Prokuroria dhe Policia shqiptare janë përplasur një ditë më parë në lidhje me ekzistencën e një pajisje të paligjshme përgjimi dhe procedurat për sekuestrimin e saj.
 
Burime për Report Tv bënë me dije se me urdhër të drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës dy prokurorë kanë trokitur një ditë më parë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako për të sekuestruar pajisjen e cila pretendohet se bën përgjime të jashtëligjshme.
 
Por ajo çka është verifikuar në zyrat e policisë së shtetit ka bërë që prokurorët të largohen pa kryer asnjë sekuestro.
Kjo për shkak se pajisja i përket njësisë InterForcë të shërbimeve italiane në vendin tonë dhe përdoret për trajnimin e oficerëve të njësisë operacionale sqaruan burime për ReportTv.
 
Kjo situatë nuk ka bindur Prokurorinë e cila fill pas kthimit duarbosh nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit ka nisur një letër për kërkim informacioni pranë ambasadës italiane dhe njësisë Interforcë ku kërkon shpjegime për pajisjen përgjuese.
 
Ekzistenca e një pajisje të paligjshme shërbimi u informua fillimisht nga shërbimi informative shtetëror e më pas dhe nga Presidenti Bujar Nishani dhe Prokuroria që nisi hetimet, por deri më tani është zbuluar vetëm vendndodhja e saj në ambientet e Policisë së Shtetit.
 
Ndërkohë prokuroria nga ana e saj ku dhe ka nisur një hetim pretendon se kjo pajisje është aktive prej 5 muaj dhe kryen përgjime të jashtëligjshme jo vetëm të komunikimeve telefonike por dhe të atyre kompjuterike dhe nëpërmjet rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të ndryshme.
 
Deri në marrjen e një përgjigje nga shërbimet InterForcë kjo pajisje duket se do të mbaj të tensionuara marrëdhëniet prokurori- polici si dy agjenci të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit por ku ligjërisht përgjimet kryhen me urdhër dhe leje të prokurorisë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com