BERAT - Katër muaj hetime i janë dashur policisë për të vërtetuar, se një oficer i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, tentonte të ndikonte që të lehtësohej një i akuzuar për tentativë vrasje e të dilte nga burgu. Enton Softa, 36 vjeç nga Berati, OPGJ në policinë e këtij qyteti, është arrestuar dje, pasi siç bën të ditur policia, i ka marrë një qytetari shumën prej 800 mijë lekësh për të ndikuar tek prokurori i çështjes apo eksertët e grupit hetimor, që ta lehtësonte nga akuza.

“Strukturat e posaçme kanë vënë në pranga Enton Softën, 36 vjeç, banues në Berat, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat. Ky shtetas akuzohet për veprën penale të "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Të njëjtat burime policore kanë pohuar, se arrestimi i Softës është bërë pas një hetimi intensiv 4 mujor të strukturave të Drejtorisë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Task Forcë. Oficeri i policisë gjyqësore i ka kërkuar një qytetari nga Berati shumën prej 800 mijë lekësh, duke i premtuar se do të ndërhynte tek autoritetet përkatëse, me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, në arrest shtëpie ose hetim në gjëndje të lirë, dhënë ndaj djalit të këtij qytetari, i arrestuar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Por, duket se OPGJ-ja kishte si qëllim që ndikonte edhe tek prokurori, i cili duhet të ndryshonte akuzën, që të lehtësohej i arrestuari. Ndëkohë, burime kofidenciale bëjnë të ditur, se policia është sinjalizuar për këtë situatë, kur OPGJ nuk po mbaronte dot punën për të cilën ishte paguar.

Pas sigurimit të të gjitha provare nga kolegët e 36-vjeçarit, i kanë çuar ato në gjykatë, e cila ka vendosur dhe masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj shtetasit Enton Softa. Ky i fundit është vënë në pranga dje, ku i janë komunikuar edhe akuzat. Ndërsa ka nisur hetimi për të zbuluar edhe persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.

(Shkrimi u përditësua)
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)