TIRANË -Nën drejtimin e deputetes, Klodiana Spahiu, Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi sot seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin " Për kujdesin paliativ në Republikën e Shqipërisë".
Kjo nismë ka për synim mbrojtjen e dinjitetit dhe autonomisë së pacientit pa asnjë paragjykim dhe diskriminim, mbrojtjen dhe promovimin e cilësisë së jetës deri në fund të saj, si dhe konceptimin e vdekjes si një proces normal, sigurimin e një jetese pa dhimbje deri në fund të saj, mbështetjen e duhur mjekësore, psiko-sociale për personin e sëmurë dhe familjen e tij dhe mosshpejtimin ose mosprovokimin e vdekjes.
Kryetar i Shoqatës së Kujdesit Paliativ në Shqipëri, Kristaq Huta, tha se ky është një shërbim relativisht i ri jo vetëm në Shqipëri, por dhe në shumë vende të tjera të botës."Jemi mbështetur në katër drejtime kryesore. Fillimisht kemi parë që të kemi politika sa më të mira në këtë drejtim. Ka qenë shumë e rëndësishme për ne edukimi i stafit. Gjithashtu ishte shumë e rëndësishme disponueshmëria e medikamanteve sepse këta pacientë përfitonin shumë pak nga medikamentet. Po përfundojmë kurrikulat për një kurs një vjeçar të mjekëve me specialistët në kujdesin paliativ dhe jemi në fazën fillestare drejt implementimit, që do të thotë se në 5 spitalet e para janë ngritur njësitë e kujdesit paliativ", tha Huta.
Në ditët në vijim, komisioni pritet që të miratojë projektligjin " Për kujdesin paliativ në Republikën e Shqipërisë". /ATSH/