Kryeministri Rama u prezantoi drejtuesve politikë “frymën” e dokumentit “Prania besnike”. Platforma rendit pika si respekti për të dëgjuar, empatia, solidariteti, korrektesa dhe përkushtimi. Ndërsa të parat i referoheshin kryesisht raportit me qytetarët, përkushtimi është një pikë e cila adreson problemet brenda partisë, kritikat e hapura brenda saj dhe mospërdorimin e tyre si mjete politike.

“Respekti si gatishmëri për të dëgjuar, jo dëgjimi si pritje e radhës për të folur, por dëgjimi si puna e parë e partisë, si disiplinë e re, edhe kur nuk ka kamera, fushatë, duartrokitje, edhe kur nuk ka simpatizantë.

Empatia si angazhim për të ndërvepruar. Empatia është forcë që asnjë alogritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë të çmuar sesa vota, të ka dhënë besim. Duke të dhënë besim, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik.

Solidariteti si ndihmë pa kusht. Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa pyetur me kë je, kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikën. Halli që hapet vetëm për tanët është derë që një derë mbyllet për të gjithë ne, PS.

Korrektesa si detyrim për të kthyer përgjigje. Mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në PS. Njerëzit nuk kërkojnë nga ne të themi me doemos po se e dinë që ne s’jemi zotërues të një çelësi magjik, por kërkojnë po, jo, kur sepse halli bëhet poshtërues kur nuk përfillet.

Përkushtimi ndaj transformimit të makinerisë me forcën e shembullit individual. Kjo tkhesë nis nga ne që jemi në këtë sallë, ose nuk nis fare. Nis nga qeveria ose nuk merr besueshmëri. Kritika jonë e brendshme mirëpritet dhe kultivohet si ushqim i skuadrës, familjes politike, por ka vetëm një rrugë të ndershme: brenda nesh flitet hapur, ndërsa kundrejt qytetarit, bëhet vetëm si vetëkritikë në emër të skuadrës, jo në kuadrin e një spektatori që shfrytëzon interesin e vet dhe ia lë skuadrës kodoshin e vet. Kjo s’është prani besnike, por hileqare”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Prania besnike’, dokumenti i ri i Ramës: Transformim makinerisë elektorale të PS, detyrim për të dëgjuar njerëzit! S’ka dorëheqje pa u ulur në sofrën e BE