Monica Colombo, gazetare e Corriere della Sera, zbuloi një prapaskenë rreth marrëdhënies midis Allegrit dhe Ibrahimovic. Sipas saj, "përçarja midis Allegrit dhe Ibrahimovicit, e cila ka rrënjë shumë larg në kohë, ndodhi në një restorant dhe në prani të Furlanit dhe Tares, të cilët duhej ta ndanin fizikisht trajnerin dhe suedezin", citohet ajo nga mediet në Itali.
Gazetarja italiane pretendon se tensionet mes tyre nuk ishin të reja, por i kishin rrënjët të hershme dhe se rezultatet pozitive të skuadrës kishin ndihmuar në mbajtjen e problemeve larg vëmendjes publike. Në analizën e saj, Monica Colombo thekson se ambienti kuqezi ishte tronditur nga tensionet e brendshme.
Sipas saj, “Milani po ndahet në fraksione” dhe shumë konflikte të vjetra janë rikthyer në sipërfaqe sapo rezultatet nuk kanë qenë më në favor të skuadrës. Një tjetër element i përmendur ishte mungesa e Ibrahimovic në ambientet e ekipit. Colombo pretendon se suedezi nuk ishte parë prej muajsh në dhomat e zhveshjes në 'San Siro' dhe në qendrën stërvitore të 'Milanellos'.
Sipas të njëjtit raportim, pika e thyerjes mes Allegrit dhe Ibrahimovic lidhej fillimisht me një vendim teknik për portierin e tretë të skuadrës për sezonin e ardhshëm, por kjo thuhet të ketë qenë vetëm shkëndija që rizgjoi tensione më të vjetra.
Colombo pretendon gjithashtu se Allegri nuk e ka pritur mirë informacionin për kontakte të mundshme me Antonio Cassanon, ndërsa një tjetër burim mosmarrëveshjeje ka qenë ndërhyrja e Ibrahimovic me këshilla taktike ndaj lojtarëve si Youssouf Fofana dhe Rafael Leao, të cilat, sipas raportimeve, ndryshonin nga udhëzimet e trajnerit gjatë stërvitjeve.
Presidenti Gerry Cardinale vendosi të bëjë revolucion të plotë te Milani pas dështimit për t’u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm. Pronari i klubit kuqezi ka marrë vendimin drastik për të ndryshuar drejtimin sportiv dhe teknik të skuadrës, duke shkarkuar trajnerin Massimiliano Allegri, drejtorin sportiv Igli Tare, drejtuesin ekzekutiv Giorgio Furlani dhe drejtorin teknik Geoffrey Moncada.
Cardinale ka nisur një riorganizim të madh, ndërsa Zlatan Ibrahimovic pritet të ketë rol kyç në rindërtimin e skuadrës.
Lajmi kryesor:
Tifozët e Milanit kundër vendimit të pronarëve, vijojnë protestat: Tare dhe Allegri burra të vërtetë, Ibra e keqja absolute








