TIRANË- Punonjësit e administratës, qoftë në nivel qendror apo vendor, për herë të parë do të përfitojnë nga indeksimi i pagës me 2.5%. Kryeministri Edi Rama në një komunikim në rrjetet sociale shpjegoi edhe se si do të jetë rritja për secilën kategori, ndërsa theksoi se krahas indeksimit, nga muaji janar paga minimale në vend do të rritet nga 40 mijë lekë të rinj në 50 mijë lekë të rinj. Kryeministri Rama thotë se rritja do të reflektojë ndjeshëm sipas tij tek paga mujore për 10.600 punonjës shërbimi.

"10 600 punonjës shërbimi do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj. Specialistët e administratës publike 5 mijë lekë të reja në muaj. Mësuesit 3 mijë lekë në muaj", tha Rama. 

Kjo faturë vetëm për vitin 2026 do t'i kushtojë buxhetit të shtetit 100 mln euro, ndërsa Rama thotë se korrektimi i pagave do të bëhet çdo vit në bazë të vlerës së inflacionit.

“Fillimi i praktikës së indeksimit vjetor edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë nivel qendror apo vendor, të cilit do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit. Kjo është një praktikë e re pagash që kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë i shton gati 100 mln euro qysh në vitin e parë 2026, shumës që mandati i 4 do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerësve të të gjitha kategorive shoqëror”, tha Rama.

Rritje si pasojë e kësaj skeme të re, pra reflektimit që sjell rritja e pagës minimale dhe indeksimi i përvitshëm, do të përfitojnë edhe bluzat e bardha. Sektor për të cilin, bashkë me policinë, do t'u llogaritet edhe vjetërsia në punë.

"Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Si mesatare për mjekët e përgjithshëm, nga 131 700 lekë në 143 500 lekë të reja në muaj. Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të të reja në muaj. Për infermierët  nga 87 mijë lekë në 92 500 lekë në muaj. Po ashtu dhe për punonjësit e policisë, përveç indeksimit do të ketë rritje për vjetërsinë në punë. Për gradat më të ulëta përkthehet në rritje mesatare me 5 mijë lek të reja në muaj. Për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vite, sipas gradave, për inspektorët e thjeshtë nga 80500 në 84500 lekë të reja plus shtesa që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja. Për nënkomisarët nga 95500 në 101 mijë lekë të reja, plus shtesa shkon në 116 mijë lekë të reja. Për komisarët nga 105 000 mijë në 110 600 mijë shkon në 125 600 lekë të reja", tha Rama. 

Një ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi edhe rritjen e pensioneve të detajuar në buxhetin e vitit 2026-të.

Pagat për sektorin publik
10 600 punonjës shërbimi + 10 mijë lekë/muaj
Specialistët e administratës publike + 5 mijë lekë/muaj
Mësuesit                                              + 3 mijë lekë/muaj
Pagat në sektorin shëndetësor
Mjekët e përgjithshëm     nga 131.700 në 143.500 lekë/muaj
Mjekët në spitale             nga  174.000 në 186.000 lekë/muaj
Infermierët                       nga 87.000 në 92.500 lekë/muaj
Pagat për punonjësit e policisë
Inspektorët                   nga 80.500 në 84.500 lekë/muaj
Nënkomisarët              nga 95.500 në 101.000 lekë/muaj
Komisarët                     nga 105.000 në 110.600 lekë/muaj
Drejtuesit e thjeshtë      nga 130.500 në 141.450 lekë/muaj