Prangosja nga SPAK e 9 zyrtarëve për tenderin 2.8 miliardë lekësh, Report Tv siguron dosjen e plotë! Ç'ndodhi gjatë prokurimit, inxhinierja që zbuloi gjithçka

TIRANË-Tre ditë më parë SPAK përmes një operacioni ka prangosur 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë. Ndër të arrestuarit ishte edhe drejtoresha Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.

Report Tv ka siguruar dosjen e hetimeve të zhvilluar nga SPAK, ku shpjegohet nga autoritetet hetimore se çfarë ka ndodhur gjatë prokurimit dhe si u arrit deri në hetimet e SPAK që çoi në prangsojen e zyrtarëve që firmosën. Në dosjen e SPAK sqarohet se njoftimi për tender është publikuar edhe në prestigjiozen ndërkombëtare 'Financial Times'. Në doje sqarohet e gjithë procedura e tenderit që nga përcaktimi i praktikës, me firmosjen nga ana e kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Hetimet nga SPAK fillimisht kanë nisur për 2 tendera mishi dhe më pas janë bashkuar çështjet. 

Një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk e ka firmosur tenderin, duke ngritur madje shqetësimin për abuzimin që po bëhej. Ajo thotë se nuk ka pranuar t’i nënshkruajë dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord. Si dhe nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti. 

Siç tregohet në dosjen e SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës. Një tjetër pikë problematike është fakti se në një nga tenderat thuhej se 35 milionë lekë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave, që nuk u realizua kurrë.

Ky lot i tenderit nënkuptonte që çdo punonjës policie të ishte i pajisur me një kartë që të mund të tërhiqte uniformën e tij, por asnjë prej efektivëve nuk e pati një të tillë, dhe paratë e caktuara në tender janë pervetësuar pa të drejtë nga ana e kompanisë.

Më 10  korrik u arrestuan  ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë 'zbërthyer' skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.

Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Fituesi i tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk”  dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, dhe se janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese.  

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
U blenë 'sa qimet e kokës' por çfarë thonë policët për uniformat që veshin: Peshojnë shumë, në verë 'plas' vape

 

Sipas një hetimi të bërë së fundmi nga SPAK rezulton se një uniforma e një polici kushton në Shqipëri 'sa qimet e kokës'. Por a ia vlen barra qiranë? Këto eurot kanë sjellë cilësi më të mirë? A janë ato me materialin që duhet apo me kushtet teknike të nevojshme. E kush më mirë se vetë ata që e veshin uniformën mund të japin një përgjigje sa më të saktë.

Të kontaktuar nga Report Tv ata nuk pranojnë të flasin para kamerave por pas tyre të tregojnë se si detyrohen të vishen me rroba të tjera poshtë uniformën në dimër sepse kanë shumë ftohtë, ndërkohë që me uniformën e verës plasin vapës.

Ora 11:35
Tenderi abuziv/ 'Të përshtatshme me të gjitha format e këmbëve', 552 mln lekë për këpucët e policëve! Sa kushtuan uniformat dhe shuma e përcaktuar për sistemin elektronik të shpërndarjes

552 milion lekë në tenderin prej 2.8 miliardë lekësh për uniformat e Policisë së Shtetit do të shkonin vetëm për këpucët e policëve, 2.2 mld lekë për uniformat  dhe 35 milionë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes, që nuk u realizua kurrë.

Në dosjen hetimore të siguruar nga "Report Tv", njësia e prokurimit argumenton se modelet e këpucëve janë një artikull i ri që prokurohet për Policinë e Shtetit dhe se modeleve të reja iu përmirësuan të gjitha karakteristikat teknike në mënyrë që t'ju përshtaten nevojave dhe kërkesave funksionale të detyrave që duhet të kryejnë policët.

"Për këtë është bërë përzgjedhja e modeleve të përshtatshme me të gjitha format e këmbëve dh enë funksion sipas detyrës (në zyrë, në rrugë, në motor, në biçikletë, për stërvitje, në plazh, ceremoni, etj.) Certifikimi i këpucëve është kërkuar për të gjitha llojet e këpucëve të shërbimit (përjashtuar ato ceremoniale) duke qenë se janë artikujt më të përdorur nga pjesa më e madhe e punonjësve të policisë dhe që të siguroj kërkesat funksionale si artikuj që bëjnë pjesë në veshjet profesionale. Certifikimi i artikujve të këpucëve konfirmon cilësinë jo vetëm të lëndëve të para materiale të përdorura, por edhe konstruksionit të brendshëm, të jashtëm dhe të gjithë modeleve të shollave që janë cilësore dhe rezistente, të përshtatshme sipas funksionit që kryejnë punonjësi dhe kohës që përdoren", argumenton njësia e prokurimit.

Ora 10:54
Tenderi abuziv në Ministrinë e Brendshme, kush ishte inxhinierja që nuk pranoi të firmoste! Aurora Mulla tregon gjithçka

1625933263_spak2.jpg

Në një pjesë të dosjes së siguruar shkruhet se një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk e ka firmosur tenderin, duke ngritur madje shqetësimin për abuzimin që po bëhej

"Procesverbali Nr.3, i Hartimit të Shtojës, nuk është nënshkruar në faqet 16 deri 19 nga anëtari i Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla, Inxhiniere tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe nuk është nënshruar nga anëtari i Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla, as tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimeve të specifikimeve teknike. E pyetur për këtë fakt, anëtarja e Njësisë së Prokurimit, shtetasja Aurora Mulla, me profesion inxhiniere tekstile, përfaqësuese e Autoritetit Kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka deklaruar se fillimisht ajo ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e specifikimeve teknike të uniformës dhe këpucëve, caktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pasi nga ana e këtij grupi pune janë hartuar specifikimet teknike, termat e referencës dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësohen operatorët ekonomikë, ky dokumentacion është bërë pjesë e dosjes dhe së bashku me dokumentet e tjera teknike janë dërguar për të ndjekur procedurën e prokurimit në Agjencinë për Blerjen e Përqendruar (ABP). Në vijim, ajo ka vepruar si anëtare e Njësisë së Prokurimit, caktuar me urdhër të Titullarit të Organit Qendror Blerës Agjencisë së Blerjes së Përnqedruar nr.47 prot, datë 11.07.2019, si specialiste e fushës inxhiniere tekstile.

Nga Njësia e Prokurimit është hartuar proceseverbali nr.1, datë 24.07.2019 “Mni hartimin e dokumenteve të tenderit me objekt blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të policisë së shtetit”. Pasi janë hartuar dokumentet standarde të tenderit, i janë dërguar për asistencë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), me qëllim dhënien e një opinioni më të specializuar. APP pasi ka bërë komentet e saj në lidhje me disa cështje, të cilat pasi u reflektuan në dokumentacion, u mbajt procesverbali nr.2 datë 25.07.2019 dhe nga ana e Njësisë së Prokurimit janë hartuar dokumentet e tenderit, të cilat më pas janë ngarkuar në Sistemin Elektronik të Prokurimit (SPE), të APP.

Me shkresën nr.2317/16 prot, datë 27.09.2019, të Autoritetit Kontraktor DPPSH, janë dërguar praktikat për ritestimin e tregut dhe janë hartuar shtojcat në lidhje me DSP dhe është mbajtur procesverbali nr.3, datë 15.10.2019 “I hartimit të shtojcës”. Më pas Njësia e Prokurimit ka proceduar me hartimin e DST, të ndryshuara dhe është bërë publikimi i DST të ndryshuara, në SPE. Ajo ka deklaruar se shumatorja e çmimeve për njësi ka ndryshuar si rezultat i përfshirjes së sistemit elektronik të shpërndarjes në koston e artikujve të uniformës, mënyra e përllogaritjes së testimit të tregut duke marrë prë bazë çmimet mesatare, si dhe për shkak të ndryshimit të specifikimeve teknike. Duke qenë se është bërë rishikimi i specifikimeve teknike dhe ndrysimi i tyre, si dhe ndryshimi në termat e referencave të sistemit të shpërndarjes së uniformave, këto ndryshime kanë bërë që të përllogaritetet edhe njëherë kostoja e shërbimit të prodhimit dhe shpërndarjes së uniformave të policisë, pra lindi i nevojshëm edhe ristestimi i tregut. Në lidhje me kriteret e përcaktuara nga Njësia e Prokurimit në pikën 11 të hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, certifikata konformitetit për këpucët, EN ISO 20344-2011 dhe EN ISO 20347-2012 O3 HRO HI CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 O2 HRO HI CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 të modelit B-O2 CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 të modelit A-O2 CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 O2 CI ER FO SRC ose Ekuivaletet, mungesa e njërës prej certifikatave të mësiperme, është kusht për skualifikim të operatorëve pjesëmarrës në tender…

Ajo ka deklaruar faktin se në procesverbalin nr.3, datë 15.10.2019 “i hartimit të shtojcës për disa ndryshime në dokumentet e tenderit të procedurës së prokurimit”, ky procesverbal nuk është nënshkruar nga ana e saj nga faqja nr. 16 deri në faqen 19, ku është përshkruar tabela për sasitë e pritshme të artikujve të uniformës, si dhe nuk është nënshkruar nga ana e saj tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimit të specifikimeve teknike, e cila është bashkëlidhur këtij procesverbali. Ajo nuk ka pranuar t’i nënshkruajë këto dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord. Si dhe nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti “Sasia dhe grafiku i lëvrimit”, te tabela “Sasia e pritshme të uniformave që kërkohen”, e cila përbën faqen 64-67 të dokumenteve standarde të tenderit të ndryshuar. Ky shqetësim i saj për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal konkret, përveç mosnënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërme", thuhet në dosjen e SPAK.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj s’u dhunua, u ndje keq dhe iku! Keqardhje për Nokën, goditi efektivët! Janë evidentuar shkelësit, do procedohen

Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj s’u dhunua, u ndje keq dhe iku! Keqardhje për Nokën, goditi efektivët! Janë evidentuar shkelësit, do procedohen