TIRANE - Forcat e komisariatit nr. 4 në Tiranë kanë arrestuar ditën e sotme një çift për gjobvënie dhe shantazh. Të arrestuarit janë Spartak Alia dhe Dhurata Kananaj nga Tirana.

Policia e Tiranës në një deklaratë për shtyp sqaron se Dhurata Kananaj ishte karremi që joshte burrat e martuar, kurse Spartak Alia, duke u hequr si zyrtar policie në një nga komisariatet e kryeqytetit, u bënte shantazh dhe u vendoste gjoba duke i kërcënuar se do i arrestonte për shfrytëzim prostitucioni.

Viktima e radhës së çiftit mashtrues, tregtari K. Merko, kishte depozituar në polici një kallëzim për gjobvënie. Arrestimi i çiftit është kryer në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet në kushtet e flagrancës, në momentin e shkëmbimit të parave.

Gjatë arrestimit u sekuestruan paratë, një pistoletë dhe një dokument policie. Dy të arrestuarit kishin kohë që përdornin këtë inskenim dhe fusnin në kurth burrat e martuar. Spartak Aliaj është i proceduar më parë për vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

(eç/shqiptarja.com)