Pranimi i statusit të tekstit
letrar dhe nocioni i ri i letërsisë

Pranimi i statusit të tekstit<br />letrar dhe nocioni i ri i letërsisë
A është e mundur të shkruhet një histori letërsie, pra – të shkruhet diçka që do të  jetë edhe letërsi, edhe histori? Lypset pranuar se pjesa më e madhe e historive të letërsisë janë ose histori të jetës shoqërore, ose histori të mendimit shoqëror të ilustruara me vepra letrare, ose përmbledhje përshtypjesh e gjykimesh për vepra të veçanta të renditura pak a shumë në rend kronologjik. 

Kështu pyesin dhe diskutojnë Rene Wellek dhe Austin Worren, autorët e librit Teoria e letërsisë. Më pas, ata japin disa përcaktime që janë bërë për letërsinë nëpër historitë e letërsisë te botimet e traditës, si “Biografi e kombit”, “Histori e shpirtit kombëtar”, “Funksion i veçantë i organizimit të shoqërisë në përgjithësi”, “Regjistron me besnikëri tiparet e kohës së vet”, apo “U transmeton brezave të ardhshëm një histori të vërtetë të jetës” . Të gjitha këto formulime na duken të njohura, sepse e njëjta gjë ka ndodhur në të gjitha letërsitë e mëdha, të cilat kanë qenë modele edhe për letërsinë tonë.

Lajthitjet e shumta që krijohen nga projektimi i asaj që nuk gjendet në tekst, kërkon të përqendrohet vëmendja në vlerat letrare të tekstit, të cilën e ngatërrojmë shpesh me biografinë a jetën psikike të poetit.
Për ilustrim, do të veçonim rastin ku merret poezia e njohur “Vaji i bylbylit”, shkruar mbi njëqind vjet më parë nga Ndre Mjeda, botuar e propaganduar gjatë në botime të veçanta, sidomos në tekstet shkollore, dhe argumentohet si më poshtë: Kur e përktheu atë poezi në italisht, Leonardo de Martino e interpretoi si një vaj për atdheun e robëruar.

Nën presionin e shoqërisë së rreptë jezuite (e cila për arsye të veta të brendshme reagoi ndaj interpretimit të mësipërm), vetë autori e interpretoi poezinë si vaj për humbjen e një shoku të afërt. Studiues më të vonë (si edhe tekste shkollore) thanë se me këtë poezi Mjeda i këndoi ndrydhjes në shoqërinë jezuite, ku poeti bënte pjesë.

Për të mos shkuar në interpretime në pafundësi të poemës, nga më të ndryshmet, deri tek ato pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën,  siç mund të shihet prej logjikës së mësipërme, mbetet të priremi drejt diskutimeve serioze mbi tekstin, statusit letrar apo Poetikës së tij, duke kuptuar se është mënyra e vetme për të folur për gjëra që biem të gjithë në një mendje.

Për të përcaktuar kohën e rritjes së vëmendjes së veçantë ndaj statusit të tekstit letrar, e shohim të vlefshme të ndalemi pak në një studim ku poeti dhe teoricieni francez Paul Valery tregon për një histori që piktori impresionist Edgar Degas ia përsëriste shpesh: Edgar Degas, i cili shkruante poezi herë pas here, duke i filluar ato mjaft mirë, një ditë ankohet te Stephane Mallarme-ja se poezia është një zanat ferri, se si ai është plot ide, por nuk arrin të thotë atë çfarë do. Mallarme-ja i përgjigjet se poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë. 

Kur Degas fliste për ide, do të thoshte Paul Valery, ai, para së gjithash, po mendonte për ligjërimin e brendshëm apo imazhet, të cilat mund të ishin shprehur me fjalë, por këto fjalë (fraza sekrete, që ai i quan ide), këto qëllime dhe perceptime të mendjes nuk bëjnë vargje. Ka diçka tjetër, po sipas Valery-së, një modifikim, i papritur apo jo, spontan apo i përpunuar gjatë, i cili zakonisht ndërhyn te mendimi që prodhon ide, kaq i ndryshëm nga ligjërimi i zakonshëm, aq kuriozisht i rregulluar.

Raportin mes poezisë e prozës, Paul Valery e sheh si raportin mes vallëzimit e të ecurit (çka e ka thënë disa shekuj para tij poeti dhe teoricieni tjetër francez Mahlerbe, duke na kujtuar kështu se fara e çdo diskutimi të ri gjendet brenda traditës, deri te Aristoteli), për të na thënë se fjalët e Edgar Alan Poe-s, kur flet për “Korbin”, krijimin e tij të njohur poetik që e tërë poema ka vijuar hap pas hapi, gjer në përfundimin e saj, me përpikërinë dhe rigorozitetin e domosdoshëm matematik , si dhe fjalët e Stephan Mallarme-së që më mirë thjesht një libër i vetëm, i organizuar dhe i punuar fort, sesa një përmbledhje frymëzimesh të rastësishme, qofshin këto edhe të mrekullueshme  – nuk janë përkime të rastit, pasi Mallarme-ja është në linjën e dishepujve të Poe-s.

Që nga viti 1861, thotë Paul Valery-ja, nuk ka një rresht të tij që të mos bëjë të ndjesh se ai që e ka shkruar, ka menduar në vetvete, si në një jetë tjetër, shpikjen e pallogaritshme, Ligjërimin; dhe duke u vendosur në një lartësi pamjeje ku askush para tij nuk kish menduar të vendosej ndonjëherë, qëndroi i palëkundur gjer ditën e tij të fundit në soditje intime të një të vërtete, si sprovë të së cilës ai donte të kumtonte vetëm zbatime të mrekullueshme. 

Kur analizonte poezinë “Erashka” të Mallarme-së, kritiku Marcel Raymond shprehej: ky është, sigurisht, lloji i poezisë që do ta joshte Poe-n,  por, do të thoshte një kritik letrar francez, Batuta e famshme e Mallarme-së: “Poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë”, në fund të fundit, është veçse formula e mbrame e asaj fitoreje të re të shprehimësisë fjalësore, pionieri mendjendritur i së cilës ka qenë Bodleri. 

Dimë se Baudelaire-i ishte dishepulli i parë i madh e i Poe-s. Si vazhdues i të dyve, Mallarme-ja e kishte pranuar provokimin e Poe-s, kur do të shprehej se çdo rastësi duhet të përjashtohet nga vepra moderne dhe nuk mund të jetë e pranishme aty, veçse gjoja. Pra, poezia, e lirë sa edhe e disiplinuar me metodat e programet, ka historinë e zhvillimit, funksionet dhe pavarësinë konceptuale, çka çon në nevojën e dallimit midis poetikes dhe poetikës. Ajo që, nga na e vet, dëshmon për ndërhyrjen e Poetikës, është evidentimi i artit që ka përdorur autori për të ndërtuar veprën e tij.  

 Retorika dhe Poetika e lashtë shënonin dhe numëronin fenomenet përmes të cilave manifestoheshin format e ndryshme të produktit letrar, por shpirti kërkues i kohëve moderne kërkon ligjet nga të cilat janë krijuar qeniet dhe sendet, strukturat dhe format e tyre, mënyrat e funksionimit dhe evolucionit. (Ndryshe nga antiku Aristotel, që shqetësohej se ç’tip vargu i përshtatej kësaj apo asaj gjinie letrare, moderni Jakobson ka famën e poeticienit.)

 Duhet të ndërgjegjësohemi se, siç thotë Paul de Man: Që të vinte në jetë teksti, duhej të ndërpritej në rrugë funksioni referencial.  Ose të konkludojmë, sipas qasjes jakobsiane, fjala e ndjerë si fjalë dhe jo si zëvendësim i thjeshtë i objektit të emërtuar, as si shpërthim i ndjenjave.  Siç thotë Jurij Lotman-i te Struktura e tekstit artistik,  jo çdo bashkësi shenjash e frazash mund të merret si tekst artistik. Për të qenë e tillë kjo bashkësi duhet të formojë një strukturë të dytë, të një rrafshi më të lartë se teksti thjesht gjuhësor.

     Në përcaktimin e Lotman-it, teksti artistik mund të paramendohet si mekanizëm i organizuar në mënyrë të veçantë, që ka aftësinë për të përmbajtur një informacion me përqendrim jashtëzakonisht të lartë.  Ky informacion dhe përqendrim duhet të dalin nga analizat tekstore. Sasia e informacionit, në përgjithës, lidhet me veçori të tilla strukturale si zhvendosja e dominanteve strukturale.
Sipas kësaj qasjeje, për të gjetur semantikën e një teksti poetik, kërkohet:

-    ndarja e tekstit në rrafshe dhe grupe sipas rrafsheve të prerjeve sintagmatike (fonema, morfema, fjalë, fjali, vargje, strofa etj.)
-    dallimi i përsëritjeve të barasvlershme
-    dallimi i përsëritjeve në vazhdimësi
-    dallimi i përsëritjeve që kanë forcë të madhe ekuivalence
-    mbivendosja reciproke e përsëritjeve semantike ekuivalente për të dalluar veçoritë semantike dhe kundërvëniet semantike themelore që veprojnë në një tekst të caktuar; shqyrtimi i semantikës së ndërtimeve gramatikore

-    vlerësimi i strukturës sintagmatike dhe i shmangieve domethënëse në raport me to në përsëritjet e vazhdimësisë; shqyrtimi i semantikës së ndërtimeve sintaktike.
Nëse pëlqehet ajo që poezia "thotë", kjo mund të shterohet në një fjali proze. Atje do të jetë ideja, por diçka do t'i mungojë. Ajo që mungon do të jetë poezia. Le të marrim kumtimin "unë jam i dashuruar". Të shohim çfarë ndodh kur N. Frashëri shkruan të njëjtën gjë në poezi:
 
     Do të shtrihem,
     të venitem
     si kandili, kur s'ka vaj,
 
     balt' e pluhur
     do të bëhem
     të më shkelnjë këmb' e saj;
 
     e të prehem
     duke puthur
     atë këmbë pasandaj.
 
     A s'më thua:
     ç'ke me mua?
     Pse të dua, paskam faj?
 
     Shihet menjëherë që diçka ka ndodhur tek ideja: janë shtuar metri dhe loja e këndshme tingullore e rimave, sidomos zanorja "a" e ngulitur në fund të çdo strofimi, ku këngëzimi i fituar shfaq mrekullinë e rrallë të ndjenjës së dashurisë. Pra, kjo tregon se ne mund ta zbërthejmë poezinë, ashtu siç zbërthejmë një orë, e me pjesët e hapura ta ngremë sërish në këmbë, duke rikthyer shërbimin e saj.

Për Lotman-in, teksti artistik integrohet domosdoshmërish në ndërtimet jashtëtekstore: nëse e përcaktojmë një tekst si poezi shqipe, mund të na shkojë mendja te një veçori e caktuar e saj, që lidhet me vargun a strofën. Nëse themi se është poezi shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX, atëherë i afrohemi edhe më tepër identifikimit të saj. Nëse themi se është një sonet i shkruar në dialektin gegë, i jemi afruar shikimit të saj si poezi e Ndre Mjedës. 

Një qasje e tillë ndaj godinës së sistemit shpalos mundësitë tona për t’u thelluar në konceptin mbi tekstin dhe për të thënë se ai:
- përmban një minimum shenjash që përdoren në një diskurs, megjithatë është gjendje të na përçojë diçka më të pasur se çdo formë tjetër e gjuhës;
- përbëhet nga një numër “sistemesh” (leksikale, grafike, metrike, fonologjike etj.) dhe arrin efektin nëpërmjet përplasjesh së vazhdueshme dhe tensioneve midis këtyre sistemeve;
- përbën formën diskursive më të vështirë që mund të mendohet, sepse kondenson në pak hapësirë sisteme të tëra, ku secili përmban tensionet, paralelizmat, përsëritjet dhe kundërshtitë e veta, duke modifikuar vazhdimisht të tjerët;

- aktivizon të gjithë potencialin domethënës, e detyron fjalën të punojë nën tensionin e atyre që e rrethojnë dhe, në të njëjtën kohë, të shpalosë të gjithë potencialin e saj.
     Ndërsa perceptimi i strukturës së poezisë na bën të ndërgjegjshëm se:
 - Shpleksja e organizimit të strategjive leksikore të tekstit poetik dhe mënyrës se si ai krijon mbetet detyrë e çdo leximi, duke e parë letërsinë në atë çfarë lexojmë dhe interpretojmë si letërsi;
 - Kur e vendosim poezinë në terma të marrëdhënieve të veçanta fonologjike, sintaksore apo semantike, e kemi vendosur në kufijtë e një teksti. Për ta ndërtuar këtë tekst poeti vendos konvencione të reja të cilat i dhunojnë normat e gjuhës standarde.

     Përfundim: në këtë logjikë diskutimi, paradigma e Historisë Letrare ka fituar njërin prej statuseve themelore të operacioneve të saj – statusin e tekstit letrar.
Po pranuam se “Letërsia” si term konceptual është zhvlerësuar, duhet të kujtojmë që, nëse e ka pushtuar prodhimin letrar një nocion i dallueshëm i sferës së letërsisë, atëherë “letrarja” është mënyra më e mirë për ta përshkruar atë.

Punimi i Todorov-it, Nocioni i Letërsisë,  na kërkon mirëkuptimin për ta quajtur:
-    “Funksional” përcaktimin e parë të kësaj ekzistence;
Që është përcaktimi i cili identifikon në terma atë çfarë ajo “bën” në një sistem më të madh.

-    “Struktural” përcaktimin e dytë të kësaj ekzistence;
Përmes të cilit kërkojmë të testojmë nëse veprat individuale të mbledhura si letërsi në kuptimin funksional të fjalës kanë karakteristika të ngjashme.
Së pari, na jepet ideja se ky nocion – letërsia - na ka ardhur si konvencion nga librat, shkollat etj. Pra, ne nuk e ngremë këtë pyetje, sepse mendojmë që e dimë se përse është fjala.

Një vështrim i thelluar na ndihmon të flasim për dy koncepte të mëdha:
-    Dimë se nga Aristoteli e deri në shekullin XVIII kemi konceptin e mimesis.
Ky vështrim në përgjithësi ka edhe vështrimin në veçanti, i cili na bën të ditur se imitimi nuk është e vërteta, por fiksioni.
-    Në shekullin XVIII kemi konceptin e bukurisë, i cili bën edhe një herë bashkimin e të gjitha arteve.

Me konceptin e bukurisë ndërtohet ideja “me dhënë kënaqësi” dhe jo “me dhënë mësime”.
     Në këtë rast, bukuria e vërtetë nuk kërkon ndonjë domethënie në vetvete, por të jetë një  tërësi e plotë në vetvete, sepse nëse një vepër arti kërkon për të treguar diçka më tepër se vetvetja, bëhet diçka ndihmëse, ndërsa bukuria duhet të jetë diçka parësore.

     Pra, letërsia nuk duhet të jetë gjuhë e instrumentalizuar, por një shprehje për hir të shprehjes (Novalis). Ky nocion i përpunuar nga romantikët gjermanë, mbizotëroi lëvizjet simboliste dhe postsimboliste, si dhe u bë baza e përpjekjeve për krijimin e shkencës së letërsisë. Mirëpo kështu kemi thënë vetëm se çfarë krijon poezia (pra bukurinë), por nuk kemi thënë mënyrën se si duhet ta realizojë atë, siç e shtruan çështjen formalistët rusë dhe Kritikët e Rinj amerikanë. Shumë shpejt perspektiva funksionale do të plotësohet nga pikëpamja strukturale: Më shumë se sa çdo aspekt tjetër, është karakteri sistematik i një vepre që na lejon ta perceptojmë atë në vetvete.

Pra, letërsia është një sistem, një gjuhë sistematike që tërheq vëmendjen në vetvete e bëhet autotelike.
Theksimi që i bëhet anëve të funksionit na tërheq vëmendjen nga letërsia, ku teksti e ka vlerën te vetvetja ose, çfarë është quajtur në një punim të viteve ’30 nga Jakobsoni dhe Mukarovski, funksioni estetik. Kështu, rrjedhojat strukturale në qasjet funksionale çojnë nga sistematizimi dhe theksimi i burimit simbolik të shenjës gjuhësore. Për të tërhequr vëmendjen e lexuesit e për ta bërë atë të kapë domethënien e gjuhës, i organizon dhe i dendëson rezervat e gjuhës së përditshme dhe, herë-herë, dhunon ato. Mjaft nga këto rezerva poeti i gjen të formësuara e të parapërgatitura, në një proces zhvillimi anonim.

Në këtë shtjellim të nocionit të letërsisë kemi disa terma të rëndësishëm dhe themelorë për studimin e letërsisë në kohën e sotme. Ato janë:
-    Koncepti funksional i letërsisë
-    Koncepti struktural i letërsisë
-    Forma
-    Struktura
-    Sistemi letrar
-    Shkenca e poetikës
-    Gjuha poetike dhe jopoetike
-    Kuptimi (leximi) i brendshëm dhe kuptimi (leximi) i jashtëm

Pas analizës që i bëjnë natyrës së gjuhës së letërsisë, Wellek dhe Worren na japin përfundimin se analiza bashkëkohore e veprës artistike duhet të nisë nga probleme komplekse:
-    Nga shqyrtimi i mënyrës së ekzistencës;
-    Nga sistemi i organizimit të brendshëm dhe shumështresor të tij. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Hapen 8 kuti, Tavo thellon diferencën! Ka marrw 1150, Gjikuria 559

Hapen 8 kuti, Tavo thellon diferencën! Ka marrw 1150, Gjikuria 559