Prapaskenat, krisen raportet
PS-LSI, ku u ndanë Rama e Meta

Prapaskenat, krisen raportet<br />PS-LSI, ku u ndanë Rama e Meta
Pakti i guximshëm politik Rama-Basha, i ngjizur nën dirigjimin amerikan, është pasuar me tension, shigjetime në distancë, mesazhe të koduara dhe klimë të thellë mosbesimi mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në kampin e LSI ka nervozizëm dhe pasiguri.

Vetëm 36 ditë para zgjedhjeve parlamentare, LSI flet për marrëveshje tradhtie PS-PD, duke rikujtuar paktin e famshëm të 2008 kundër saj. Ndërsa kreu i socialistëve ka sqaruar mbrëmë të vetët se, aleati kryesor mbeti jashtë koalicionit për zgjedhjet e 25 qershorit, pasi nuk iu përgjigj lutjeve të PS që nga muaj tetor.

Tashmë duket qartë se, marrëveshja politike PD-PS, përtej pritshmërive dhe kontureve të planit ‘McAllister +’, ka shënuar edhe krisjen e madhe, ndoshta edhe përfundimtare, mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose më saktë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Kjo marrëveshje, sipas gjasave, pritet të rikonfigurojë, mbase për një kohë të gjatë, aleancat politike në Shqipëri.  

Pika e ndarjes  
Mosmarrëveshjet, intrigat dhe paranojat mes PS dhe LSI dolën në pah që vitin e dytë të mandatit qeverisës, por ka një pikë kulmore, ka një nyje dhe me sa duket një tejkalim të vijës së kuqe, e cila ka shënuar edhe kthesën e madhe në raportet PS-LSI. Shqiptarja.com ka mësuar nga burime të besueshme se gjithçka ka ndodhur ditët e fundit. Konkretisht, tryeza e dialogut e datës së 17 majit, e iniciuar nga Fatmir Mediu dhe Agron Duka, që çoi edhe në takimin 5 orësh Rama-Basha, ka shënuar një krisje serioze mes PS dhe LSI. Molla e sherrit është bërë data e zgjedhjeve. Kryetari i LSI, Petrit Vasili dhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizit, para, gjatë dhe pas tryezës, kanë mbështetur 16 korrikun si datë për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, siç edhe parashikohej në planin ‘McAllister’. “Paketa “McAllister” e ka një datë zgjedhjesh brenda, që është data 16 korrik. Një datë tërësisht normale, nuk është një datë që krijon ndonjë gjë të jashtëzakonshme, pasi duhet të jemi të gjithë objektivë, duke qenë se bëhet fjalë për jo më shumë se 4 javë nga data tashmë e fiksuar e që sigurisht është një limit i arsyeshëm në kohë në raport me detyrimet për ngritjen e Parlamentit të ri”, tha Vasili pas tryezës. Kryeministri Rama është ndjerë i tradhtuar nga aleatët, i rrethuar politikisht dhe në një pozicion të disfavorshëm, pasi qëndrimi i LSI dhe PDU, ishte në një linjë me qëndrimin e PD, SHBA dhe BE. Ky qëndrim e vendoste kryeministrin të vetëm përballë të gjithëve.

Kthesa e Ramës
Shefi i qeverisë është befasuar nga qëndrimi këmbëngulës i Petrit Vasilit, për shkak se kishte nisur ndërkohë zbatimin e një marrëveshje me Ilir Metën. Ky pakt nisi të vihej në jetë me zgjedhjen e Ilir Metës në krye të Presidencës, duke i dhënë një mesazh unifikimi të koalicionit. Pjesë e marrëveshjes ishte vijimin i aleancës strategjike, por edhe koordinimi i qëndrimeve për zgjidhjen e ngërçit politike. Në këtë kuadër, Rama e ka lexuar pozicionimin e LSI si një shantazh të hapur, në vijim të taktikës së dy viteve të fundit. Tensioni mes PS dhe LSI ka marrë një tjetër dimension në kushtet kur, krahas deklaratave të Vasilit, Ilir Meta ofroi si mundësi dorëheqjen si Presidenti i Republikës, në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik, duke shtuar presionin mbi Ramën. Ka qenë kjo lëvizje taktike e LSI, e cila duket se ka nxitur kryeministrin Edi Rama drejt një marrëveshje të thelluar, ndoshta edhe përtej zgjedhjeve të 25 qershorit, me Lulzim Bashën. Pas tryezës dyorëshe është marrë edhe vendimi për të shkuar drejt zgjedhjeve pa aleanca, pra pa LSI dhe PDIU, të cilat do të hyjnë të vetme në detin e trazuar të zgjedhjeve të 25 qershorit. Marrëveshja ishte një akt i i guximshëm politik dhe i paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar. Por, me anë të paktit, shefi i qeverisë mundësoi jo vetëm futjen e PD në zgjedhje, rikthimin e normalitetit politik për një kohë të gjatë, votimin e Vetingut dhe të reformave integruese, por edhe u çliruar nga presionet dhe kushtëzimet e herë pas hershme nga LSI dhe PDIU.

Roli i çadrës së PD
Ngujimi i Partisë Demokratike në një çadër para Kryeministrisë, për qeveri teknike dhe votim elektronik, prodhoi momentin me kritik në raportet mes LSI dhe PS që pas zyrtarizimit të koalicionit në prill të 2013. Një javë pas ngujimit të Partisë Demokratike, Ilir Meta shkroi një tërmet politik, teksa foli për një qeveri besimi, tha se ishte gati të dorëzonte mandatet ekzekutive, ndërsa paralajmëroi se nuk do të hynte në zgjedhje pa Partinë Demokratike, pasi LSI nuk mund të bëhej pjesë e një procesi zgjedhor farsë. Me kalimin e ditëve, për shkak edhe të reagimeve të forta të SHBA-BE kundër çadrës, Meta modifikoi dhe moderoi qëndrimin. Megjithatë, qëndrimi i fortë i Ilir Metës, vuri në lëvizje kryeministrin Edi Rama, i cili nisi të negociojë një marrëveshje të re. Për rrjedhojë edhi edhe darka tek ‘Pazari i Ri’, i cili shkarko zhurmë dhe ngriti pikëpyetje mbi atë ç’ka u vendos për të ardhmen e koalicionit të majtë. Në ditët në vijim u duk sikur u vendos një akord mes Ramës dhe Metës. Në fund të muajit prill, Meta inicioi një tryezë për zgjidhjen e krizës, por që u bojkotua nga PD. “Është për të ardhur keq që opozita paragjykon dialogun me ultimatumin. Janë bërë disa hapa të rëndësishëm nga ana e mazhorancës aktuale”, tha Meta. Vetëm dy ditë më pas, Ilir Meta u zgjodh në postin e Presidentit. Kjo lëvizje u lexuar si një mbyllje të marrëveshjes mes PS dhe LSI. Por, gjithçka u përmbys dy javë më pas.

Reforma në drejtësi
Beteja epike e amerikanëve për detyruar Partinë Demokratike për të votuar paketën me ndryshime kushtetuese, u karakterizua me një tjetër luftë, sa publike aq edhe të nëndheshme mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për reformën në drejtësi. PS dhe LSI ndanin objeksione të ndryshme sa i takon përmbajtjes së projektit kushtetues dhe mënyrës së miratimit. LSI hartoi një draft alternativ, i cili përkonte në shumë pika me draftin paralel të Partisë Demokratike, ndërsa Partia Socialiste mbështesje projektin e hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë me asistencën e EURALIUS dhe OPDAT. Gjithashtu, Lëvizja Socialiste për Integrim këmbëngulte në miratimin e ndryshimeve me konsensusin e Partisë Demokratike, duke përjashtuar çdo formë tjetër, siç mund të ishte krijimi i një shumice me disa vota të opozitës. Përplasjet kulmuan kur kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se po i sosej durimi dhe se ishte gati të jepte dorëheqjen. “Ashtu si z. Lu është mua po më soset durimi. Jam i bindur që zgjidhja është ndërtimi i një qeverie ekspertësh. Unë jam gati të jap dorëheqjen pas miratimit të reformës”, tha Meta.  

Çështja CEZ  
Rikthimi në vëmendje i çështjes ‘CEZ’, aludimet, deduksionet dhe lidhjen e kësaj çështjeje me emrin e Ilir Metës shënoi lëkundjen e parë në raportet me Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas rikthimit dhe tjerrjes së kësaj çështje me gjysmë fakte, krijoi një perceptim në LSI sikur fshihej kryeministri Edi Rama, me qëllim për të goditur aleatin kryesor në koalicion. Në vjeshtën e vitit 2015, saga CEZ-DIA, nisi të pasurohej çdo ditë me detaje të reja, me kthesa dhe të papritura, me skenarë dhe teza helmuese, ku gjithnjë shënjestra e pandryshueshme ishte Ilir Meta, duke i implikuar në historisë së skandalit CEZ-DIA. Në lojë hyri shumë shpejt edhe Partia Demokratike, ndërsa Partia Socialiste mbajti një qëndrim indiferent.  

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK