Kushtetuese mundi të përfitojë një shtesë prej pesë milion lekësh nga sa ishte shuma e akorduar në buxhet; Zyra e Administrimit të Pushtetit Gjyqësor një shtesë prej 15 milion lekësh dhe Shkolla e Magjistraturës 2 milion lekë shtesë, krahasuar me fondet e akorduara paraprakisht nga ministria e Financave.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi një shtesë me rreth 105 milion lekë për buxhetin e saj të vitit të ardhshëm për shkak të rritjes së numrit te personelit. /ATSH/