Gerry Cardinale nisi revolucionin te Milani, por grupimet e organizuar të tifozëve vijojnë të kontestojnë klubin kuqezi. Gjatë mbrëmjes së djeshme janë shpalosur parulla të tjera pranë 'San Siros' dhe në shënjestër është sërish Zlatan Ibrahimovic që do të jetë njeriu i fortë i Milanit në epokën e re.
‘Ibra e keqja absolute, Allegri dhe Tare të vetmit burra të vërtetë', lexohej në një nga parullat e shpalosura. Ish Drejtori Sportiv dhe ish trajneri edhe njëherë merren në mbrojtje nga tifozët, siç kishte ndodhur edhe në manifestimin që ndodhi përpara ndeshjes mes Milanit dhe Atalantës në 10 maj.
Por si Igli Tare ashtu edhe Massimiliano Allegri u larguan nga postet e tyre ditën e hënë. Po kështu vijon fushata kundër Cardinales ndërkohë që nuk kursehen as futbollistët që u fërshëllyen me forcë pas humbjes me Cagliarin
"Futbollistë dhe klub, të gjithë fajtorë", lexohet në një parrullë tjetër. Është kjo një situatë e tensionuar për të cilën duhet kohë dhe rezultate për t’u qetësuar.
Ndërkaq bie në sy edhe një detaj që nuk është aspak për t’u nënvlerësuar. Asnjë prej futbollistëve të Milanit nuk e përshëndetën Massimiliano Allegrin në rrjetet sociale pas shkarkimit të tij, as Gabbia, Maignan e vetë Rabiot më besnikët e trajnerit livornez. E njëjta gjë edhe për Modric që përpara pak ditësh në një intervistë të tij nuk i kurseu fjalët e ëmbla për atë që është kandidat për t’u ulur në pankinën e Napolit për t'u bërë pasardhësi i Contes.
Komente









